Kronika

30 mijë dosje të “vdekura” në Gjykatën e Lartë





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:08 - 29/03/19 |
Nga Sebi Alla

Gjykata e Lartë kthehet në “arkivë” duke mbartur mbi 30 mijë dosje të pashqyrtuara ndër vite. Qytetarët që nuk po marrin drejtësinë dhe kolapsi që ka përfshirë gjykatën supreme. Vetëm 4 gjyqtarët e mbetur shqyrtojnë çështjet që ligjërisht kanë afat. Kur pritet të nisë funksionimi normal dhe vitet që nevojiten për të dhënë vendimet për dosjet e vjetra dhe të reja. Vendi me Gjykatë të Lartë në limitet e funksionimit dhe pa Gjykatë Kushtetuese.


Nga Sebi Alla


“Do të gjejmë zëvendësues. Kemi shkolla të mira. Kemi një shprehje të vjetër këtu: ‘Më mirë një djep bosh, sesa një djep me djallin brenda’”, -tha Rama për Forbes një muaj më parë, kur u pyet për procesin e vettingut dhe kolapsin në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Për të, “djalli” ishte në drejtësinë e vjetër, por “engjëlli” që do sjellë drejtësia e re, nuk po vjen kurrë. Pritja është e gjatë, ndërsa qytetarët çdo ditë rendin me dosje të duar për të bërë rekurs, për një vendim që e konsiderojnë të padrejtë. Ikin pa e kthyer kokën pas, me sytë nga mediat për të marrë lajmin e mirëpritur; vendet u plotësuan. Nuk dihet kur do u vijë radha, pyesin edhe një herë. Dhe sa dosje janë përpara? – “Diku tek 30 mijë”- thotë një punonjës, pa e ngritur kokën nga regjistri ku shënon një protokoll dhe rutinë ditore. Për pyetje të dytë nuk ka vend, qytetari ikën duke rrudhur buzët për një përgjigje që kurrë nuk do e marrë! Kur dhe përse? Kolapsi është fjala e duhur. Gjykata ka nevojë për shtesë sallash, jo për të zhvilluar gjyqe, por për të siguruar dosjet. Bodrumi është tërësisht i mbushur, katet e para gjithashtu mbajnë “era letër” e verdhë, nga pritja e gjatë e dosjeve të pashqyrtuara. Në fundin e vitit 2018 u regjistruan 28 863 dosje në pritje për shqyrtim. Që nga ajo kohë dhe deri tani numri i dosjeve të reja e të mbartura ka kapur shifrën 30 mijë. Të vetmet procese që zhvillohen janë masat e sigurisë dhe dosjet që kanë afat. Edhe ato shqyrtohen nga katër gjyqtarët e vetëm që kanë mbetur, Xhezair Zaganjori, Medi Bici, Ardian Dvorani dhe Edmond Islamaj. Sallat janë bosh, nuk ka gjyqtarë, drejtësia e re këtu në Gjykatën e Lartë ka prerë shumë koka, por nuk po sjell të rinjtë, kjo si pasojë e ngadalësisë në vijimin e vettingut dhe krijimit të institucioneve të reja të gjyqësorit. Nga 17 gjyqtarë që kishte në vitin 2017, tashmë ka mbetur me vetëm 4, ku disa u dorëhoqën, të tjerëve u mbaroi mandati dhe 6 të tjerë nuk kaluan procesin e vettingut.


Vdekja e “pakallur” e një gjykate


Elita e gjyqësorit në “letra” funksionon me kolegje civile, penale dhe administrative. Trupat gjyqësorë i shqyrtojnë çështjet që mbërrijnë në themel, ndërsa çështje të tjera shqyrtohen për pranimin ose jo të rekursit. Këtë e përcakton ligji, që sot nuk po zbatohet, sepse nuk ka gjyqtarë për të zhvilluar seanca. Sallat moderne janë bosh, vetëm pastrueset hyjnë e dalin në to, edhe ata rrallë shkojnë ndonjë leckë, pasi askush nuk shkel aty, prej të paktën tre muajsh. Dosje dhe qytetarë që presin të marrin drejtësinë janë mbi 30 mijë, por praktikisht gjithçka i ngjan një teatri absurd që shfaqet çdo ditë ndaj qytetarëve të shumtë që enden me vite në kërkim të drejtësisë. E çuditshme, por në sallat e gjykatës ka mbetur një postulat, që nuk ka njeri që ta heqë: “Drejtësi e vonuar është drejtësi e mohuar”… Aktualisht gjykata shqyrton vetëm çështjet që përcaktojnë afat ligjor, të cilat mbërrijnë pas vendimeve në Gjykatat e Apelit. “Për shkak të numrit të kufizuar të gjyqtarëve, anëtarët aktualë të saj marrin në shqyrtim vetëm çështje të cilat kanë afate për shqyrtimin e tyre, si: kërkesa për pezullim të ekzekutimit të vendimeve, kërkesa për përcaktim të juridiksionit dhe kompetencës, masa të sigurimeve (penale), dhoma këshillimi ku kërkohet pjesëmarrja e tre gjyqtarëve”, -shprehen për gazetën “Mapo” burime zyrtare të Gjykatës së Lartë. Sipas të dhënave zyrtare, në fundin e vitit 2018 u regjistruan 28 863 dosje të reja dhe të mbartura, ndërsa deri më tani numri i tyre ka shkuar rreth 30 000. Në vitin 2017 u mbartën 22 000 dosje, ndërsa të reja erdhën edhe 8536 dosje, prej të cilave u shqyrtuan në total 1673 dosje, penale, civile dhe administrative. Mesatarja vjetore e shqyrtimeve gjyqësore në katër vitet e fundit është rreth 5000 dosje të shqyrtuara në vit. Fakti që për vitin 2018 janë shqyrtuar vetëm 1673 dosje ka ardhur pas shkarkimeve nga detyra të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të cilët nuk kaluan vettingun. Për “optimistët qeveritarë”, ata ishin “djalli brenda djepit” në sistemin e drejtësisë, por pasojat ranë drejtpërdrejtë mbi qytetarët, që kanë vite e vite që presin verdiktin e fundit nga gjykata supreme, por ajo kurrë nuk po u vjen. Kjo ka sjellë edhe një pengesë të fortë që disa çështje të merrnin udhën drejt Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Koha kur do të nisë plotësimi i vendeve të gjyqtarëve dhe vijimi i punës normale nuk është në gjendje ta thotë kush. Burime pranë Gjykatës së Lartë shprehen se në momentin e funksionimit normal, do të duhen të paktën gjashtë vite që të përfundojë mali i madh i dosjeve që kanë më shumë se dhjetë vite që presin dhe sërish shtohen çdo ditë. Në një mesatare të përllogaritur janë rreth 9000 çështje që bëhet rekurs brenda një viti. Me ritmet e deritanishme të institucioneve të reja të drejtësisë mendohet se Gjykata e Lartë mund të nisë funksionimin normal në vitin 2020, deri atëherë shifra e dosjeve të mbartura dhe të reja do ketë shkuar në rreth 40 mijë, që edhe “engjëjt” e drejtësisë së re, do e kenë të vështirë të kapin ritmin për të dhënë drejtësinë e munguar dhe shumë të vonuar ndaj qytetarëve.

Kushtetuesja nuk ekziston

Nëse në Gjykatën e Lartë kanë mbetur tre gjyqtarë që shqyrtojnë rastet e vendimeve me afate, në Gjykatën Kushtetuese vetëm godina mbahet në këmbë, edhe pse me hije të rëndë. E fundit dalje e ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja ishte një konferencë shtypi, ku ndërsa u pyet për procesin e vettingut në KPK u shpreh: “Të kaloje vettingun ishte si të kaloje varrin për së gjalli”. Me shpresën se e kishte siguruar me mundim konfirmimin në detyrë edhe Dedja ra para tre muajsh, kur Kolegji i Posaçëm i Apelimit e shkarkoi përfundimisht nga detyra. Nga nëntë anëtarë të saj sot nuk ka asnjë, e vetmja që kaloi vettingun ishte Vitore Tusha, por është me mandat të përfunduar, e për më tepër nuk mundet ligjërisht të mbajë në këmbë një institucion që vetëm emrin ka. Me shumë mund Gjykata Kushtetuese deri para nisjes së procesit të vettingut funksiononte, pasi plotësohej kuorumi prej pesë anëtarësh. Por shpejt ra. Të gjithë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk kaluan vettingun, me përjashtim vetëm të gjyqtares së karrierës Vitore Tusha. Kjo situatë ka bllokuar edhe politikën, madje në këtë rast “djallin brenda djepit” mund ta donin për të fituar kredo politike dy “big”-ët e vendit, Ilir Meta dhe Edi Rama. Ishte momenti kur kreu i shtetit Ilir Meta nuk dekretoi Sandër Lleshajn si ministër të Brendshëm. Presidenti e argumentoi se kishte të drejtë kushtetuese refuzimin e një kandidature nëse ajo nuk plotësonte disa nene në kushtetutë, ndërsa kryeministri këmbëngulte se kreu i shtetit kishte detyrim të miratonte çdo propozim që i shkonte për ministër. Po Kushtetuta çfarë thoshte? Kjo iu dha mundësi edhe analistëve politikë të bëheshin ca “konstitucionalistë”, por përgjigjen e vërtetë duhet ta jepte Gjykata Kushtetuese, e cila nuk ekziston.

 


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas