Aktualitet

’30 qershori’ i Ramës bie në Shkodër






               Publikuar në : 10:48 - 14/08/19 |
mapo.al

Kandidati socialist Valdrin Pjetri dukej se e dinte atë që po e priste. Përpara se opozita ta denonconte publikisht, ai kishte kërkuar të siguronte një certifikatë pastërtie nga Italia, e cila në fakt nuk thotë asgjë për të shkuarën e tij në shtetin fqinj. Pas publikimit të dokumenteve të martën nga PD, ai duket se nuk do ta gëzojë karrigen e kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, ku ai nuk është ulur ende. Ishte kjo një tjetër e goditje e rëndë mbi ’30 qershorin’, ditën kur u mbajtën votime pa opozitën. Edhe pse pa opozitën, votimet u kritikuan ashpër nga monitoruesit ndërkombëtarë. Por nuk mbaron me kaq. Në kulmin e vapës, njeriu më i rëndësishëm i socialistëve në Shkodër merr një damkë, e cila duket se do të rrëzojë përfundimisht edhe një proces zgjedhor skandaloz në historinë moderne të Shqipërisë.


Dekriminalizimi

A nuk kanë mbetur shqiptarë që nuk merren me drogë, pyesnin njerëzit në median sociale, të habitur me faktin se pavarësisht se është nën akuzë publike nga opozita dhe mediat më të mëdha botërore se ka përdorur krimin dhe drogën për të blerë zgjedhjet, Edi Rama vazhdon të bëjë sërish të njëjtin ‘gabim’.

Dokumentat e publikuara dje nga Partia Demokratike dëshmojnë se ai ka qenë i dënuar në Itali dhe për më tepër e ka mbajtur të fshehtë këtë dënim. Valdrin Pjetri rezulton të jetë arrestuar më 27 janar 2003 në Firence, dhe një ditë më pas, përpara gjykatës, ka pranuar fajësinë.

“Ai është dënuar nga Gjykata e Firences, me vendimin e formës së prerë të datës 12 qershor 2003, me 18 muaj burg dhe 1000 Euro gjobë, për veprën penale “shpërndarje, prodhim dhe trafikim i lëndëve narkotike dhe lëndëve të tjera të paligjshme psikotrope”, të kryer në bashkëpunim. Për shkak të marrëveshjes së pranimit të fajësisë, gjykata ka urdhëruar pezullimin e dënimit. Më datë 3 shkurt 2003, Valdrin Pjetrit i është revokuar leja e qëndrimit dhe më datë 4 shkurt 2003 ndaj tij është marrë masa e dëbimit nga shteti italian”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi.

Ai deklaroi më tej se “të gjitha këto të dhëna provojnë se Valdrin Pjetri është subjekt ndalimi për të ushtruar një funksion publik nga ligji i dekriminalizimit. Sipas ligjit për dekriminalizimin nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen kryetarë bashkie, personat të cilët janë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për: “Prodhimin shitjen dhe trafikimin e e narkotikëve” dhe “Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen kryetarë bashkie as personat që janë dëbuar nga territori i një shteti anëtar të BE-së”, siç është Italia në rastin e Valdrin Pjetrit, në lidhje me këto vepra penale. Për këtë kategori personash, sipas ligjit të dekriminalizimit (neni 4), ndalimi për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të mandatit, zgjat gjatë gjithë jetës”.

Zoti Pjetri ka mohuar në vijimësi akuzat se ka qenë i dënuar duke deklaruar se “jam mëse i hapur për çdo verifikim”. Ai nxori më pas dhe dy dokumenta të lëshuara nga autoritetet italiane, me anë të të cilave pretendoi pastërtinë e të kaluarës së tij. Por certifikatat flasin për gjendjen aktuale dhe për më tepër që periudha brenda së cilës ai mund të quhej i rehabilituar, ka qenë deri në vitin 2015.
Edhe dje përmes një statusi në Facebook, ai mohoi sërish akuzat, duke u shprehur se “e vetmja e vërtetë është ajo që del nga zyrat e agjencive të zbatimit të ligjit dhe jo nga foltoret e Partisë Demokratike”.

Por në mbrëmje, Zëri i Amerikës raportoi se mundi të verifikojë përmes burimeve të veta se dokumentet e publikuara nga Partia Demokratike janë origjinale, siç ndodhen në regjistrat e autoriteteve italiane.

Kryeministri Edi Rama reagoi përmes një statusi në Twitter pas zhvillimeve të djeshme duke u shprehur se “kurrë s’kam menduar se Valdrini mund të fshehë të vërtetën në raport me ligjin, po deri kur e vërteta ligjore të dalë, Valdrin Pjetri dhe Partia Socialiste i kanë rrugët e ndara plotësisht”. Nuk është e qartë se deri ku shkon kjo ndarje dhe nëse Partia Socialiste do të jetë dakort që Pjetri të marrë apo jo detyrën javën e ardhshme.

Megjithatë shumë analistë e vëzhgues e shohin këtë si një sinjal se rrugët e Valdrin Pjetrit dhe PS-së janë ndarë.

Për rastin e tij, Prokuroria tha dje se ka nisur procedurat e verifikimeve, menjëherë pas denoncimit të dorëzuar pranë saj nga PD-ja, dhe se është në pritje të përgjigjeve drejtuar Interpol-it dhe Europol-it, ndërsa ende nuk ka kërkuar nga zoti Pjetri t’i marrë shenjat e gishtërinjve. Pjetri rrezikon të akuzohet për “Falsifikim të dokumentave zyrtare dhe “Deklarim të rremë”.

Kritikat e forta nga Zëri i Amerikës

Zëri i Amerikës publikoi një raportim me tone të forta pas publikimit të dokumenteve nga opozita për Valdrin Pjetrin, kandidatin socialist për Bashkinë e Shkodrës.

Në raportim thuhet se VOA ka bërë verifikimet e veta dhe rezulton se doumentet që tregojnë se Pjetri ka qenë i dënuar në Itali, janë origjinale.

Jo vetëm kaq, por VOA lëshon kritika ndaj kryeministrit Edi Rama.

Fillimisht thuhet se Pjetri ka qenë në dijeni të këtij fakti, pasi e ka kërkuar certifikatën më 19 korrik, përpara se të nisin denoncimet e opozitës. Ndërkohë më 23 korrik, VOA raporton se Rama i dha një tjetër shenjë besimi dhe mbështetje të fortë duke i besuar drejtimin politik të qarkut të Shkodrës.

“Zoti Pjetri duket se ka qenë në dijeni të faktit se e kaluara e fshehur mund t’i rishfaqej para syve, ndyshe nuk ka si shpjegohet se përse me 19 korrik ai ka kërkuar të marrë certifikatë nga autoritetet gjyqësore italiane, ndërkohë që denoncimet publike të opozitës nisën disa ditë më vonë, në fillim të gushtit, ndërsa më 23 korrik ai mori nga kryeministri Rama dhe një tjetër shenjë besimi dhe mbështetje të fortë “për të përmirësuar drejtimin politik në Qarkun e Shkodrës, atë do ta drejtojë kryetari i ri i Bashkisë së Shkodrës”, raporton VOA.

Më tej, VOA thekson se kostot e përzgjedhjes së këtyre kandidaturave bien mbi Ramën.
“Pavarësisht distancimit që kryeministri duket se po bën, dhe deklarimit të tij se “kosto veprimesh individuale të dyshuara si ky, as marr më, as lejoj më t’i marrë PS”, ky nuk është rasti i parë, dhe fakti që forca që udhëheq vendin nuk arrin dot të gjejë 61 kandidatë ku askush të mos ketë hije mbi të kaluarën është një kosto që kryeministri vetë, si personi që ka dhënë bekimin për secilin prej tyre, e ka tanimë mbi shpinë,” raporton VOA.


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas