Analisti Afrim Krasniqi u shpreh në kuadër të 30 viteve nga lëvizja studentore se, demokracia dhe liria sot nuk funksionojnë në nivelet që duan dhe presin qytetarët.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë me A2, Krasniqi tha se në vend që të rrëzohej mentaliteti i periudhës komuniste, u zëvendësua Blloku me Bllokun e ri.
“Ne ndoshta jemi i vetmi vend ish-komunist që nuk pati asnjë të përndjekur politik në pozita të larta drejtuese, por ish-shtresa e mesme e Partisë së Punës mori në dorë frenat e tranzicionit. Atëherë ishim të varfër, por kishim shumë shpresë. Sot, ka njerëz të pasur, por nuk ka më shpresë. Ky është dallimi themelor”, vijoi Krasniqi.
Në lidhje me integrimin europian, analisti u shpreh: Elitat që qeverisin dhe ata që janë alternativë e tyre, nuk e kanë ëndrrën e Shqipërisë në BE, përsa kohë ndihen komod me mënyrën se si e qeverisin Shqipërinë me marrëveshje midis tyre. Sot ka hendek të madh mes atyre që marrin vendime dhe çfarë qytetarët presin.
Ky është një hendek i madh që perëndimorët nuk e pranojnë dot, sepse ka të bëjë me Shqipërinë reale dhe virtuale. Ne i ofrojmë Perëndimit një Shqipëri të mirë në letër, në ligje, por që nuk i zbaton ato. Nuk ka Gjykatë Kushtetuese, asnjë zyrtar të lartë që përballet me drejtësinë për korrupsion dhe nuk ka garanci që vendi do të ketë stabilitet.
Sipas Krasniqit, psikologjia që dikush nuk na do në familjen europiane, është për konsum të brendshëm dhe nuk i shërben integritetit.
“Kur BE-ja të thotë “Duam Gjykatë Kushtetuese” dhe nuk shikon asnjë lider politik që të dalë në konferencë dhe të kërkojë të njëjtën gjë, do të thotë se ata që e kanë në dorë ta bëjnë këtë gjë, nuk duan ta bëjnë. Madje, kanë nxjerrë tezën, siç është teza aktuale e kryeministrit, që vendet europiane kanë probleme zgjedhore dhe ne jemi peng i këtyre problemeve. Kjo është tezë e vitit 1989, duhet ta kishim lënë pas”, – tha analisti.