Deri me atë kohë, s’kisha shfaqur ndonjë interes për gazetat. Dhe s’kish se si, jo vetëm që isha adoleshent por propagandën komuniste e dëgjoja çdo ditë në lajmet e televizorit bardhezi model “Lura” për të cilin dhe pas 10 vjetësh im atë nuk kish shlyer dot borxhin për ta blerë… kushtonte 45 mijë lekë të vjetra aq sa merrte në një vit punë. I vinte keq teksa shikonte fëmijët që bridhnin derë më derë komshinjve për të parë ato palo programe që ofronte TVSH e asaj kohe. Në diell e në të ftohtë sapo vinte ora 6 e mbrëmjes, me agjendë të përcaktuar do i zinim derën ndokujt prej fqinjëve.
Shpesh shkonim tek Isai, një burrë babaxhan e shtatlartë, me origjinë nga Kosova. S’e prishi kurrë zemrën megjithëse shtëpia i kthehej në kopsht fëmijësh ndërsa të tijtë i kishte të rritur. Gruaja e tij Havaja, me një pamje fisnike mundohej të na gostiste me ç’t’i gjendej, qoftë dhe me ndonjë gotë ujë me sheqer.. Të parat ishin lajmet, pastaj ndonjë program me demek për fëmijë, më pas sërish lajme dhe ishte fat i madh në rast se mbas orës 8.30 të jepej ndonjë film me Herkulin ose Macisten. Të mërkurave përgjithësisht jepej muzike simfonike, ose filma revolucionarë, si fjala vjen “E dashura ime Libera”, që s’e mbaj mend mire se për çfarë fliste por që ishte goxha i mërzitshëm… aty na zinte dhe gjumi në qilimin e shtëpisë së Isait deri sa vinin prindërit e na merrnin…
Atë ditë të 5 janarit dola që në 7 të mëngjesit. Shtëpinë e kisha te fusha e Ali Demit…. Në fillim ndalova para shkollës Ismail Qemali, por më thanë që aty kish mbaruar që në orën 6. Me sa duket nga radha e qumështit njerëzit kishin zënë radhë dhe për gazetën, që në 2 të mëngjesit. Vazhdova më tej… herë pas here shikoja me zili ndokënd që kish blerë atë fletushkë dhe po e lexonte me nge mbështetur pas ndonjë muri apo duke ecur. Afër “Ushtarit të panjohur” diku në kryqëzim sapo kaloje kinema Partizanin, ndodhej një tjetër kioskë gazetash. Grumbulli i njerëzve ishte shumë i madh… aq i madh sa shitësit trupvogël që kish dalë jashtë po i zihej fryma. Në fakt na thanë që kishin shkuar të sillnin kopje të tjera se të parat kishin firuar. Ishte një dite gri, pa diell…. m’u afrua një tip që më tha se nëse doja të blija gazete duhet të paguaja 250 lekë të vjetra… i thashë se kisha vetëm 100 lekë. Ma ktheu që as bëhej fjalë për aq…
Kaloi një gjysmë ore dhe një i ri trupmadh me flokë të gjatë dhe pak mjekër, që kisha afër filloi t’u hakërrehej matrapazëve që si hienat qëndronin rrotull kioskës. “Në rast se unë nuk marr sot gazetën do ju bëj juve gazetë” u tha atyre… ata s’u ndjenë, me sa dukej e njihnin, duhej të ishte ndonjë nga të çarturit e kohës. M’u duk sikur gjeta një fije shprese, ju afrova… “M’i merr dhe lekët e mija dhe me bli një kopje, se mua s’ka për të më ardhur radha…” i thashë. Uli kokën më pa hodhi dhe sytë nga 100-lekëshi jeshil dhe më tha:
-Shko bëji lekët tamam se s’do rri të merrem me ty.
– S’ka gjë mbaji të gjitha.
– Ik bëji tamam e mos më çaj trapin.
Shkova me vrap te një dyqan buke afër dhe i bëra dy pesëdhjetëshe, ia lashë në dore njërën. Pas ndonja 15 minutash erdhën dy persona me biçikleta dhe me nga një vandak gazetash në zgarën e pasme. Djali trupmadh, hyri i pari mes turmës që u harbua dhe mes të shtyrave e bërtiturave doli prej andej me katër kopje.
– Na tënden- tha dhe iku!
E mora në dorë dhe e hapa! Titulli i parë ishte “fjala e parë”. Në çdo germë ndihej era e lirisë. Ishin ato fjalët që thuheshin nën zë në shtëpinë time nga shokët e tim eti, ato fjalë të cilat plot mllef i artikulonte ime më, i thoshte me zë të ulët sa herë shihte djajtë e kuq në televizor, ato fjalë që i kisha dëgjuar nga im gjysh, nga fqinjët por sot po i lexoja i lirë, të shkruara e zeza mbi të bardhë. Poshtë Enver Hoxha, poshtë Diktatura, sa njerëz ishin burgosur dhe vrarë vetëm se kishin guxuar të mendonin. Isha vetëm 16 vjeç! Ngrita dhe një herë kokën për të falënderuar djalin trupmadh por e pashë teksa largohej duke pedaluar si me nge biçikletën 28-she kineze me gazetat nën sqetull….