Aranit Muraçi
Dy janë kriteret që çmimi i energjisë të mbetet i pandryshuar: moti dhe fakti sesa energjia elektrike do të kursehet nga qytetarët. Kështu të paktën premtoi kryeministri Edi Rama, teksa anuloi katërfishimin e çmimit më 1 tetor, për cilindo që do të kalonte fashën 800 kWh. Të dyja këto kritere vështirë se do të plotësohen, sepse edhe në vitin me më shumë reshje, Shqipëria nuk i ka plotësuar nevojat e saj energjetike. Nga ana tjetër, energjia që prodhohet nga hidrocentralet dhe TEC-et përdoret si burim kryesor energjetik nga konsumatorët shqiptarë.
Dhe te menaxhimi i sistemit energjetik qëndron e tëra paaftësia e të gjitha qeverive post-tranzicion. Mjafton për të provuar këtë, që të shihen dhe të verifikohen faturat e pashlyera për energjinë, që i kanë vetë institucionet shtetërore kompanive energjetike shtetërore.
Shqipëria shet energji në raste të rralla, kur ka reshje të bollshme dhe tepricë. Por në tilla raste në bursa çmimi është i lirë, sepse edhe vendet e tjera fqinje duan të shesin. Ndërsa blen energji kur kërkesa është e madhe dhe si pasojë çmimi rritet në bursa. Ndërkohë që çdo familje, në të gjitha vendet e BE-së, veç shërbimit për ngrohje me kaldaje ose edhe me gaz, kanë edhe panele diellore.
Biznesi në vendet e BE-së punon me gaz, ndaj edhe lufta në Ukrainë e ka futur këtë sektor në krizë, sepse gjithçka duket se do të varet nga furnizimet ruse. Kompanitë dhe fabrikat e mëdha nuk përdorin energji elektrike, ndërsa në Shqipëri duke qenë se qeveritë kanë abuzuar me një të mirë të përbashkët publike, është kjo arsyeja që energjia elektrike përdoret si alternativa e parë për konsum si në biznes, ashtu edhe nga familjarët, për ndriçim, për gatim, për ngrohje, ftohje, larje, shplarje etj.
Energjia elektrike që prodhohet nga TEC-et është luks, në çdo vend të Europës dhe prandaj është e shtrenjtë. Franca e cila prodhon energji nga centralet bërthamore ndodhet para një krize të rëndë energjetike aq sa ka paralajmëruar konsumatorët se do të njoftohen për të tre skenarët gjatë dimrit, me qëllim që të përgatiten edhe për ndërprerje të energjisë.
Ndërkaq, 34 mln euro i ka kushtuar Korporatës Elektro-energjetike Shqiptare blerja e fundit e energjisë, që do të shërbejë për plotësimin e nevojave konsumatore në periudhën 1-31 tetor. KESH ka realizuar blerje energjie me bazë mujore, duke qenë se deri më tani blerjet janë kryer me baza ditore ose javore, pas luhatjeve të çmimeve të energjisë në bursë. Në total, KESH njofton se ka blerë 74.500 Mwh, duke siguruar të gjithë sasinë e kërkuar, teksa çmimi mesatar arrin në 455.24 euro/Mwh. Sipas të dhënave nga Bursa Hungareze, që shërben si referencë për Shqipërinë, më 29 shtator blerja u mbyll me një çmim mesatar prej 425.25/Mwh, që do të thotë se çmimi me afrimin e dimrit rritet.
Shqipëria nga ana e saj e shpërdoron energjinë nga keq-menaxhimi historik i këtij sektori dhe më tej detyrohet të importojë nga 1 deri në 3 milion euro energji në ditë (1 milion euro kur ka shira dhe 3 në kohë thatësire). Dhe në një situatë të tillë, rritja e çmimit të energjisë elektrike, pritet të jetë thjesht çështje kohe për vendin tonë. Shtyrja besohet se ka ardhur nga rreziku i mbylljes së bizneseve që nuk po e përballojnë dot rritjen e çmimit. Në vend që si nga biznesi, ashtu edhe familjet, të gjendeshin alternativa dhe burime të tjera energjetike, përmes politikave të shëndosha ekonomike-qeverisëse, sot jemi para një situate, si në kohe “lufte”. /Liberale.al