Gjatë vitit 2017 janë përgjuar 3575 persona si të dyshuar për përfshirje në vepra të ndryshme penale, kryesisht në trafiqe dhe korrupsion.
Përgjimet janë kryer për llogari të 723 procedimeve penale. Këto të dhëna pasqyrohen në raportin e parë të kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku, mbi ngarkesën e punës së prokurorive. “Gjatë vitit 2017 janë ekzekutuar gjithsej 2429 vendime për përgjim të autorizuara nga gjykata në hetimet paraprake, aplikuar në lidhje me 723 procedime penale. Nga këto, 204 procedime penale kanë qenë në kuadër të hetimeve të prokurorisë për krime të rënda. Për sa më sipër është mundësuar interceptimi për 3575 persona të dyshuar si të përfshirë në vepra penale”, thuhet në raport.
Në dokumentin e prokurorisë thuhet gjithashtu se janë 76 zyrtarë të shtetit, subjekte të ligjit të dekriminalizimit, po verifikohen në mënyrë të thelluar, për të shkuarën e tyre të mundshme kriminale. “Sektori i Verifikimit të Integritetit të Personave që Zgjidhen, Emërohen ose Ushtrojnë Funksione Publike pranë Prokurorisë së Përgjithshme, gjatë vitit 2017, ka administruar 563 raste për verifikim të thelluar. Gjatë kësaj periudhe, për 487 subjekte vetëdeklarues është përfunduar verifikimi dhe janë përcjellë rezultatet e verifikimit, raporton Shqiptarja.com.
Gjatë vitit 2017, prokuroria ka shpallur në kërkim ndërkombëtar gjithsej 260 shtetas dhe ka kërkuar që Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana të procedojë me heqjen e 140 subjekteve nga listat e kërkimit ndërkombëtar. “