Kronika

‘4 grupe kriminale’, Zëri i Amerikës: Shkodra e goditur nga krimi





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 21:46 - 01/04/19 |
mapo.al

Situata e sigurisë në qytetin e Shkodrës vazhdon të jetë e rënduar pas vrasjes të shtunën të dy vëllezërve Bilali, vrasje që e çuan në 9-të numrin e të vrarëve brenda dhjetë muajve të fundit. Në një takim të zhvilluar të hënën në Shkodër, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj foli për krim të organizuar dhe se rreth 20 përqind e vrasjeve në shkallë vendi ndodhin në Shkodër. Ndërsa Kryetarja e Bashkisë, Voltana Adeni, tha se jo vetëm qytetarët, por edhe ajo ndjehej e frikësuar nga vrasjet që kanë përfshirë këtë qytet. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo, përgatiti kronikën në vazhdim:


Dy ditë pas vrasjes në Shkodër të dy vëllezërve Bilali, ngjarje kjo që e çoi në nëntë numrin e të vrarëve brenda dhjetë muajve të fundit, ende nuk ka asnjë të dhënë mbi autorët e krimit. Në përpjekje për të vënë nën kontroll situatën, është ndryshuar Drejtori i Policisë së Shkodrës, ndërsa ekspertë të zbulimit të krimeve kanë përforcuar policinë vendore.



Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, ishte përsëri të hënën në Shkodër, për të dytën herë pas vrasjeve, në një takimin të zhvilluar në mjediset e prefekturës , ku Kryetarja e Bashkisë, Voltana Ademi, u shpreh se ndjehej edhe ajo e frikësuar nga pasiguria e krijuar në qytet.


“Po shkojmë drejt një pasigurie absolute, gjë që është e frikshme për të gjithë qytetarët. Në radhë të parë jemi qytetarë, familjarë dhe kemi edhe përgjegjësi.”- tha zonja Ademi.

Kryetarja Ademi tha se shteti e ka në dorë dhe duhet të parandalojë përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës së krimit në Shkodër.

“Fakti që kemi nëntë vrasje dhe dy të zhdukur dhe nuk është zbuluar asnjë, nuk janë bërë veprime për t’i parandaluar, ky është shqetësimi im më i madh. Detyra jonë është që të mos i lëmë të hanë kokat e njëri-tjetrit. Duhet të parandalojmë me sa fuqi që të kemi, me investime, infrastrukturë, etj, që policia duhet t’i gjejë mënyrën për ta bërë të mundur gjetjen e autorëve të krimeve,”- tha ajo.

Video: Momentet kur Asmer Bilali takohet me njerëzit në varrim

Për Ministrin Lleshaj, niveli i sigurisë në Qarkun e Shkodrës është sfiduar disa herë gjatë viteve të shkuara dhe se ka patur goditje të forta dhe të rënda në drejtim të sigurisë publike, që janë produkt i një krimi të organizuar dhe të pjekur ndër vite.

Shkodra gjeneron një pjesë të madhe të krimit në nivel kombëtar. Rreth 20 përqind të vrasjeve në shkallë Shqipërie i prodhon vetëm Shkodra si qytet. Është një paradoks krejtesisht i papranueshëm për ne si qeveri, si qytetarë, si Shkodër.

“Megjithë goditjet që i janë dhënë krimit, – tha Ministri Lleshaj, – ende lufta ndaj tij mbetet një sfidë e madhe.” Minisitri Lleshaj tha se nuk ka asnjë hapsirë për të patur frikë nga krimi, përderisa të gjithë bashkojnë energjitë për t’ju vënë përballë duke mos e nxitur atë, as përmes heshtjes apo mosbashkëpunimit.

“Ne do t’i fuqizojmë kapacitetet e policisë këtu në Shkodër. Do të mobilizojmë burime edhe nga policitë e rretheve veriore, me synim që siguria në Shkodër të arrijë parametrat optimalë, jo vetëm në shifra, por edhe në perceptim. Sepse, i rëndësishëm është perceptimi. Nuk duhet të ndjejmë frikë sepse, nëqoftëse ndjen frikë Kryetarja e Bashkisë, atëherë kemi një problem të madh.”

MInistri Lleshaj, i cili ishte në Shkodër të shtunën vetëm pak orë pas vrasjes së dy vëllezërve Bilali, deklaroi se pista kryesore që po ndiqet nga policia për zbardhjen e vrasjeve është “ajo e larjes së hesapeve”.

Ndërsa policia e Shkodrës, e pyetur nga Zëri i Amerikës mbi ecurinë e punës së stukturave të policisë për zbardhjen e vrasjeve të fundit dhe, nëse ka deri tani ndonjë pistë hetimi, bëri të ditur se “hetimet vijojnë, por për shkak të sekretit hetimor nuk mund të jepen detaje”.

Rreth një vit më parë, ish-Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, pati deklaruar se në Shkodër veprojnë 4 grupe kriminale, por pa identifikuar asnjërin prej këtyre grupeve.

Në të vërtetë, grupet kriminale që veprojnë në Shkodër kanë një histori më shumë se 25 vjeçare, mbushur me vrasje, kërcënime, trafik të drogës, prostitucion, rrëmbim të pronave, etj. Gjatë viteve, disa prej grupeve u larguan nga skena pas vrasjes së drejtuesve të tyre. Mbijetuan grupet më të fuqishme, ato që ishin organizuar në bazë familjesh. Veprimtaria dhe mbijetesa e tyre deri më sot i dedikohet mosndërhyrjes në territoret dhe veprimtarinë e njëri-tjetrit dhe aftësisë për të mbështetur grupimet politike, herë të majta e herë të ndjathta, sipas rotacionit në qeverisje.

Por, qetësia mes grupeve u përmbys në 13 janarin e vitit të kaluar, pas një atentati me lëndë shpërthyese të telekomanduar ndaj biznesmenit Lulzim Kulla. Sipas policisë, ai ishte një figurë e njohur e krimit në Shkodër. Në këtë atentat, të kryer fare pranë tregut më popullor të qytetit, mbetën të plagosur 8 persona, mes të cilëve edhe vetë Kulla.

Ngjarja u pasua nga atentate të njëpasnjëshme ku, deri tani, kanë mbetur të vrarë 9 persona, ndërsa dy të tjerë figurojnë të zhdukur.

Në shtator të vitit të kaluar policia nisi me shpejtësi operacionin “Oazi” për shkatërrimin e njërit prej grupeve më të fuqishëm, grupit Bajri. Operacioni policor, një ndër më të mëdhenjtë e zhvilluar vitet e fundit në Shqipëri, u shtri në Shkodër, Tiranë, Spanjë dhe Roterdam të Holandës, duke çuar në arrestimin e 12 anëtarëve të këtij grupi, përfshirë edhe drejtuesit e tij. Kjo duket se qetësoi për disa muaj situatën e rendit në qytetin e Shkodrës, derisa në mëngjesin e të shtunës, 30 mars 2019, u vranë dy vëllezërit Bilali, ngjarje kjo që risolli në vëmendje deklaratën e ish-Ministrit Xhafaj se në Shkodër vepron jo një, por katër grupe kriminale.

Ndryshe nga sa pritej, operacioni policor i koduar “Oazi” nuk i dha fund vrasjeve dhe as hakmarrjes mes grupeve kriminale të Shkodrës. Këtë e pranoi edhe vetë Ministri Lleshaj në ditën e vrasjes së vëllezërve Bilali, kur tha se “ Megjithë goditjet që i janë dhënë krimit në Shkodër, prapë rezulton që lufta ndaj këtij krimi nuk është fituar ende. Metastazat e këtij krimi treguan se janë gjallë dhe kanë mundësi të godasin”, – tha Ministri Lleshi.


Etiketa: , , , , ,

Pas