Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në mesnatë në Velipojë, ku katër persona u vranë dhe dy të tjerë u plagosën pas përplasjes me armë.
Kryedemokrati e konsideron cinik postimin e sotëm të Edi Ramës në rrjetet sociale, ku kreu i qeverisë shpërndau pamje nga bregdeti i Velipojës, postim që u fshi më vonë nga “Facebook”-u i kreut të qeverisë.
Në deklaratën e tij në Twitter, kreu i selisë blu thekson se shteti është gjunjëzuar para krimit të bërë njësh me pushtetin e korruptuar.
“Kur policia reduktohet në vegël të regjimit për të mbrojtur pushtetin dhe lidhjet me krimin, kur përgjigja e vetme sa herë përgjaken qytetet tona është “hëngshin kokat e tyre”, jeta e qytetarëve, fëmijëve dhe familjeve shqiptare është në rrezik.
Me postimin cinik si i sotmi pas masakrës së Velipojës, përgjegjësi për këtë situatë nuk e fsheh dot përgjegjësinë e tij, por vetëm rikonfirmon gjunjëzimin e shtetit para krimit të bërë njësh me pushtetin e tij të korruptuar deri ne palcë”, shkruan Basha.