Kryesore

4 vrasje?! Na lini rehat, kemi hallin e Lelit














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 17:14 - 27/06/21 |
Mapo.al

I mpirë është publiku nga ngjarja e një nate më parë në Velipojë, ku u vranë 4 vetë pas konfliktit per hapësirën e çadrave në plazh. Njerëzit po turfullojnë, po pyesin, po kruajnë kokën. Kjo zezonë, kur ende nuk e patën marrë veten nga një aksident tragjik me po 4 viktima.






E prapë, në mesin e gjindjes së pashqetësuar nga kjo dramë, ka plot që nuk janë prekur dhe qajnë hallin e tyre. Një sosh është Edi Rama, i cili, e mbushi hapësirën mediatike me problemin më të madh që ka vendit sot, që sipas tij është raporti personal me kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.


Kryeministri na e shpalli si prioritet kombëtar.







Po para se të dilte tek kjo çështje, ai paska shpjeguar se përse zgjodhi të jetë deputet i Durrësit, dhe jo i Vlorës.



Këto janë simptomat e një pushteti jo vetëm të mbingopur, dembel e obez privilegjesh e tenderash (ndryshe zyra e tij e shtypit do ishte kujtuar të hiqte postimin e mengjesit me pamje nga plazhi i Velipojës teksa atje kish ndodhur masakra), por sidomos të një pushteti arrogant, fodull, pa asnjë lidhje me realitetin.



Bosi i rilindjes vazhdon të jetë i bindur se janë njerëzit, shqiptarët që duhet të shkojnë pas humorit dhe axhendës së tij, dhe jo ai pas halleve dhe sfidave që kanë ata çdo ditë.

Nëse ai shpall se Leli është kauza, dhe dekreti i tij për të bekuar cilin qytet do të përfaqësojë, është tema e ditës, habi e madhe pse të tjerët merakosen për hiçmosgjë, siç është siguria e jetës.

Në ditën kur 4 vetë janë ekzekutuar për shkak se nuk ka shtet, nuk ka besim në zyrat dhe institucionet publike se zgjidhje nuk vjen nga andej, Edi Rama e fton popullin të ushqehet me vendimin e tij monumental, për t’u larguar nga Vlora e për të shelbuar Durrësin.

Në mos mjaftoftë kjo, atëherë shërbehet pjata tjetër kryesore, pas sallatës. Konflikti i tij tërësisht vetiak me Dritan Lelin.

Kjo indiferencë, ky mosreagim, është skandaloz dhe jo me pak pasoja. Ngjan se njeriu më i pushtetshëm në vend pranon në një farë mënyrë se këto çështje nuk i përkasin atij e qeverisë që drejton, dhe rrjedhimisht; njerëzit le t’i zgjidhin vetë.

Nuk ka sot emergjencë që do të kërkonte gjithë energjinë, vemendjen, dhe përkushtimin e një kryeministri, se sa rendi, dhe pasojat që ka sjellë ngjarja e Velipojës.

Po ne thjesht duhet të kujtohemi se nuk kemi ç’presim nga dikush që pushtetin e ka për vete dhe miqtë. Nga dikush që nuk jep llogari. Aq më tepër, kur jetojmë në epokën; s’kemi parë gjë akoma.

1


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas