Çdo vit 40 gra humbin jetën nga kanceri i qafës së mitrës, ndërsa diagnostikohen 130 raste të reja. Mjekët gjinekologë iu bëjnë thirrje grave të bëjnë kontrolle për praninë ose jo të Human Papilloma virus.
Sipas tyre, nëse kapet në kohë, shpëton jetë. Ky kancer zë vendin e dytë, si shkaktar që iu merr jetën grave.
“Kanceri i qafës së mitrës mund të prevenohet nëpërmjet një ekzaminimi të thjeshtë, i cili duhet ta kryejë te gjinekelogu. Në qendrat Shëndetësore bëhet falas dhe na vjen ne përgjigjia. Nëse ka qeliza të virusit ne e dërgojmë për kolposkopi”, thotë mjekja gjinekologe Lindita Myzyri për Top Channel.
Sipas një plani kombëtar të Institutit të Shëndetit Publik, depistohen për human papiloma virus gratë të moshës 35 deri në 65 vjeçe, por nuk mungojnë edhe vajza të reja të infektuara me këtë virus.
“Më kanë dalë edhe moshat e reja, por që kanë qenë në fazat e para. Unë ua them të gjitha grave, një herë në 6 muaj duhet të bëjnë një vizitë të gjinekologu”, shton mjekja.
Kjo analizë e HPV rekomandohet të bëhet një herë në tre vjet 80% e vdekjeve për shkak të human papiloma virus konsiderohen të parandalueshme dhe rreth 75% e tyre ndodhin para moshës 70 vjeç.