Firmëtarët e vdekjes
Më 17 korrik mbushen plot 44 vjet nga ekzekutimi i dy poetëve Genc Leka e Vilson Blloshmi. Poetët u ekzekutuan në mesnatë me urdhër të ministrit Kadri Hazbiu. Terroristët e Tiranës. Një ditë më parë, terroristët e Tiranës, Presidiumi i Kuvendit Popullor refuzoi kërkesën e tyre për faljen e jetës dhe firmosën që dy poetët Genc Leka e Vilson Blloshmi duhet të vdisnin.
Ja dhe procesverbali dhe urdhri i ekzekutimit të ministrit të Punëve të Brendshme Kadri Hazbiu:
PROCESVERBAL
I mbajtur në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor ne datën 16.07.1977, ditë e shtunë, ora 9.00
– në mbledhje marrin pjesë shokët: Haxhi Lleshi (kryetar), Spiro Koleka, Shefqet Peçi (nënkryetarë), Telo Mezini (sekretar), Muharrem Sefa, Naumka Bozo, Nuredin Hoxha, Pilo Peristeri, Rrapo dervishi, Zina Franja, Maliq Sadushi (anëtarë).
– Paraqitet rendi i ditës si vijon:
1. Propozime për dekorime,
2. Kërkesa për dhënien e shtetësisë shqiptare
3. Kërkesë për falje dënimesh
Kryetari: Siç e shikoni, rendin e ditës e kemi më të shkurtër kësaj radhe. Është menduar që të bëhet kjo mbledhje mbasi janë dy të dënuar me vdekje që të mos rrinë kështu këta, as të pushkatuar, as të falur, si do të vendosë presidiumi. Disa shokë janë në pushim prandaj mungojnë. Shoku Shefqet e shoku Pilo erdhën, megjithëse patën pushim. Meqenëse përbëjmë shumicën mund të fillojmë. Në qoftë se jemi dakord me këtë rend dite fillojmë.
Merret në shqyrtim pika e tretë e rendit të ditës:
– Kërkesa për falje dënimesh
Shoku Telo Mezini: janë dy dënime me vdekje:
1. Genci Bardho (Feimit) Leka,
2. Vilson Sami Blloshmi
Të dy janë nga fshati Bërzeshtë e Librazhdit dhe janë dënuar me vdekje (pushkatim) se në bashkëpunim me njëri – tjetrin krimet e sabotimit ekonomik dhe të agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor. Të dy kanë kërkuar faljen e jetës.
Kryetari: Këto familje Leka e Blloshmi kanë qenë armiq edhe gjatë luftës Nacionalçlirimtare. Këta janë armiq të Atdheut dhe të Socializmit.
Genci Bardho (Feimit) Leka,
Vilson Sami Blloshmi
Të dënuar me vdekje (pushkatim) u refuzohet kërkesa për faljen e jetës.
Mbyllet mbledhja,
Tiranë, më 16.7.1977
Sekretari i Presidiumit
Telo Mezini
URDHEROJ:
Të dënuarit Genci Bardho (Feimit) Leka dhe Vilson Sami Blloshmi të ekzekutohen me vdekje (pushkatim), në vendin e caktuar në datën 17.7.1977, ora 24.00.
Për ekzekutimin e tyre ngarkoj Degën e Punëve të Brendshme Librazhd.
Para se të ekzekutohen të njoftohen të dënuarit se kërkesat e tyre për faljen e jetës janë refuzuar nga presidiumi i Kuvendit Popullor.
Mbas ekzekutimit, i ngarkuari me këtë punë duhet të bëjë procesverbalin e ekzekutimit të vendimit që mban edhe fjalën e fundit të të akuzuarve, i cili i dërgohet Drejtorisë së Hetuesisë.
Ministri i Punëve të Brendshme
Kadri Hazbiu
Urdhri i ekzekutimit
Genc Leka dhe Vilson Blloshmi kishin “mëkatuar”, sepse kishin guxuar të shkruanin poezi, ku regjimi nuk dihet se ç’rrezik dallonte mes rreshtash. Letërsia shqipe humbi dy poetë të kulluar, ndërsa shoqëria shqiptare dy intelektualë me ide perëndimore e largpamës. Genc Leka dhe Vilson Blloshmi bënin pjesë në radhët e familjeve kundërshtare të regjimit komunist. Për këtë arsye u përfshinë në një proces agjenturialo-operativ të Sigurimit dhe më pas hetimor-gjyqësor të hetuesisë e gjykatës.
-Genc Leka (1941-1977), ishte 36 vjeç kur u ekzekutua. Prej vitit 1959 ishte vënë në përpunim të organeve të Sigurimit të Shtetit. U arrestua më 31.8.1976.
-Vilson Blloshmi (1948-1977), ishte 29 vjeç kur u ekzekutua. Raportimet e para për të nga Sigurimi janë nga viti 1966, ndërsa ndjekja aktive është nga viti 1970. U arrestua më 5.8.1976.
Çështja e trajtimit të tyre në një proces agjenturialo-operativ të centralizuar nis në maj 1975. Regjimi kërkoi të lidhte gjoja “sabotimet” në kooperativë me një grup “armiqsh” nga familje kulakësh, në krye të të cilëve qëndronin intelektualë si poetët Blloshmi e Leka. Për këtë arsye u nxorën në gjykim 8 të pandehur, një pjesë e të cilëve u përdorën për të dënuar të ekzekutuarit (formulë e njohur kjo e proceseve komuniste).
Vëllai i Vilsonit, Bedri Blloshmi u arrestua më 3.4.1976. Pas një hetuesie të gjatë e barbare, gjyqi ndaj tyre në kinemanë e Librazhdit ishte një demonstrim i urrejtjes klasore, një triumf i ligësisë ndaj të drejtës e moralit njerëzor.
Për vite me radhë këtë çështje e ka zbardhur me përkushtim të veçantë, Bedri Blloshmi (i dënuari i tretë i këtij procesi), vëllai i Vilsonit, i cili arriti të zbulojë vendpushkatimin e tyre, si dhe të grumbullojë një dokumentacion të bollshëm, një pjesë të së cilit e ka botuar.
Procesi ndaj poetëve u zhvillua në Librazhd më 6-13 qershor 1977. Me vendimin nr.45, datë 13.6.1977 Gjykata e Rrethit Librazhd, i dënoi poetët me vdekje, pushkatim dhe Bedri Blloshmin me 25 vjet burgim.
U la në fuqi nga Gjykata e Lartë me vendimin nr.202, datë 2.7.1977. Më 16.7.1977 Presidiumi i Kuvendit Popullor njoftoi refuzimin e faljes së jetës. Një ditë më pas, ministri i Punëve të Brendshme nxjerr urdhërekzekutimin, i cili realizohet më 17.7.1977.
Ky është urdhri për ekzekutimin e Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit, firmosur nga Kadri Hazbiu me 16 korrik 1977.
Vetëm një ditë pas këtij urdhëri, si sot 41 vjet më parë, dy poetët nga Librazhdi do të pushkatoheshin. Nga kërkimet e bëra, nuk është arritur të gjendet procesverbali i fjalës së fundit të poetëve.