Aktualitet

45 vite në ekran, Meta dekoron gazetarin Dhimitër Gjoka














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 18:46 - 27/09/21 |
mapo.al

Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekoroi sot me Titullin “Mjeshtër i Madh” folësin, gazetarin, moderatorin dhe regjisorin e mirënjohur, Dhimitër Gjoka: “Në vlerësim të punës shumëvjeçare dhe kontributeve të tij të vyera si folës, moderator dhe regjisor. Me mirënjohje ndaj kontributit të spikatur si profesionist, i çili me zërin e tij energjik dhe aftësinë e rrallë në drejtimin e shumë emisioneve të lajmeve, u shndërrua në njërën prej figurave më të dashura të publikut shqiptar”.






Kryetari i Shtetit, duke iu drejtuar të pranishmëve në ceremoninë solemne, u shpreh:


“Jam i lumtur, që jemi sot së bashku, për të vlerësuar një personalitet shumë të njohur dhe të dashur të ekraneve tona, zotin Dhimitër Gjoka, regjisor, botues, moderator, gazetar, aktor dhe sidomos si folës i lajmeve prej dekadash.







Në karrierën e tij të gjatë 45-vjeçare, ai ka kontribuar me dhjetra artikuj, skenarë filmash televizivë dhe dokumentarë, skenarë programesh televizive, libra, prezantime festivalesh dhe eventesh kulturore.




Zoti Gjoka, është një nga figurat më jetëgjata të ekranit, është referimi, jo vetëm për kolegët e tij, por, veçanërisht për brezat e rinj, që dëshirojnë të ndërtojnë një karrierë të gjatë, të suksesshme dhe të qëndrueshme në fushën e medias dhe televizionit.



I diplomuar si regjisor në Institutin e Lartë të Arteve, Dhimitri qëndronte midis regjisurës dhe aktrimit.

Por ëndrra e tij për skenën mbeti pezull, sepse Televizioni Shqiptar kishte bërë një zbulim të rëndësishëm, kishte zbuluar një zë të dashur për teleshikuesit.

Televizioni i dha Dhimitrit njohjen e gjerë në publik, vlerësime, por dhe mundësinë për të hapur dyer të tjera gjatë karrierës së tij të gjatë. Ndërsa moderimi i dha kënaqësinë e emocioneve të pastra dhe të drejtpërdrejta.

Ndërkohë, eksperienca e grumbulluar në vite dhe dekada, bashkëpunimet e ndryshme, vitet e punës i dhanë mundësinë të hidhte firmën e tij në shumë skenarë, emisione, spektakle, dokumentarë dhe libra.

Dëshiroj të përmend gjithashtu, kontributin e madh të zotit Dhimitër Gjoka, në artikulimin dhe ruajtjen e pastërtisë së gjuhës shqipe. Timbri i kulluar dhe mjeshtëria e të folurit artistik kanë qenë marka e personaliteti të tij, në 45 vitet e karrierës së sukseshme.

Dhimitër Gjoka është pasuesi i denjë i gjeneratës, që themeloi ekranin e parë në Shqipëri, dhe një prej profesionistëve të parë të ekraneve private televizive, që sollën modernitet në mediat tona.

Në 45 vite karrierë, vlerësimet dhe çmimet e marra janë të shumta, por kjo nuk e ndali gazetarin dhe regjisorin Dhimitër Gjoka të vazhdojë të hedh në letër ide të reja dhe të kërkojë hapësira për t’i realizuar këto ide.

Jam i bindur se edhe në vitet në vazhdim ai do të vazhdojë të japë kontributin e tij, nëpërmjet botimeve apo shkrimeve të ndryshëm dhe, po ashtu, do të vazhdojë të mbetet një referim mjaft serioz për brezat e rinj të gazetarisë televizive.

Ndaj në vlerësim të punës së tij të vyer si moderator, gazetar, folës e regjisor dhe me mirënjohje për kontributin e çmuar për këto 45 vite në ekranet tona, kam kënaqësinë ta vlerësoj zotin Dhimitër Gjoka me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’”.

1


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas