fbpx

Shëndeti

5 probleme shëndetësore që shmangen me planifikim familjar





               Publikuar në : 09:00 - 25/10/19 |
mapo.al

Planifikimi familjar zvogëlon rrezikun e shtatzënive të padëshiruara te gratë që jetojnë me HIV, duke rezultuar në foshnja më pak të infektuara, si dhe në më pak jetimë (për shkak të vdekjes së nënave të tyre)


Çdo vit, në të gjithë botën, rreth 41% e shtatzënive janë të padëshiruara dhe më shumë se gjysma e tyre përfundojnë në abort. Këto ndodhin te femrat që nuk përdorin asnjë metodë kontraceptive ose nga përdorimi jo i duhur i tyre; shpesh për shkak të mungesës së njohurive mbi kontraceptivët. Disa metoda të planifikimit familjar si p.sh. kondomi, ndihmojnë edhe në parandalimin e transmetimit të HIV-it dhe infeksioneve të tjera seksualisht të transmetueshme.



Ul vdekshmërinë foshnjore


Planifikimi familjar mund të parandalojë shtatzënitë dhe lindjet afër njëra-tjetrës, duke kontribuar në uljen e vdekshmërisë foshnjore në botë. Foshnjat e lindura nga një shtatzëni e padëshiruar kanë norma të larta të vdekshmërisë. Gjithashtu, foshnjat e nënave që vdesin si pasojë e lindjes, rrezikohen më shumë gjatë jetës dhe kanë shëndet jo të mirë.

Ndihmon parandalimin e HIV/AIDS

Planifikimi familjar zvogëlon rrezikun e shtatzënive të padëshiruara te gratë që jetojnë me HIV, duke rezultuar në foshnja më pak të infektuara, si dhe në më pak jetimë (për shkak të vdekjes së nënave të tyre). Përveç kësaj, prezervativët (si një metodë e planifikimit familjar) sigurojnë mbrojtje të dyfishtë, si për shtatzënitë e padëshiruara ashtu edhe për Infeksionet Seksualisht të Transmetueshme, përfshirë HIV-in.

Ndihmon fuqizimin e njerëzve dhe rritjen e arsimimit

Planifikimi familjar përfaqëson një mundësi për gratë që të ndjekin arsimin shtesë dhe pjesëmarrjen në jetën publike, duke përfshirë punësimin. Përveç kësaj, familja më e vogël u lejon prindërve të investojnë më shumë për secilin fëmijë. Çiftet me më pak fëmijë kanë më tepër mundësi t’u sigurojnë atyre ushqim, veshje, strehim e shkollim. Fëmijët me më pak vëllezër e motra kanë më shumë mundësi për t’u shkolluar më gjatë.

Kufizon shtatzënitë tek adoleshentet

Shumë vajza adoleshente që mbeten shtatzënë duhet të lënë shkollën. Kjo ka ndërlikime afatgjata për ato si individë, por edhe për familjet dhe komunitetet e tyre. Adoleshentet shtatzëna kanë më shumë gjasa të kenë lindje para kohe apo fëmijë me peshë të ulët në lindje. Bebet e lindura nga adoleshentet kanë shkallë më të lartë të vdekshmërisë foshnjore.

Metodat

Sot ekzistojnë një sërë metodash moderne kontraceptive femërore dhe mashkullore, si p.sh: pilulat, injeksioni, DIU-ja/Tubi/Spiralja, prezervativi, sterilizimi femëror e mashkullor, norplantet etj. Në vendin tonë shërbimet e planifikimit familjar ofrohen në tre nivelet e kujdesit shëndetësor -kujdesin shëndetësor parësor: qendrat shëndetësore dhe ambulancat në qytet e fshat; kujdesin shëndetësor dytësor: qendrat e planifikimit familjar në maternitetet e rretheve;  kujdesin shëndetësor tretësor: qendrat e gruas pranë Spitaleve Universitare Obstetrik-Gjinekologjik –e, maternitetin “Nëna Geraldinë” dhe “Koço Gliozheni” në Tiranë.


Etiketa: , , , ,

Pas