Presidenti Ilir Meta ka folur sërish për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe marrëveshjen e 5 Qershorit.
Pas një pritjeje zyrtare të ambasadores franceze në largim, Christina Vasak, Meta bëri të ditur se subjekti i bisedës ishte integrimi europian i Shqipërisë.
Kreu i shtetit u shpreh se vendi është ende shumë larg përmbushjes së kushteve që kërkohen për zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, për shkak të shkeljes së marrëveshjes të 5 Qershorit.
Por për këtë të fundit, Meta tha se do i japë edhe një mundësi të fundit parlamentit “njëpartiak” ta respektojë pas kërkesës së PPE.
“Unë do t’i jap edhe një mundësi të fundit Parlamentit njëpartiak për të respektuar Marrëveshjen pas kërkesës publike të Partisë Popullore Europiane”, u shpreh Meta.
Postimi i presidentit Ilir Meta në “Facebook”:
Me rastin e përfundimit të misionit në Shqipëri, prita në një takim, Ambasadoren e Francës, Sh.S.Znj Christina Vasak. Vlerësova rolin e saj aktiv për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, dhe për mbështetjen e sinqertë ndaj procesit të integrimit europian të vendit tonë.
Duke e falenderuar për kontributin thelbësor të Francës në avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, konfirmova se vendimi politik i Këshillit Europian i marsit për çeljen e negociatave të anëtarësimit është një mundësi historike për vendin tonë.
Theksova se, fatkeqësisht, Shqipëria është ende shumë larg përmbushjes së kushteve që kërkohen për zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, me shkeljen brutale dhe të njëanshme nga ana e mazhorancës së Marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit.
Por unë do t’i jap edhe një mundësi të fundit Parlamentit njëpartiak për të respektuar Marrëveshjen pas kërkesës publike të Partisë Popullore Europiane.
Shpreha besimin se hyrja në fuqi e Marrëveshjes me Agjencinë Franceze të Zhvillimit (AFD), do t’i japë një shtysë të rëndësishme projekteve zhvillimore në Shqipëri, si dhe do të rrisë interesimin për prani më të madhe ekonomike të Francës në Shqipëri.