50 ditë nga Viti i Ri/ Mashtrimi me Shijakun, çfarë po ndodh me ngritjen e 567 banesave

Pamja që të ofrojnë lagjet e qytezës janë krejt të ndryshme me atë që të ofron qendra e tij, ku suvaja e fasadave përpiqet të fshehë mashtrimin që po ndodh me rindërtimin. Në lagjen “Lugina” ku do të ndërtohen 30 pallate, deri për Vitin e Ri, siç premtoi Kryeministri, ende s’kanë filluar themelet, ndërsa shumica e banesave individuale kanë mbetur siç kanë qenë që nga nëntori i vitit të kaluar. Qytetarët janë të trembur. Frika se mund të ngelen përgjithmonë pa strehë i bën që të mos flasin. Rama vetëm në nëntor, ishte tre herë atje, ku inspektoi punime që nuk ekzistojnë. Çfarë po ndodh në qytetin ku është përqendruar propaganda e Rilindjes për rindërtimin

Nga Armand Maho



Vetëm muajin që shkoi Kryeministri Rama ishte të paktën tre herë në Shijak. I veshur casual, nën shoqërinë e kryebashkiakut të këtij qyteti u shfaqën të njëjtat pamje, shtëpi që po ndërtoheshin duke lënë të mendosh se shumë shpejt plagët e shkaktuara nga tërmeti i një viti më parë po fashiteshin shpejt. Në fakt e vërteta është krejt ndryshe. Në Shijak nuk po ndërtohet. Po suvatohet në qendër, në një nxitim për të fshehur gjurmët e një mashtrimi të madh propagandistik, pse jo dhe të shpërdorimit në masë të fondeve.

Por, atë çka po ndodh atje s’mund ta fshehë aq kollaj regjia e komanduar e kryeministrit. Plagët e Shijakut nuk u mbyllën asnjëherë. Me mijëra familje janë zhvendosur, dhe po aq të tjera nuk e kanë parë asnjëherë pranë dorën e shtetit. Sipas raportimeve zyrtare në këtë qytet tërmeti dëmtoi 10600 banesa, dhe prej tyre 2900 do të rindërtohen nga e para. Duken si shifra të ekzagjeruara, për një bashki që sipas shifrave zyrtare regjistrin gjithsej 27.861 banorë.

Shijaku

Është ditë e shtunë, dhe në qendër të Shijakut nuk ka shumë qarkullim. Në tavolinën ngjitur të lokalit ku jemi ulur, tre punëtorë të rindërtimit, dredhin ngeshëm duhan. Ilgner Vora do bëhet shoqëruesi ynë. Prej disa vitesh ai së bashku me vëllezërit merren me riparimin e tapicerive të makinave, një biznes i trashëguar nga i ati. Kërkon që gjërat t’i shohim nga afër, ndërsa na paralajmëron se njerëzit janë të trembur dhe nuk do e kemi të lehtë të nxjerrim diçka prej tyre. “Në një kohë kur të gjitha shpresat e mbijetesës së tyre varen nga vendimet e njerëzve të pushtetit, natyrisht frika është e madhe”, na thotë ai.

Marrim rrugën për në lagjen “Lugina” atje ku janë shembur 18 pallate dhe do të ndërtohen 30 të tjera. Rrugët e qytetit, të shtruara katër vjet më parë janë sakatuar. Një projekt prej 3.5 milionë eurosh për sistemin e ujësjellësit ka bërë që të harxhohen dhe një herë aq, në mos më shumë për t’i rishtruar sërish. Pamja që të ofrohet në lagjet e brendshme të qytezës është krejt ndryshe nga ajo që serviret në qendër të saj.

Shtëpi të rrënuara që nga nëntori i kaluar apo dhe atje ku janë shembur mbeturinat nuk janë hequr ende. Deri më tani në Shijak rreth 60 për qind e ndërtesave të planifikuara për t’u rindërtuar janë hedhur në tokë, por ende asnjëra prej tyre nuk ka shijuar banorin e parë. Në pjesën më të madhe rindërtimi as që ka filluar. Banorët shprehen se ato që Rama ka dëshirë t’i shfaqë shpesh si punë të mbaruara janë ndërtesat e prekura nga tërmeti i 21 shtatorit. Disa shtëpiza të vogla, ku kompanitë janë treguar shumë të kursyera në metrat katrorë dhe materialin e harxhuar.

Për sa u përket pretendimeve se brenda vitit do të dorëzohen 567 banesa individuale, ky premtim vështirë të realizohet edhe vitin tjetër me ritmet që ne pamë. Ndoshta kryetari i Bashkisë e ka fjalën për dy apo tri vitet e ardhshme.

Lagjia “Lugina”

Në lagjen ku është vendosur rindërtimi nuk punon askush; një hapësirë e shtrirë në rreth 10 mijë metra katrorë, e shndërruar në gërmadhë nga shembja e 18 pallateve që ishin aty më parë.

Një pallat nuk është shembur akoma. I zbrazur, ai qëndron në krye të fushës si dëshmitar i gjithë asaj çka po ndodh me banorët e qytetit. Data shënon 7 nëntor.

“Javën e parë të tetorit do nisin themelet për rindërtimin e pallateve”, do premtonte kryetari i Bashkisë së Qytetit në mes të shtatorit. Të shtunën e 7 nëntorit ai kish marrë angazhim të argëtonte të rinjtë e FRESSH dhe veten me ekskursion dhe drekë në Krujë.

Por themelet nuk filluan as në javën e parë të tetorit dhe as në të nëntorit. Se kur, ende nuk dihet. Në fakt lagjja “Lugina”, për aq sa është Shijaku shtrihet disi më larg. Këtu është vendosur të ndërtohen dhe 12 pallate të tjera, ato që kryesisht ishin afër qendrës së qytetit.

Duhet thënë se pastrimi i inerteve të tyre është bërë shumë shpejt, se ato të shtëpive individuale të cilat jo pak herë janë në gjendjen që i la tërmeti i një viti më parë. Banorët e pallateve që prej dhjetorit të kaluar jetojnë me qira, por jo të gjithë. Qiratë u rritën në mënyrë të rrufeshme në Shijak.

Një shtëpi që dikur nuk kushtonte më shumë se 70 mijë lekë të vjetra, sot duhet të paguash rreth 250 mijë lekë për dy dhoma e një kuzhinë. Shembja e pallateve filloi në qershor, ndërsa ende sot kur është hyrë në muajin e shtatë si rindërtim mund të quhet vetëm pastrimi i inerteve, të flakura diku andej nga varrezat e qytetit.

Romët që u nxorën nga shtëpitë në lagjen “Lugina”, braktisen në Gjepalaj

Marrim rrugën për në Gjepalaj, një fshat jo shumë larg Shijakut. Në ish-spitalin e kësaj njësie administrative janë strehuar rreth 20 familje rome, të mbetura të pastreha nga shembja e pallateve në lagjen “Lugina”.

Sapo e shohin makinën e Ilgnerit, shoq vërsulen të gjithë. “Janë mësuar që t’iu sjell ndonjë ushqim herë pas herë, ose ndonjë para. Këta janë fare të harruar nga shteti”, na sqaron Ilgneri.

Një grua me emrin Valbona na afrohet me një fëmijë të vogël në krah. Një tjetër fëmijë motak, vajzë qëndron në karrocë. Valbona thotë se vajza është e paralizuar, dhe prej dy ditësh s’ka se ç’t’i japë të hajë, nuk ka para as për pelena.

“Na nxorën nga shtëpitë dhe na sollën këtu. Të paktën kur ishim të gjithë bashkë, ndihmonim njëri-tjetrin, por këtu jemi vetëm fillikat. Kam gjashtë fëmijë dhe nuk kam ç’t’iu jap të hanë. Nga bashkia nuk na sjellin asnjë ndihmë, si do ia bëjmë. Kam hallin e vajzës së paralizuar, se ajo as nuk flet dot vetëm vuan”, na shpjegon gruaja duke qarë.

Ilgneri, nxjerr disa të holla dhe i thotë të blejë qumësht për vajzën. “Për bajram i solla disa kilogramë mish, desh shqyen njëri-tjetrin. Shiko si jetojnë”, na thotë ai. Gjithsej në këto kushte janë rreth 50 familje rome që banonin dikur në “Luginë”, të shpërndara në rrethinat e Shijakut.

Fasadat

Puna është përqendruar më së shumti në inaugurimin e fasadave të pallateve në qendër. Te një ndër ta ishte dhe kryeministri, që dukej i mahnitur me punën e bërë, pavarësisht se për atë fasadë janë harxhuar rreth 300 milionë lekë të vjetra për familje.

Bonusi i riparimeve është rreth 297 mijë lekë për familje, për dëmtimet DS3 por qytetarët thonë se jo gjithmonë ai përfitohet në mënyrë të drejtë. Në një nga pallatet ku ishim ne banorët thanë se dëmtimet në pallat janë të shumta, por punohet vetëm jashtë me fasadën.

“Shtëpia ime në kat të tretë i ka ende muret e çara, ndërsa kompania e ndërtimit merret vetëm me fasadën. Komshiut tim i ka rënë muri ndarës. Kështu janë shumica e familjeve por asgjë nuk po bëhet”, na thotë një tjetër banor.

Nga një sy i lirë vihet re se muri është shkëputur nga kolona, dhe sipër tij do shtrohet një cipë çimento, si dhe do bëhet një përforcim në themele me beton. Kaq hëpërhë është riparimi i menduar për këtë pallat.

Propaganda

Shijaku është qytet i vogël dhe gjërat nuk kalojnë pa u vënë re. Çdo tre ditë përpara shtëpisë luksoze të kryetarit të Bashkisë parkohet Toyota e zezë e ministrit të Rindërtimit.

Veç zyrës në Bashki, Arbana, një personazh i dosjes 339 të Shijakut, ka ngritur dhe një tjetër në banesë. Por, me sa shihet realiteti nuk është se i bën shumë përshtypje ministrit përgjegjës, i cili duket se po mendon më shumë për kandidaturën e ardhshme që do ketë në këtë qark. Në rast se do të mendonte, do vinte re se ngjitur me shtëpinë e bujtësit të tij, qëndron një ndërtesë gjysmë e shembur e lënë në atë gjendje për turp

. Atë pamje me siguri e ka parë dhe kryeministri, i cili e ka fort për zemër Shijakun dhe e viziton në krye të çdo dhjetë ditëve. E ka parë dhe kryetari i Bashkisë, që del çdo ditë nga shtëpia. Por duket se askujt s’i intereson fati i saj.

Në qendër të vëmendjes tashmë është propaganda, për punët e pakryera kurrë. Është shndërrimi i Shijakut në qytet të frikës, ku njerëzit kërcënohen përditë me shtëpitë e tyre, me mosdhënien e bonusit, me bukën e gojës, me varfërinë.

Do vazhdojë dhe gjatë fushatës elektorale, ku regjitë e komanduara do vijojnë të shtohen. Rindërtimi po përdoret fort për propagandë, dhe Rilindja e di fort mirë se kjo është diçka shumë e ndjeshme. Mundohet të eklipsojë situatën dhe të shfaqë një realitet tjetër që nuk ekziston.

Ashtu si në Kombinat, edhe në Shijak frika mbizotëron kudo, saqë duket sikur zonat e prekura nga tërmeti kanë bërë betimin e mbylljes së gojës ose “omerta”-n e famshme Siçiliane.

Ata kërcënohen çdo ditë. Shohin çdo ditë se si militantët e partisë shpërblehen me paratë që duhet t’i merrte tjetër, dhe sërish nuk flasin. Duke mos folur ata kanë një shpresë se një ditë do kenë një banesë. Por vështirë, në rast se diçka nuk ndryshon në 25 prillin e 2021-shit.


Fatal error: Uncaught ___C_0: (E_ERROR) Trying to access array offset on value of type bool in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config:252 Stack trace: #0 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(13): ___C_5->_errorHandler(2, 'Trying to acces...', '/home/gazetamap...', 13) #1 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_demo_style() #2 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(74): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_image_size() #3 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(63): JNews\Module\Block\Block_9_View->build_column(Array, 'jeg_col_2o3') #4 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(47): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_column(Array, 'jeg_col_2o3') #5 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/BlockViewAbstract.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_output(Array, 'jeg_col_2o3') #6 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/ModuleViewAbstract.php(165): JNews\Module\Block\BlockViewAbstract->render_module(Array, 'jeg_col_2o3') #7 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(1265): JNews\Module\ModuleViewAbstract->build_module(Array) #8 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(205): JNews\Single\SinglePost->related_post(false) #9 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(307): JNews\Single\SinglePost->related_post_hook('') #10 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(331): WP_Hook->apply_filters(NULL, Array) #11 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/plugin.php(474): WP_Hook->do_action(Array) #12 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/fragment/post/single-post-1.php(66): do_action('jnews_single_po...') #13 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(772): require('/home/gazetamap...') #14 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(716): load_template('/home/gazetamap...', false, Array) #15 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/general-template.php(204): locate_template(Array, true, false, Array) #16 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/single.php(16): get_template_part('fragment/post/s...') #17 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template-loader.php(106): include('/home/gazetamap...') #18 /home/gazetamapo/public_html/wp-blog-header.php(19): require_once('/home/gazetamap...') #19 /home/gazetamapo/public_html/index.php(17): require('/home/gazetamap...') #20 {main} thrown in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config on line 252