Një njoftim ka nisur të qarkullojë prej orësh online, me një axhendë të protestës studentore për ditën e mërkurë. Aty përfshihet një marshim fillimisht nga fakultetet, më pas tek Ministria e Arsimit, më vonë tek Kryeministria dhe drejt Kuvendit.
Protestuesit thonë se do stacionohen në fund përpara Ambasadës Amerikane. Problemi është se kush do i ndjekë nga pas?
Tek e fundit, askush nuk e di se kush e ka shpërndarë këtë njoftim, ashtu siç askush nuk e di kush foli në emër të tyre për Katovicën një ditë më parë.
Shumica e studentëve është kthyer nëpër auditore të martën, duke e mpakur ndjeshëm protestën. Rreth 50 persona dolën përpara Kryeministrisë, duke njoftuar kështu se ajo që nisi si një shkëndijë, ishte shuar si e tillë në një ditë të akullt janari.
Kryeministri Edi Rama nxitoi gjatë ditës së sotme që të lajmërojë se ndryshe nga sa shkruajnë mediat, lëshimet që u ka bërë studentëve do të plotësohen me përpikmëri.
Ende nuk dihet se përse protesta u dobësua kaq shumë, kur studentët kishin lajmëruar për vazhdim të rezistencës.
Disa thonë se paqartësia e saj ishte kthyer në problem.
Të tjerë mund të thonë se qeveria i bëri lëshimet e saj.
Ka nga ata që thonë se i ftohti i pengoi që të dalin nëpër sheshe.
Sigurisht nuk mungojnë ata që thonë se presioni i pedagogëve dhe qeverisë dha fryte.
Sezoni nis së shpejti dhe shumë studentë kanë kërkuar që të tolerohen mungesat e tyre gjatë protestës.
Pikërisht në ditën kur media publike gjermane ZDF lajmëronte se studentët nuk do ndalen në kërkim të një perspektive më të mirë, ata frenuan fuqishëm.
Mbetet për t’u parë nëse është shuar vetëm shkëndija apo zjarri.