Papagalli, si diversion apo alterego?
Gjysmë i shtrirë, në një kanape të kuqe, krejt i kënaqur mbi mëzin kuq të një gjetjeje, që në këtë rast është një papagall. Kjo është pamja, për disa aspak kryeministrore, e Edi Ramës postuar prej vetë atij mbrëmjen e 9 dhjetorit pas një dite të gjatë takimesh me zyrtarë të BE në Bruksel. Postimi që shoqëronte foton përmblidhej te fjalët: dikë po më kujton ky, po juve? Shigjeta sigurisht iu drejtohej kundërshtarëve të tij politikë në Tiranë, por pyetja më shumë se për ‘skizofreninë’ e fotos mund të bëhet mbi synimin e saj. Çfarë po komunikonte kryeministri apo çfarë po fshihte në komunikim me anë të një postimi joortodoks politik? Dy episode mund ta kenë ‘shtrënguar’ Ramën drejt një efekti komunikativ apo pseudongjarjeje siç njihen në gjuhën e komunikimit: një takim-fotografi i shefit të opozitës Basha me kancelaren Merkel dhe një deklaratë pak-si-shumë-e-shkujdesur e vetë Ramës në takimin me burokratët e Brukselit, ku ironizonte duke u thënë bashkëbiseduesve: mos u trembni se Shqipëria nuk do jetë në BE për 5 vitet e ardhshme. Diversioni funksionoi në fakt: vëmendja e Tiranës mediatike u shpërngul e gjitha te fotoja me papagall.
Tre lapsat. Formidable!
Tre lapsa me majë të mprehur. Në të tria ngjyrat e flamurit francez: e bardhë, e kuqe, blu. Në një ditë dhimbjeje për kombin e Balzakut, por edhe qëndrese për gazetarinë e lirë të Francës e mbarë botës. Në thilenë e xhaketës së një burri të gjatë, një piktori frankofil, aktualisht kryeministër i një vendi të vogël në siujdhesën e Ballkanit në jug të Europës. Të gjithë këta elementë bashkohen si vektorë të një gjeometrie habie për të dhënë një efekt. Një gjetje më saktë. Ose edhe një sprovë në kreativitet. Edi Rama u shfaq në Paris me aurën e një burri që sheh thellë te ngjyrat dhe përtej së përditshmes; i lidh pikat e saj në një ekuacion artistik dhe i jep zgjidhje po vetë. Mund ta qortosh për shumëçka, por ka-ç’ka, duhet t’i japësh kreditet kur i meriton. Në manualet e komunikimit trelapsëshi në xhep i Ramës mund t’u jepet studentëve si shembull i kreativitetit të dalë nga e përditshmja e përzishme. Reklama, thonë, duhet të tërheqë vëmendje. Në mos, gjithçka tjetër është akademike.
Bunk’art apo bunker për opozitën?
Hapja e bunkerit atomik, ndërtuar nga diktatura komuniste për qëllime ushtarake dhe të mbrojtjes (së nomenklaturës) në rast të një sulmi bërthamor, u bë ditën kur opozita kish thirrur një protestë kundër varfërisë dhe arrogancës së qeverisë. Është një nga përpjekjet e zyrave të komunikimit të partive shmangia e aktiviteteve politike gjatë ditëve kur ka një ngjarje tjetër të madhe në qytet, sidomos sportive ose kulturore. Siç është edhe sfumimi i një ngjarjeje të kundërshtarit politik duke inskenuar një tjetër. Ky ishte synimi i Ramës dhe i shtabit të tij të komunikimit. Bunk’art ishte një përpjekje për ta tërhequr vëmendjen e publikut kah misteri i së shkuarës komuniste dhe prapaskenat e udhëheqjes së diktatorit Enver Hoxha. Shmangia komunikative e qeverisë e mori pjesën e vet të vëmendjes dhe ndoshta mund të kish tërhequr mbi vetë të gjitha dritat e skenës, nëse protesta e opozitës nuk do t’i kalonte të gjitha parashikimet. Bunk’art e vazhdoi jetën e vet duke u kthyer në shumëpërdorimësh pas hapjes gala të Ramës, por efekti i tij nuk mjaftoi për të sfumuar tonin e protestës së kundërshtarit politik.
Shkundja e pedagogut-protestues
Kur një grup studentësh dhe pedagogësh të Gjeologji -Minierave protestonin para selisë së qeverisë për zhvendosjen e Fakultetit të tyre nga kodrat e Liqenit, ndodhi e papritura apo dhe e pazakonta. Kryeministri Rama doli nga zyra, zbriti shkallët dhe u dha në trotuarin përballë ku qenë grumbulluar protestuesit. I vetësigurt u fut mes grumbullit të njerëzve dhe bëri gjestin e asaj që mund të quhet përpjekje për dialog. I kapi thuajse në befasi studentët, të cilët as nuk e prisnin një takim të atypëratyshëm me shefin e qeverisë. Dalldia e çasteve të para kaloi dhe kryeministri, me të tijën, u përpoq të sqaronte protestuesit. E gjitha mund të ishte përmbyllur si akt efektiv komunikimi nëse në skenën e improvizuar të së pafabrikuarës të mos kish hyrë një burrë i vjetër. Një pedagog, i cili diçka i tha kryeministrit, i cili ngrihej mbi të imponues. Kjo pabarazi në lartësi u shtua edhe me një ndërhyrje tjetër, jo nga natyra kësaj here, por të panatyrshme në thelbin e saj. Rama uli duart mbi pedagogun e moshuar duke e kapur diku mes shpatullave e qafës. Shoqëruar me një grumbull fjalish që i bënin me dije të moshuarit se si në kohën e Enverit nuk do kish guxuar të dilte në shesh, erdhën edhe një valë tundje-shkundjesh. Ishte diçka mes babaxhanërisë dhe futjes së duarve në fyt. Një nisje e mirë që përfundoi si s’ka më keq.
Ribërja e Kryeministrisë (dhe e vendit, e njerëzve)
E ka nisur me këtë akt qeverisjen e tij kryeministri Rama duke lajmëruar që në fillim sundimin estetik. Kryeministri diell i ka dhënë Versajës së tij një prarim me gjasë të munguar në administratat e mëparshme duke shqepur, lyer, riformatuar, ngjyrosur, gjithçka nga zyrat e deri te bodrumet ku, ndoshta veç minjve dhe mobilieve të vjetra, nuk banonte asgjë. Këtë lifting të ngrehinës së qeverisë, kryeministri e shoqëroi edhe me një blitzkrieg fotografik. Reagimet qenë si përherë të ngjyrosura nga simpatitë politike: kundërshtarët e përçmonin, ndërsa ndjekësit e hyjnizonin ndërhyrjen për ndryshimin e look-ut të selisë së qeverisë. Rama megjithatë, si ndoshta asnjë tjetër para tij që nga koha e Mehmet Shehut, e ka parë ndërtesën e Këshillit të Ministrave jo si një ‘banesë me qira’ por si shtëpi të tijën. Kështu që ndërhyrja përjetësuese me anë të ngjyrave mund të jetë sa psikologjike aq edhe estetike. Vjen i vjetër dhe i njohur megjithatë ahti i qeveritarëve për të sunduar apo për të mbetur në histori edhe me anë të arkitekturës, estetikës e të tjerave shfaqje të formës.
Selfie. Me Renzin e të tjerë
Ia faturojnë Robert Cornelius-it dhe një autoportreti të tij të vitit 1839, aktin e parë të një selfie në botë. Kohët kanë rrjedhur dhe bashkë me të edhe kuptimet e identitetit, por ‘portretizimi i vetes’ është kthyer në kohët tona në njëfarë sindrome. Ka prekur shumë dhe një ndër ta është edhe kryeministri Rama, i cili pëlqen të vetëfotografohet vetëm e të tjerë, edhe në raste që përndryshe duhej të ishin të rëndësisë publike. Një selfie me Renzin, kryeministrin italian gjatë një vizite në Tiranë i përket kësaj kategorie. Videoselfie TV, siç e quajti ai para kamerave, ishte në fakt një fotografim i dyfishtë. Synimi shtrihet te përpjekja për të dhënë idenë e një politikani të shkrifët dhe të sigurt në vetvete, gjithashtu në raport të lehtë me teknologjitë dhe prirjet postmoderne, pra një të ri dhe i të rinjve. Përligjia ndoshta mbahet edhe te ‘kur e bën Obama….”. Gabimi në komunikim i kryeministrit qëndron jo tek akti i të bërit një selfie, por te përsëritja, pra te të kthyerit e risisë dhe të beftës në rëndomtësi. Përsëritja e kthen entuziazmin për një gjest në cingëritje. Kjo sidomos kur realiteti takohet me spektakolaren dhe ngrihet pyetja: kryeministri i kujt është Edi Rama, Danimarkës…?
Shpura e fotografëve
Nuk kanë qenë vetëm tradhtitë e Presidentit që i kanë shtyrë në sherr e shamatë John F. Kennedy me të shoqen, Jackie. Ndër të tjera edhe ekspozimi i fëmijëve. Kennedy mbronte idenë se fëmijët e tyre duhet të fotografoheshin sa më shumë dhe jeta e tyre të ishte publike, ndryshe nga nëna e tyre që kërkonte privatësi. Te Kennedy dhe prirja e tij për publicitet duket se i kanë rrënjët shumë nga teoritë e komunikimit politik modern e postmodern. Kryeministri i Shqipërisë është gjithashtu libertin në dëshirën e tij për t’u parë, për t’u shikuar e lexuar. Një shpurë fotografësh profesionistë e ndjekin atë në çdo veprimtari politike. Foto të tjera më rastësore (casual) dokumentojnë gjithashtu edhe aktet ‘intime’ të kryeministrit, si shëtitjet me të birin e sapolindur e me radhë. Nuk mund të kategorizohej veçse nën ‘stil personal’ apo ‘e drejtë e tij’ kjo prirje e z. Rama, por edhe kjo e ka një kusht. Që shefi i qeverisë të ishte po aq transparent dhe ‘i mbuluar’ mediatikisht edhe në veprimtaritë qeveritare që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me fatin e publikut. Me ardhjen e tij në pushtet u krijua edhe një Zyrë e Komunikimeve Qeveritare që e përqendronte informacionin në një zyrë ngjitur me të tijën.
Mund te shtojme se kryeministri eshte shume i gjate dhe koka e tij ka nje forme te vecante etj etj etj. Ceshtja e kryeministrit diell ne raport me cdo xhest ose prezantim te tij sigurisht eshte teper interesante, vecanerisht po te krahasohet me paraardhesin e tij, i cili nuk perdorte duart ne fakt, por perdorte mashat e tij per t’ja nxire jeten kundershtareve, sic beri me Mero Bazen e me shume te tjere.
Te pakten edhe ne delirin e tij, Rama me duket me pak ofendues, me pak i dhuneshem verbalisht dhe me pak poshterues ndaj individeve te vecante, packa se shqiptaret i shan (dhe mire e ben) kur e meritojne.
Nuk e lexova mire Kryeministri diell, aop dell