Aktualitet

70 vjet nga masakra e Qafë Valmirit, askush nuk ka kërkuar falje






               Publikuar në : 13:30 - 18/08/19 |
mapo.al

17 Gushti i vitit 1949 ka qenë dita më e zëzë për Mirditën. Janë bërë plot 70 vite nga masakra e Qafë Valmirit, ku u pushkutuan 10 burra dhe u varën në litar 4 të tjerë. Një ceremoni përkujtimore u organizua në pallatin e kulturës të qytetit të Rreshenit, ditën e shtunë, e mandej një meshë në katedrale. Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të shoqatave për ish-të përndjekurit dhe familjarëve të martirëve, intelektualë të zonës. Aty nuk kishte përfaqësues të bashkisë që drejtohet nga socialisti Ndrec Deda. E majta shihet si zgjatim i partisë komuniste dhe me gjasë prania e tyre vetëm mund të irritonte familjarët.


Duke folur për Zërin e Amerikës, Simon Mirakaj u shpreh se “jemi mbledhur për të përkujtuar me përulje këtë masakër barbare e të padrejtë që e ka zanafillën tek vrasja e Bardhok Bibës. Njerëzit që u ekzekutuan nuk kishin gisht në vrasjen e Bibës, por komunistët donin të shfarosnin familjet më në ze’ të Mirditës, familjet fisnike dhe antikomuniste të asaj kohe”.

Ndërsa Filip Gjomarkaj tregoi se sot e kësaj dite nuk e dinë ku e kanë varrin e gjyshin. Ndërsa ai vetë me nënën dhe vëllanë kanë vuajtur në kampet e Tepelenës.

Nebil Cika u shpreh se “sot pas 70 vitesh nuk ka asnjë ndryshim, nuk ka pendesë….askush nuk ka kërkuar falje për këto krime çnjerëzore. Brezi i dytë i komunistëve është sot në pushtet, ka të njëjtën mendësi por është më i sofistikuar…”

Sakaq, Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, Gjergj Meta udhëhoqi një meshë për martirët. “14 viktimat e terrorit komunist të Qafës së Valmirit janë fillimi i masakrës së komunizmit mbi Mirditën. Mirdita qe më e përndjekura, sepse qëndroi më shumë në këmbë kundër regjimit. Pushofshi në paqe!”, tha Ipeshkvi.

MASAKRA E QAFE VALMIRIT, 17 GUSHT 1949

Përpara qindra mirditorëve pas një gjyqi të sajuar pa asnjë provë u varën në litar 4 mirditorë të pafajshëm dhe u pushkatuan 10 të tjerë, që s’kishin fare lidhje me vrasjen e B. Bibës.
Pas masakrës nisi terrori i qindra familjeve mirditore, u internuan gra e fëmijë drejt kampit famëkeq të Tepelenës, që funksionoi si kamp shfarosjeje.

Viktimat e kësaj masakre janë:

Të varur në litar: -Preng Dedë Gjomarkaj, (Orosh), Pjetër Dedë Vila, (Kaçinar), Dodë Marka Biba, (Tenë-Kthellë), Pjetër Paloka, (Kaçinar),

Të pushkatuar: -Nikoll Bardhok Bajraktari, (Rrëshen-Kthellë), Llesh Gjon Melyshi, (Malaj-Kthellë), Ndrec Mark Ndoj, (Kaçinar), Nikoll Llesh Bajarktari, (Orosh), Gjokë Gjin Kaçi, (Bukmirë), Ndoc Gjetë Çupi, (Pshqesh-Blinisht), Bardhok Dodë Gjini, (Prosek-Kthellë), Gjergj Keç Beleshi, (Kthellë-Epër), Preng Shkurt Nikolli, (Orosh), Frrok Gjetë Mata, (Kaçinar)

***

DESHMIA

Gjon Mark Ndoj, konsiderohet si “Mandela i Mirditës” për rezistencën në burgjet komuniste. Dy dekada i kaloi në qelitë e diktaturës, për shkak të inskenimit të prokurorëve dhe hetuesve, të cilët “e vunë” atë në vendngjarje si vrasës. Themi “e vunë”, sepse Ndoj ishte arrestuar më 27 prill qershor 1949, katër muaj para ekzekutimit të Bibës, 17 gusht 1949. Në kohën kur ndodhi ngjarja, Ndoji, mësues me profesion, qëndronte i prangosur prej 4 muajsh në hetuesi, pasi gjatë kohës kur ndiqte Liceun Françeskan të Shkodrës, së bashku me disa shokë të tjerë, krijoi organizatën antikomuniste “Përpjekja Shqiptare”. Pas dy ditësh intensive me seanca pyetjesh dhe dhune fizike ekstreme, më në fund hetuesit binden që ai nuk kishte aspak lidhje me vrasjen e Bibës, por sërish e dënuan si “dorac” i eliminimit të deputetit, duke e plasur në burg në moshën 21-vjeçare. Ai u dënua me njëzet vjet, dhjetë prej të cilave i kaloi në burgun e Burrelit. Gjon Mark Ndoj ka ndërruar jetë në vitin 2006, por ka lënë dëshmi për genocidin që bënë komunistët në Mirditë.

Një pjesë e shkurtër e ditarit të Gjon Mark Ndojt, shkruar në burg (1960)

Pa mëdyshje, veprimet e dhunshme që kryen komunistët në Mirditë nuk ishin si u tha, hakmarrje për vrasjen e Bardhok Bibës, por ky qe shkaku që dojshin me justifikue veprimin. Këto masa ndëshkuese qenë të parametrave të nji gjenocidi të plotë. Pra ishte nji armiqësi e urrejtje e mahershme. Askurrë dhe asnjiherë nuk u zbut kjo sjellje. Edhe kur urrejtja u ba latent, inati ishte i dukshëm. Qenë ngjarjet në kufinin greko-shqiptar që reduktuan numrin e viktimave nga 101 që kishte planifikue Mehmet Shehu në 14 burra që u ekzekutuen në Valmer. Kishin marrë shumicën e të burgosunve që ishte vendos për t’u gjykue publikisht, kur vetë kryetari i Degës, Abedin Tajari, erdhi e më mori e urdhnoi nji civil që të daktilografojë. Pyetje afër ngjasimit që kërkohej. Letra u ba nji kopje (procesverbal) e me të në dorë më mori me vehte tue pyet për Çarçanin. Si duket qëllimi i tij ishte me më shmang prej gjyqit. Vija në përfundim të arsyetimit se isha i burgosun rreth dy muej para. Duket se nuk u muer parasysh spjegimi i kryetarit, se, pak kohë mrapa, mbasi më pyeti me u sigurue për emnin, më mori nji kapter e më nxori në korridor e me çiftoi me Mark Tucin, e mandej na çuen te shkolla ku u ba gjyqi. Shokët tanë i kishin ulun në disa stola të gjatë. I njeha, ishin 24 e ne të dy baheshim 26. Jashtë kishte mjaft njerëz e shumë ushtarë. Në xhade ishin do makina të ngarkueme me gra, fëmijë e pleq.

Tashti e ma parë ndonji vaji fëmije, urdhna, kërcënime… në ballë kardhi nesh ishte tavolina e mbulueme me flamurin kombëtar. Ishte klasa ku kisha dhanë mësim dy klasave të mia. Aty ku kisha dhanë mësim unë, paraardhësit e paraardhësve të mij, do të rrinte trupi gjykues. Procedura qe e shpejtë. Seanca e parë, marrja në pyetje për gjeneralitetet, dëshmitarët, pretencë, vendimi i gjyqit në katër seanca për dy ditë me radhë. Kolegji i gjykatës së naltë ushtarake ishte i përbamë nga kryetari i saj Bilbil Klosi me dy kapitena anëtarë dhe prokurori, zv.prokurori i përgjithshëm ushtarak, major Misto Bllaca. Meqenëse u mungoshin kryekëput provat sadopak fajësuese, për të përligjë vendimin e tyne, u duhej që në sy të popullit të shpikshin faje, por prej popullit nuk pranuen me dalë dëshmitarë të rremë. Këtë e banë nëpunës e kuadro të rrethit.

Dëshmitarë të tillë kanë qenë: M.D. kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, P.N.P. shef seksioni, L.T. kapter Sigurimi etj. Tue fillue prej arrestimit, ruejtjes, hetimit e mbikqyrjes, u ba vetëm prej M.P. tue lanë në anë policinë. Brigada e M.P. e stacionueme në Qaf-Shtamë, nën komandën e kolonel Zija Kambos, mbasi i hoqi prej radhëve të saj të gjithë ata mirditas të paktë që ishin të inkuadruem në këtë brigadë, hynë natën dhe u shpërndanë në të gjithë rrethin administrativ të Mirditës.

Ata kryen rreth 500 arrestime, grumbulluen me forcë 300 familje në pika të ndryshme për t’i internue në Tepelenë. U ekzekutuen 14 burra, 4 me varje dhe 10 me pushkatim në sy të popullit. Ndonji ra i gjallë në gropën e vorrit. Mandej, mitrolozët grinë e coptuen kufomat tue terrorzue të madh e të vogël që ishin sjellë aty me detyrim për të pa këtë kasaphanë komuniste. Ndodhi konflikti kufitar me grekët, se nuk dihet si do të ndaleshin vrasjet…

Unë pata tre dëshmitarë. M.D. tha se unë kam pasë bisedë shoqnore me kriminelin Mhill Kol Gjatën (që u vra në mal). Kam dhanë llogari në gjyq mapara dhe jam dënu me dy vjet burg. L.T. tha se e kam pa në Shkodër tu shëtit me vllanë e kriminelit… Ditën e dytë pasdite, prokurori mbajti pretencë. Për 20 vetë kërkoi dënimin me pushkatim në të njëjtin vend (në Valmer, aty ku u vra Bardhok Biba).

Nji ndër këto të 20 që u dënuen me vdekje e pushkatim qe edhe emri em. M’u duk se mbrenda meje diçka u këput, kryet më bahej se pa da rreh, si vaje grashë, tingllimi kombonë-kishe që rrahin në nji anë për të dekun, nana e robtë. Nji ftohtësi e akullt si rrymë përshkoi jo vetëm mue. Por në ftyra zbe, asesi nga kobi i vdekjes, por nji zemrim që shkakton çudia për nji gja të çmueshme që na bjen nga duert e thehet e bahet copa-copa. Ishim njizet vetë me nji fat të përbashkët, shokë e miq dashamirës dhe mbi të gjitha na kërkohej prova burrnore e qëndresës për të qenë të dejë ashtu sin a cilësoi kundërshtari – armik jo me faj, por në përmbajtje.

Ky përshkrim vlen pak për mue e të tjerët që na u kthye dënimi në burg. Por u përket atynë burrave që as u topitën, as u dobsuen derisa dhanë frymën e fundit në nji vdekje makabre. Thamë të vërtetën ne që pshtuem prej vdekjes, na u duk jo e hijshme ta pranojshim me u nda prej shokve. Ata gjetën forcën tu na urue ne që po pshtuem. Ndër ata që pshtuen qenë: Ndue Gjon Fusha, djalë i ri që u dënue me burgim të përjetshëm, Mark Kola me 20 vjet e Kol Ndue Gjoni me 10 vjet, por që të dy vdiqën në burg pas 2-3 vjetësh nga mungesa e ushqimit.

Në burgje, kampe pune dhe internim vdiqën dhe të burgosunit e tjerë, pasi të dënu për atë rast ishin edhe fëmijë, pleq e gra…

Tek gjykatësit u vu re nji irritim kur Mrika, e shoqja e Bardhok Bibës, tregoi nji paknaqsi për 14 kaptina. Ajo u shpreh se për Bardhok Bibën duhen vra 100. E kemi marrë dhe mendimin tuej, tha nën za kryetari i trupit gjykues, por u ngjue. Ndërsa të afërmit e tjerë të Bardhok Bibës u munduen me pshtue njerëz. E motra e Bardhokut, nji grue e re dhe e hijshme kishte kërkue për tre me emën si në moshë të re që t’i falte gjykata. Prokurori ndër 20 vetë që kishte kërkue dënimin me vdekje e pushkatim isha unë, Ndue Fusha e Mark Tuci. Ma vonë do të merrshin vesht se kishte qenë Preg Kol Marku, kushrini i saj dhe B. dashamirës i yni që e kishte nxitë dhe msue.

Në fjalën e mbrame, mbas pretencës së prokurorit, unë thashë: Jam tash e tre muej e gjysëm i burgosun dhe organet e sigurimit kanë ba hetimet e veta. E deri më sot nuk ka asnji fakt as me qenë në bankën e akuzës e jo ma kërkesën e prokurorit për dënim kapital. Prandaj nuk kërkoj mshirë, veç drejtsi nëse ka. Kur u ula, një anëtar, kapiten i parë që nuk ia mbaj mend emrin, më pyeti: Kur je arrestue ti? Më 27 prill, iu përgjigja. Ai e shënoi. Ka gjasë se pat ndryshim në synimet e para në numrin që duhej të ekzekutoheshin si hakmarrje. Ngjarjet në kufinin greko-shqiptar për disa ditë që zgjatën qenë alarmuese për Tiranën. Kështu u detyruen me e mbyll problemin e Mirditës…

Mbas vendimit të gjykatës, gjatë natës dhe të nesërmen, thrritën shumë të dënuem me vdekje. Nëse ata do të flitshin e do të kallxojshin punën armiqsore të tyne e të shokve, do t’u falej jeta. Nji tallje kanibaleske… Ti the në gjyq se je i pafajshëm. Ashtu asht, u gjegja. Më afroi nji letër të bardhë e penën, deklaro këtu se je i pafajshëm e të përsërisim gjyqin. Donte i keqi me mbajtë ende aty nën hetim, e me më akuzue si donte e si dinte ai. E kuptova djallëzinë e tij. Vendimi i gjykatës asht i formës së prerë, u gjegja unë. Nuk e kisha kryer fjalën kur nji grusht i fortë më goditi në tamth. Ma hiq sysh, i tha rojes. Sjella ushtarake e rojeve ishte shtazarake kur i muerën të dënuemit. Duart ua shtrënguen me pinc deri në kocka. Jua kthyen prapë e i lidhën dy e nga dy cup më cup.

Megjithëse ata kundërshtuen e nguelluen me hec ma tepër, i tërhoqën rrshqanë, motorrët e makinave zhurmoshin jashtë, kërcënime, urdhna, shamje. Ndigjuem që kishin fol ndër veti. Kishin dekën ata burra, por mundimi e rrahjet ishin ma tepër. Atë ditë që mbetëm gjallë, ishim vetëm kufoma të gjalla…

 

*Kronika për ceremonë e zhvilluar në Rreshen  për 70 vjetorin e masakrës së Qafë Valmirit.


Etiketa: , , , , ,

Pas