Aktualitet

750 mln euro kredi për tërmetin, borxhi publik rritet në 72%





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 10:28 - 19/02/20 |
mapo.al

Rreth 750 mln euro nga totali i fondeve të mbledhura në Konferencën e Donatorëve në Bruksel janë kredi dhe projekte. Pas Konferencës së Donatorëve, ministri i Zhvillimit, Arben Ahmetaj, sqaroi se si ndahet fondi i mbledhur me vlerë 1,15 mld euro për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti.


Ahmetaj tha se 400 milionë euro nga totali i fondit janë donacione, ndërsa 750 milionë euro janë kredi e butë. “Rreth 400 milionë euro janë grante, pra që do të thotë se janë para që nuk na i japin borxh, por na i dhurojnë. Pjesa tjetër 750 milionë euro janë kredi e butë, që do të thotë me një kosto shumë të ulët qoftë në aspektin e kostos së parasë dhe kostos së operacionit, pra nuk janë kredi tregtare”, tha Ahmetaj.


Sipas përllogaritjeve të Monitor, bazuar në shifrat e kuadrit makroekonomik e fiskal, për periudhën 2021–2023, kredia që do t’i jepet Shqipërisë për rindërtimin e zonave të dëmtuara zë 5,5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, të këtij viti. Kjo kredi e rrit borxhin publik në raport me GDP-në, nga 66,2% që ishte në fund të 2019-s, sipas të dhënave të Kuadrit, në gati 72% të PBB-së.


Interesat e kredive
Ministri i Zhvillimit, Ahmetaj tha se fondet e mbledhura si kredi nuk do të jenë me interesa tregtare, por më të ulët se 2%.


“Ishte një mbështetje spektakolare, dhe solidaritet për familjet që kanë humbur pjesëtarët e tyre. Shumë prej këtyre kredive, interesat i kanë të përcaktuara dhe janë nën 2%. Kredia e Bankës Islamike, që është 365 milionë euro, është me interesa gati gati te 1%”, u shpreh Ahmetaj.

Franca dhuroi 1 milion euro
Ministri i Zhvillimit sqaroi edhe dhënien e fondeve të Francës, të cilat ishin të paqarta. Sipas tij, Franca dhuroi 1 milion euro, ndërsa 100 milionë euro janë projekte për rizhvillimin ekonomik. Franca dha një kredi prej 60 milionë eurosh për rindërtimin e rrjetit të ujit të pijshëm të dëmtuar nga tërmeti.

Konferenca e Donatorëve
Konferenca ndërkombëtare e Donatorëve, u thirr nga Presidentja Komisionit Europian, znj. Ursula von der Leyen. Kjo konferencë “Së bashku për Shqipërinë”, u mbajt pas ngjarjes së tërmetit të 26 nëntorit, ku u prekën rreth 200 mijë qytetarë dhe 51 të tjerë humbën jetën.

Komisioni Europian, në ndihmë të Shqipërisë, dha 115 milionë euro fonde, ku 15 milionë ishin grante për rikonstruksionin e shkollave. Shqipëria prezantoi faturën me vlerë 1 miliard euro si kosto për rindërtimin dhe zhvillimin e zonave të prekura.

Pjesën më të madhe të fondeve të dhënë e zënë kreditë e buta, si ajo e Bankës Botërore me vlerë 160 milionë euro për strehimin, 360 mln euro nga Banka Islamike për Zhvillim, 100 mln euro nga Banka Europiane e Investimeve, si dhe 80 mln euro nga BERZH.

Shtetet që kanë dhuruar shumat më të larta ishin Gjermania, 11 mln euro; Suedia 5,6 mln euro; Serbia 1 mln euro, ndërsa Italia deklaroi se 65 mln euro janë identifikuar si burime financiare.


Etiketa: , ,

Pas