Një vajzë kishte filluar të këndonte në dritaren e dhomës së saj të konviktit këngën e njohur “se mjaft në robëri, o e mjera Shqipëri/ o djem rrëmbeni pushkët, ja vdekje, ja liri”. Studentët e arenës e kishin vazhduar me zë të lartë këtë këngë, që ishte përhapur dalngadalë në shumicën e godinave të kredhura në terr. Një si dridhje kishte pushtuar qytetin. Dhjetra silueta, një nga një e dy nga dy, kishin filluar të dilnin nga godinat dhe të bashkoheshin me ata të barthamës së parë, duke e shumfishuar numrin e tyre. Pse po shtoheshin ashtu? Ç’kishin ndërmend të bënin?
Nga Preç Zogaj *
Lëvizja studentore kishte filluar të shtunën në mesnatë me grumbullimin dhe përballjen e parë të studentëve me policinë e regjimit dhe kishte vijuar edhe të dielën. Unë nuk kisha marrë vesh gjë. Isha mbyllur në shtëpi, në një lagje periferike të Tiranës, të përfundoja romanin “Pa histori”, që e kisha nisur para një viti. Në mbrëmje, studenti Emin Baçi, që banonte në pallatin përballë, më solli lajmin se kishte plasur në qytetin “Studenti”. Blendi Fevziu i kishte kërkuar të më vinte në dijeni. Të nesërmen në mengjes dola herët nga shtëpia dhe shkova në kafenenë e Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë, ku mblidheshin zakonisht gazetarët e gazetës “Zëri i rinisë”. Aty do të mësoja telegrafikisht ngjarjet që kishin ndodhur gjatë mungesës sime në “këtë botë”: Fikjen e dritave në qytetin “Studenti” mbrëmjen e datës 8 dhjetor, daljen e studentëve nga godinat duke shfryrë e duke sharë autoritetet, grumbullimin e tyre në errësirë, ngjizjen në hukamën e atij grumbullimi të ndjenjës kryengritëse që po kuturiste andejkëndej prej disa muajsh në Shqipërisë e kohës, shpërthimin në shqip të parullave të lirisë dhe demokracisë, nisjen pa komandë, pa urdhër dhe pa plan të atyre djemve dhe vajzave drejt qytetit të Tiranës poshtë, në kahun dhe verdiktin e ri të historisë, që nuk ishte pritja, por sulmi, nuk ishte mbyllja por dalja, nuk ishte ikja, por përballja. Më vonë, nga protagonistë dhe dëshmitarë të besuar të ngjarjeve të asaj nate historike, do të mësonim detaje të grumbullimit, marrshimit dhe përballjes së parë në terr të grupit të studentëve me policinë pranë rrugës së Elbasanit. Rreth njëqind e pesëdhjetë studentë kishin dalë të parët nga godinat dhe ishin mbledhur në sheshin e vogël para drejtorisë së konvikteve duke thirrur “duam drita”. Asnjë përgjgije nga ndërtesa e shurdhuar dhe errësira e thellë. Ashtu në terr ishin kthyer me fytyrë nga qyteti i Tiranës me njetin për t’u ndeshur me dikë që nuk e dinin çfarë ishte apo për të bërë diçka që nuk e kishim bërë kurrë dhe që gjithashtu nuk e dinin çfarë ishte. I kishin dhënë betejë natës me daljen e tyre në arenë dhe po rrinin pa fjalë dhe si të mpirë pranë njëri tjetrit në pritje të kundërgoditjes që do t’i njihte me armikun e tyre.
Një vajzë kishte filluar të këndonte ndërkohë në dritaren e dhomës së saj të konviktit këngën e njohur “se mjaft në robëri, o e mjera Shqipëri/ o djem rrëmbeni pushkët, ja vdekje, ja liri”. Studentët e arenës e kishin vazhduar me zë të lartë këtë këngë, që ishte përhapur dalngadalë në shumicën e godinave të kredhura në terr. Një si dridhje kishte pushtuar qytetin. Dhjetra silueta, një nga një e dy nga dy, kishin filluar të dilnin nga godinat dhe të bashkoheshin me ata të barthamës së parë, duke e shumfishuar numrin e tyre. Pse po shtoheshin ashtu? Ç’kishin ndërmend të bënin ? Në ketë moment, një djalë me xhakavento ishte ngjitur mbi bordurin e një vazoje betoni dhe kishte thirrur: -Nuk kemi punë me dritat! Po jeni trima, hajdeni të zbresim në shesh. Unë jam me ju. Dijeni. Kam dy fëmijë! Po të jetë për të vdekur, le të vdes unë. Fëmijët do të ma marrin hakun. Ishte studenti i vitit të katërt të fakultetit të filozofisë, Azem Hajdari. Një tjetër student, i njohuri i tij me sa duket, i futi krahun. “Nisemi”, i tha. Dhe u nisem të gjithë nepër terr drejt Tiranës. Institucionet e regjimit ishin vënë në alarm ndërkohë. Lajmi për një marrshim studentësh drejt sheshit kryesor të kryeqytetit ishte tronditës. Dritat u ndezën si rrallë herë natën vonë në ndërtesat e Komitetit Qëndror, Komitetit të Partisë së Tiranës, Ministrisë së Brendshme. Disa funksionarë të lartë u nisen me makina drejt qytetit “Studenti” për të parë e kuptuar nga afër ç’po ndodhte. Atë ditë kishte qenë atje vetë kryeministri Adil Çarçani dhe tani se si u dukej që, me rënien e natës, vizita e rrallë, madje e para në histori e një kryeministri në qytetin “Studenti”, ishte pasuar me një rrebelim. Askush s’po kuptonte ç’po ndodhte realisht. Studentët demonstrues kishin marrrë një rrugë që rrihej pak nga makinat.
Ministria e Brendshme kishte mobilizuar trupa për t’i ndaluar. Marrshimi i ndërsjelltë dhe afrimi si në betejat e lashta i këtyre trupave shënonte përfundimin e metrave të rrugës së gjatë që kishte përshkuar regjimi komunist në Shqipëri. Kur trupat u gjenden në largësinë e krahut të njeriut dhe kur policët në një anë e studentët në anën tjetër po dëgjonin frymëmarrjet e njëri- tjetrit, ai regjim nuk ishte dhe nuk do të ishte kurrë më ai që kishte qenë: sundues, zotërues apo shtypësh fuqiplotë i një mase të bashkuar njerëzish. Beteja e parë e këtyre ushtrive të huaja, që flisnin të njëjtën gjuhë, por që atë natë i kishin shumë të kursyera fjalët, duhet të ketë qenë ajo e syve. Megjithëse ishte natë, palët ishin parë. Studentët e kishin fituar ashtu betejën përcaktuese të kauzës që dominon forcën. Por jo mënjeherë, jo pa hezitimin dhe frikën e vjetër të përballjes me përbindshin. Në librin e tij “Piedestale pa statuja”, publicisti dhe shkrimtari Blendi Fevziu, deshmitar dhe hulumtues i shumë prej episodeve kyçe nga lëvizja studentore e dhjetorit 1990, ka ndërtuar përmes dëshmive të shumta kronologjinë dhe tabllonë e përballjes së studentëve demonstrues me policinë natën e 8 dhjetorit, tabllo e cila duket shumë me afër realitetit të kohës se sa idealizimet nga distanca. “Kur grupi u gjend përballë trupave speciale të policisë pranë gardhit të ambasadës italiane, dy- tre rreshtat e parë deshën të kthehen. Por rreshtat e fundit, që ishin shumë herë më shumë, shtynin drejt qendrës me idenë o sot, o kurrë. Në këtë mënyrë pjesa kryesore mbeti e bllokuar mes policisë që kërkonte t’i shtyntë drejt qytetit “Studenti” dhe shokëve të tyre që i shtynin drejt qendrës së Tiranës”, shkruan Fevziu. Mes këtij bllokimi në pamje të parë të rëndomtë ishte shtërnguar të nxirrte kokën historia e re e vendit. Atë çast, si për ta bërë edhe më sureale situatën, mbiu nga dheu Ministri trupvogël me kokë të madhe i Punëve të Brendshme, Hekuran Isaj. I ardhur në krye të këtij dikasteri pas dështimit të paraardhësit të tij Simon Stefani, Isaj rrekej t’i priste dhe të përballej me ngjarjet në fushë të hapur, duke bërë kryepolicin e turit të tretë. Kjo do ta ndihmonte të ishte më pranë ngjarjeve dhe të kuptonte pak më mirë se pleqtë e Byrosë Politike shpërthimin antikomunist në Shqipëri. Isaj deshi të bisedonte me studentët, por këta, pasi e kaluan duke ndezur e thithur cigare habinë e parë me praninë e ministrit, i thanë atij se pranonin të bisedonin vetëm me Presidentin Ramiz Alia. Ishte bërë si një zakon i periudhës që kundërshtimi ndaj së vjetrës të kursente Ramiz Alinë, madje të paraqitej si mbështetje e reformave të nisura prej tij. E reja kësaj radhe ishte referimi me tendecë i funksionit shtetëror që mbante Alia, duke injoruar funksionin e tij të gjithëpushtetshëm të Sekretarit të parë të Komitetit Qëndror të Partisë. Kjo mënyrë të drejtuari lajmëroi për herë të parë mes heshtjes së natës sjelljen dhe madje daljen e studentëve në skenë si palë politike. Ramiz Alinë e donin asnjanës. Hekuran Isaj nuk bëri komente. Me gjasë ai hezitoi për një moment, por pastaj u lidh me shtëpinë e Ramiz Alisë, ku trasmetoi gjendjen dhe kërkesën e studentëve. Alia, sipas kujtimeve të tij të mëvonshme, po flinte kur e zgjuan për t’i dhënë njoftimin nga Ministri i Brëndshëm, çfarë duket vërtetë e çuditshme, po të mbajnë parasysh faktin se shkëndija e demonstratës së parë studentore në historinë e vendit ishte ndezur rreth orës 21.00, ndërsa parashikimet për një shpërthim të tillë ishin bërë më herët. “Mirë”, tha. “Do t’i takoj”. Ai u ngrit nga shtrati, u vesh dhe u nis me këmbë drejt korpusit qëndor të Univeristetit, ku po e priste një përfaqësi prej trembëdhjetë-katërmbëdhjetë studentësh. Edhe këta kishin ardhur në këmbë nga rruga anësore e ambasadës italiane ku kishin lënë në pritje shokët e tyre. Ishte hera e parë që një udhëheqës komunist shqiptar caktonte një takim me protestues antiregjim. Ky fakt vendosi menjëherë një rend të ri të gjërave në rrugën e re që po merrte Shqipëria. Biseda, sipas dëshmitarëve, ishte e thatë, gati-gati si në jerm: -Ç’kërkoni?-foli i pari Alia. -Duam t’ju takojmë,- thanë disa nga studentët. -Ja ku jemi, flisni! -Jo tani, duam të hartojmë kërkesat e t’ua paraqesim në takim,- saktësoi njëri nga studentët, pa e kujtuar ndoshta se me këtë kërkesë po hidhte hapin e Armstrongut në terrenin e pesëdhjetë viteve diktaturë. Nëqoftese Alia thoshte “po, shkruajini kërkesat dhe ejani përsëri” kjo do të ishte njëlloj si të legalizonte kundërshtimin. -Po ç’kërkoni, ç’kërkesa keni? Më thanë që ju mungojnë dritat dhe ngrohja!- tha Alia, duke i vështruar me radhë sikur kërkonte nxirrte ndonjë sekret prej tyre. Ashtu i kishte shikuar një vit më parë disa të rinj në Lushnje kur një i ri, i nxitur për të folur 42 PREÇ ZOGAJ hapur me Sekretarin e Parë, kishte thënë “rinia ka dëshirë të dalë, shoku Ramiz” dhe ky kishte pyetur duke bërë të menduarin “ku ka dëshirë të shkojë rinia” dhe ai djali, i trembur apo kush e di pse, ishte përgjigjur “në Ardenicë, shoku Ramiz”, në Ardenicë pra, që ishte dy- tre orë me këmbë prej aty, duke i lenë të helmuar nxitësit e tij, por duke paditur ndërkaq vetvetiu Sekretarin e parë dhe mbarë sistemin si shkaktarë të frikës apo horizontit të tij të ngushtë. Situata kishte ndryshuar që nga ajo kohë. -Ne nuk kemi ardhur për një pjatë groshë apo pak sheqer me shumë në çaj, se edhe fëmijët e mi në Bajram Curr nuk hanë më mirë. Ne kemi probleme të tjera! Ai që foli kështu ishte djaloshi që kishte bërë thirrjen “pas meje drejt sheshit”, Azem Hajdari. -Aaaa, kjo është tjetër gjë, kjo është serioze,- e kapi fluturim Alia. -Po, ne duam të hartojmë kërkesat tona dhe të flasim me ju!- e përforcuan dy -tre studentë. -Kur doni? Pse nuk flisni me organizatën e rinisë? -Nuk kemi punë me atë organizatë, ajo nuk na përfaqëson. Pohimi ishte i prerë, i padëgjuar. -Ç’domethënë kjo?- reagoi Alia. -Ju e keni organizatën e rinisë! -Nuk kemi asnjë punë me të. Neser? Takohemi nesër ne qytetin “Studenti”? Takimi që kishte nisur si në jerm, po zhytej përseri në jerm. Alia u la një takim tjetër, pasi të hartonin kërkesat e tyre. Po bëhej me ta, me idenë se po i bënte për vete. Po nisej edhe ai drejt së panjohurës me ata studentë të pasmesnatës. Përfaqësia e studentëve mbërriti me një lajm të mirë në vendin ku policët dhe studentët protestues kishin lënë pezull korridën e tyre. Ora po shkonte dy pas mesnate. Azem Hajdari, ai që u kishte thënë shokëve të tij “nëqoftese nuk kthehemi për dyzet e pesë minuta, nuk do të kthehemi më kurrë”, u ngjit mbi një mbajtëse peme dhe filloi t’u shjegonte takimin me Presidentin e Republikës. Nuk kishte mbaruar së rrëfyeri dhe nuk dihej si do të kishte vazhduar ajo mbrëmje pas rrëfimit të tij sikur një oficer policie në radhët e para të turmës të mos thërriste papritur “më vodhën pistoletën” dhe Ministri i Brëndshëm, Hekuran Isaj, FILLIMET 43 akoma i pranishëm në kostumin e tij të policit të turnit të tretë, të mos lëshonte po aq papritur dhe me egërsi urdhërin “qëlloni”. Dhjetra sambistë u hodhën sakaq mbi studentët e kreut duke i goditur fort me shkopinjtë e gomës. “Grupi u kap i papërgatitut”, shënon Blendi Fevziu në librin e tij. “Disa mundën të kthehen e të ikin, disa u penguan në disa stola të betontë, të tjerë që vinin pas shkelëm mbi ta, vajzat ulërinin, djemtë rënkonin…Në kaos, pa e kuptuar ç’po ndodhte, studentët nisen të tërhiqeshin drejt qytezës së tyre. Ata më të guximshmit, nisen të hidhnin gurë mbi sambistët dhe makinat e Hekuran Isajt e Pirro Kondit. Shumica ikën me nxitim, por të tjerët nisen të organizohen e të tërhiqen thuajse në formacion luftimi, drejt fjetoreve, aty ku besonin se nuk do t’i arrinte askush”. Në fakt policia nuk i ndoqi me tej dhe studentët u kthyen në qytezën e tyre si nga një betejë, të cilën nuk kishin ndërmend ta linin përgjysëm. Prej atij çasti u barrikaduan me parullat e tyre të reja në sheshin midis konvikteve dhe shpallen de fakto të parën zonë të lirë në Shqipërinë e kohës. Incidenti i revolës, që u bë shkak për shpërthimin e dhunës policore mbi studentët, mbeti enigmë përgjithmonë. Revolja nuk u gjend kurrë dhe oficeri që thirri në errrësirë “më vodhën revolen” nuk doli nga anonimati as më vonë në vitet e gjata të tranzicionit kur do të ishte në modë rrefimi i çdo hollësie nga ngjarjet e dhjetorit të vitit 1990. Dukej sikur kishte qenë një fantazmë e asaj nate, e distinuar për t’u zhdukur me agimin e ri dhe asgjë tjetër. Ramiz Alia u vu moralisht në pozitë të vështirë para studentëve të rrahur pak pas takimit që kishte patur më ta. Ai bëri gjithmonë të pafajshmin për dhunën e asaj nate dhe përmendi gjithmonë episodin me revolen si shkakun e saj. Hekuran Isaj gjithashtu mohoi vazhdimisht zërat se incidenti ishte porositur për të krijuar pretekstin e përdorimit të forcës ndaj studentëve. E vërteta është gjithnjë si një mirazh në ngjarje të tilla. Dikujt i duket kështu, dikujt ashtu. Hierarkitë politike të kohës dhe natyra e marrëdhenieve mes numrit një të shtetit dhe vartësit të tij e përjashtojnë si rregull përdorimin e dhunës në rrethanën e dhënë pa dijeninë e Alisë. Alia dhe Isaj, siç u pa në një numër ngjarjesh të jashtëzakonshme të asaj periudhe, kishin një feeling me njëri tjetrin dhe ky fakt e përforcon edhe më tej hamendjen se Alia dhe Isaj qenë marrë vesh t’u jepnin një dru atyre që ishin thirrur në kauzë për të ndryshuar historinë. Dhuna ndërkaq u dha studentëve kuptimin e organizimit dhe forcoi radhët e tyre. Të nesërmen në 9 dhjetor paradite ata marrshuan përsëri në të njëjtin itinirar ku kishin marrshuar një natë më parë. Kësaj radhe ishin më shumë dhe parullat e tyre ishin më të ordinuara. “Liri-demokarci”, “E duam Shqipërinë demokratike”, “Edhe ne si gjithë Europa”.
Diku pranë Liceut Artisktik policia ishte bërë gardh për të penguar përparimin e tyre drejt qendrës së kryeqytetit. Studentë vazhduan të hidhnin parulla për një kohë të gjatë, pa lëvizur nga vendi, përballë vështrimeve opake te forcave të ndërhyrjes së shpejtë që nuk ishin mësuar të shpërndanin demonstrata. Rreth orës 12.30, ndërsa po afrohej ora e ndeshjes së futbollit midis dy skuadrave të kryeqytetit, Partizanit dhe Dinamos dhe rreth njëzet mijë tifozë priteshin të kalonin jo shumë larg vendit ku ishin bllokuar studentët protestues, Hekuran Isaj dha për herë të dytë urdhërin e shpërndarjes me forcë të demonstratës, më saktë të kthimit me forcë të studentëve në fortesën e tyre. Dukej sikur kishte një mesazh në rrezen e përcaktuar të dhunës policore: atje në qytezën tuaj bëni ç’të doni, ama, po dolët jashtë qytezës ju prêt dajaku. Në edicionin e saj të dytë dhuna policore shpërtheu edhe më egër, sambistët me skafandra dhe shkopinj gome u lëshuan pa mëshirë mbi studentët protestues. Pasoi një tërheqje kaotike e këtyre të fundit në rrugica dhe në bregoren ndanë ambasadës italiane. Kësaj radhe pati më shumë të lënduar e të plagosur, mbi tridhjetë studentë u kapen dhe u shoqëruan në stacionet e policisë. Në kthimin e dytë nga përleshja me forcat e rendit studentët shtënguan një përbetim edhe më të forte. Inatin më të madh tani e kishin me Ramiz Alinë. Ai i kishte pritur, u kishte thënë bëni kërkesat, u kishte premtuar madje se mund t’i takonte në orën pesë pasdite…Çfarë i thotë mendja atij? Na di frikacakë? Mendon të na takojë si të rrahur, për të na diktuar kushtet e tij? Po ne nuk e takojmë fare! Të vijë këtu në qytetin “Studenti” po ia mbajti, të japë llagari para studentëve, të shkarkojë të gjithë ata që kanë ushtruar dhunë mbi studentët, të shkarkojë Hekuran Isajn, që të bindemi se nuk ka dorë vetë e nuk na e ka bërë me pabesi… Këto fjalë po thuheshin në shtabin e improvizuar të demonstratës, ndërsa prej kaosit të deriathershëm po mpiksej Lëvizja dhe po bëhëshin plane për të ndihmuar të plagosurit, liruar të ndaluarit, hartuar kërkesat e para politike.
Qarkullonin fjalë se kishte të vrarë dhe mbi dyqind të arrestuar që ishin rrahur për vdekje. Këto lajme rrezultuan të ekzagjeruara, por raprezalja, edhe pse jo me pasoja fatale, ishte bërë. Sali Berisha dëshmoi më vonë se e kishte parë me sy. Ai ishte kthyer një ditë me parë nga Italia ku kishte qenë për të marrë pjesë në një mbledhje pune si përfaqësues i Shqipërisë në Organzatën Botërore të Shëndetësisë. Në atë kohë nuk kishte shumë fluturime nga Rinasi e drejt Rinasit. Kështu që, mu sikur po e thërrisnin ngjarjet që po mbruheshin me shpejtësi në Tiranë, të cilat edhe ai vetë i kishte nxitur me qëndrimet e tij, mori sipas një kolegu dhe miku të tij të ngushtë një linjë avioni për në Podgoricë të Malit të Zi dhe prej aty udhëtoj me makinë drejt Tiranës. Ai kthim i përshpejtuar do të rrezultonte vendimtar për kapjen e kohës dhe përfshirjen e tij si protagonist në Lëvizjen e Dhjetorit. Pikërisht atë natë do të plaste në qytetin”Studenti”. Të nesërmen në orët e para të mengjesit Berisha kishte lënë të takohej për kafe me dy nga miqte e tij me të ngushtë, Besnik Mustafajn dhe Kujtim Çashkun. Të tre kishin zenë vend rreth një tryeze në kafenenë e madhe të hotelit “Tirana”, kur panë të vinte drejt tyre kryeredaktorin e gazetës “Bashkimi”, Qemal Sakajeva. Po sillte një lajm të pazakontë. E kishte të shkruar në ballë. “Studentët mbrëmë kanë dalë në demonstrata, i kanë rrahur, kanë arrestuar shumë në 02.00 të natës”, u tha Qemali. “Asnjëri prej ne të treve nuk dintë gjë”, do të rrëfente më vonë Berisha. Lajmi ishte sensacional, gati-gati i pabesueshëm. Berisha u ngrit i pari nga karriga. Dolën të katër nga kafeneja dhe u nisen drejt qytetit “Studenti”, duke ndjekur drejtimin e bulevardit deri në dalje të urës kryesore të Lanës për t’u kthyer pastaj majtas në unazë në drejtim të rrugës së Elbasanit.
Zhvendosja e tyre përkoi në kohë me shpërthimin e dhunës kundër studentëve protestues pranë Liceut Artistik. “Bëtë një ndërhyrje barbare”, u tha Berisha drejtuesve të pranishëm të policisë. “Do t’ju denoncoj, do të njoftoj gjithë botën për aktin tuaj barbar sepse këta nuk po bënin gjë, përveçse hidhnin parulla”. Ora po shkonte drejt trembëdhjetës. Pasdite, rreth orës 16.00, Berisha dhe Mustafaj u ngjiten në qytetin “Studenti”, që po merrte pamjen e një kampingu luftarak me grumbullime, ecejake, diskutime dhe debate të ethshme studentësh. Azemi i njohu dy bashkqytetarët e tij tropojanë me një listë të parë të kërkesave studentore. Kërkesa për pluralizëm politik fekste diku mes kërkesave të tjera të rëndësishme e të parëndësishme. “Mbani vetëm ketë”, i sugjeroi Berisha studentit me xhakavento të zezë, duke treguar me gisht pikën e pluralizmit politik.
Prej aty, Berisha dhe Mustafaj u kthyen në Komitetin e Partisë së Tiranës për të përbushur një porosi të Azem Hajdarit dhe shokëve të tij studentë: të interesoheshin për shokët e tyre të plagosur apo të arrestuar. Ky është momenti kur Sali Berisha, si të thuash, futet në mes, në rolin e lajmësit, të dërguarit dhe ndërmjetësit të dyfishtë të studentëve pranë Partisë dhe të Partisë pranë studentëve. Kishte marrë përsipër të trasmetonte një porosi të studentëve në Komitetin e Partisë së Tiranës, tani nuk mund të shmagte apo refuzonte të njëjtin rol në kahun e kundërt. Ramiz Alia kishte të dërguarit e tij zyrtarë që pranoheshin nga studentët, siç ishin ministrit i arsimit, Skënder Gjinushi apo Sekretari i Parë i Komitetit Qëndror të Rinisë, Lisen Bashkurti. Por i duhej dikush që kishte statusin e një intelektuali kritik, dikush që mund të amortizonte dhe zbuste zemërimin e studentëve pas drurit që kishin ngrënë, dikush që mund ta shfajësonte para tyre dhe ta çlironte nga akzuat për pabesi që po i bëheshin në qytetin “Studenti”. I duhej, pse jo, një njeri i njohur në atë pol të ri force që po lindte dhe kjo ishte e natyrshme. Dhe më të mirë se kardiologun Sali Berisha vështirë se mund të gjente. Ky njihej gjerësisht në Shqipëri si njeriu që kishte kërkuar më shumë liri për bashkatdhetarët dhe vendin e tij gjatë atij viti. Të gjitha organizata e masave e kishin propozuar si kandidatin e tyre për deputet në Kuvendin Popullor në kuadrin e reformës ramiziste të shdrrimit të këtyre levave në subjekte elektorale konkurente me Partinë e Punës. Ishte anëtar korrekt i kësaj partie, gëzonte besimin e udhëheqjes së lartë, por njihej edhe si një kontestator i frymës së vjetër, çfarë e bentë shumë të pranueshëm në çdo mjedis ku zienin pakënaqësitë, kritikat apo kundërshtimet ndaj qeverisë, partisë, regjimit. Në orët e fundit të numërimit mbrapsht të regjimit dyzet e gjashtëvjeçar, Alia u takua dy herë me Berishën në vilën e tij në bllokun e udhëheqësve komunistë. Herën e parë mbrëmjen e datën 9 dhjetor, kur studentët kishin dështuar të trasferonin grupe-grupe protestën e tyre në sheshin “Skenderbej”, në një sfidë kryeneqësie, për t’i dalë prapa krahëve e për t’u tallur me policinë që mbante në rrethim qytetin “Studenti”. Takimi, sipas shpjegimeve të mëvoshme të dy protagonistëve dhe të Besnik Mustafajt, që e kishte shoqëruar Berishën deri afër vilës së Presidentit, nuk zgjati me shumë se pesëmbëdhjetë minuta. Alia do të pohonte gjatë një interviste për emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut në vitin 2005 se në këtë takim i kishte kërkuar Berishës t’u trasmetonte studentëve nga ana e tij se ai nuk kishte shkuar t’i takonte në orën pesë pasdite sepse ata nuk e mbajtën fjalën në mengjes, nuk shkuan në mësim. Por “unë jam gati te vete prapë neser te ata, nuk heq dorë nga takimi dhe biseda me ta”, kishte shtuar Alia. Berisha nga ana e tij do të rrëfente në të njëjtin emision se në krye të herës i kishte shprehur presidentit disensin e tij për rrahjen e studentëve një natë më parë. “Nuk e rreh kush dërgatën në botë, as në kanun,as në ligj, asnjëherë. Kanë ardhur dhe keni nxjerrë njerëz për t’i rrahur”. Presidenti ishte mbrojtur duke përmendur episodin e famshëm të vjedhjes së revoles. Së fundi, Berisha kishte marrë përsipër tua përcillte studentëve kërkesën e tij: “Do t’u këshilloj të vendosin dialogun, ta zgjidhin me dialog, por është e rëndësishme që kërkesat e tyre të merren seriozisht”. Takimi dytë, sipas Alisë, u zhvillua po atë natë pas orës njëzet e katër. “Nuk di çfarë u ka thënë studentëve, nuk jam fare në dijeni për ketë. Erdhi, më tha se me ata s’merresh vesh. Më tha natën e mirë. I thashë natën e mirë. Kaq”. Sipas Blendi Fevziut, Alia gabon në kohë ose e afron qëllimisht takimin e dytë. Sipas Fevziut, Berisha nuk u kthye fare atë natë te Ramiz Alia, por shkoj dhe e takoj vetëm të nesërmen në mengjes në orën 10.00. Ishte me shumë një takim korrektësie, sa për t’i thënë tjetrit se e kishte berë atë që i ishte kërkuar. Por “me ata s’merresh vesh”. Pra “me ty nuk merren vesh”.
Në intervistën e sipërcituar, duke dashur të japë një shpjegim apo një justifikim nga distanca e viteve pse kishte zgjedhur Berishën për atë rol ndërmjetësi apo mesazheri, Alia i mëshon faktit se Berisha ishte profesor dhe tropojan, duke e paditur në njëfarë menyre vetën e tij për mendjelehtësi, çfarë nuk besohet se ka qenë. Fakulteti i mjekësisë, i veçuar nga qyteti “Studenti”, ishte ndër të paktët, në mos i vetmi fakultet i Universitetit “Enver Hoxha” të Tiranës që nuk ishte përfshirë në rrebelimin studentor. Ndërsa po të ishte çeshtja për të kontrolluar Azem Hajdarin, tropojanin e vetëm në përfaqësinë e parë studentore, kishte plot profesorë të fakultetit të Filozofisë që kishin ndikim mbi të, pa llogatitur këtu vëllezërit e tij komunistë. Edhe Berisha, nga distanca e dy dekadave thuajse, do ta shihte të nevojshme të shpjegonte mënyrën si u thirr nga Ramiz Alia përmes Xhelil Gjonit, kryepartiakut të Tiranës, që njihej si dorë e fortë e Partisë. Xhelili i gjeti Berishën dhe Besnik Mustafajn Komitetin e Partisë së Tiranës ku kishin shkuar për të çuar në vend porosinë e Azem Hajdarit. Xhelili shfrytëzoi rastin, ngriti telefonin dhe u lidh me Ramiz Alinë. “Ka persona këtu që vinë nga qyteti “Studenti”, i tha. Ky lloj komunikimi linte përshtypjen se ishin në terr informativ si parti sa u takon zhvillimeve në vatrën e rrebelimit. Alia kërkoi të fliste me telefon me njërin prej personave në fjalë. Xhelili i nxorri Berishën. Ata folën shkurt. “A e takon Ramiz Alinë”? e pyeti Xhelili Berishën pasi ky uli telefonin. Ishte një pyetje pa kuptim, sa kohë që Berisha ishte antëtar i PPSH-së dhe po takonte ndëkohë zyrtarë dhe partiakë të një rangu më të ulët se rangu i Sekretarit të Parë. “E takoj”, u përgjigj tjetri dhe këtu morën jetë dy takimet e lartpërmendura. Nuk ishte i vetmi dhe s’mund të ishte i vetmi që kishte lajme nga shtabi studentor i protestës. Atje, që prej mëngjesi, s’kishin reshtur vizitat e profesorëve të universitetit dhe mjaft intelektualëve të tjerë, të dërguar nga partia apo në kokë të tyre. Lart në kodër ishin ngjitur edhe shumë zytarë të tjerë të Komitetit Qëndror të Partisë dhe Rinisë, që kishin hapur sytë e mprehur veshët në gjithë perimetrin e qytezës studentore, që mbanin shënime e nxirrnin përfundime të shkollës së tyre të vjetër për interferim të dukshëm, madje brutal të elementit armik antiparti në radhët e studentëve, pa e marrë vesh se po asistonin në një përmbysje që as e kuptonin, as e ndalonin dot. Gjithë ky batalion instruktorësh e vëzhguesish punonte për Partinë, për Ramizin, për Xhelilin. Dhe profesorët e dërguar, madje edhe të padërguarit, për Partinë punonin, për Ramizin, për Xhelilin. Këta të dy, normalisht, dinin gjithçka për zhvillimet në vatrën e rrebelimit dhe takimi i Alisë me Berishën, siç del nga çfarë kanë rrëfyer dy protagonistët, nuk ishte informues për Presidentin. Rrëfimet në fjalë, të kursyera dhe të kujdesshme, janë dukshëm të ekspozuara ndaj objeksioneve për shkak të kontradiktave, retiçecave dhe hiatuseve që përmbajnë. Figura e Sali Berishës lëviz me hapin e madh e të kujdeshëm mes këtyre hiatuseve duke kërkuar pa ia thënë as zotit rolin që do të merrte. E vërteta sipas meje është kjo: e shihnin si të përshtashëm të kishin akses përmes tij në lëvizjen e re, ndoshta i dërguan makinë në Podgoricë për ta marrë në kthimin e tij të përshpejtuar nga Italia. E kërkuan në rolin fleksibël të një ndërmjetësi, duke evituar përdorimin e fjalës “i dërguar” dhe ishin në të drejtën e tyre dhe në lojën e tyre ta bënin këtë, pasi, përtej shpresave të marra të mbajtjes së pushtetit dhe privilegjeve nepërmjet një demokracie butaforike, nuk mund të luanin kaq verbtazi me fatin dhe, siç e shënuam më lart, nuk njihnin njeri më të përshtatshëm se Sali Berishën që do të mund tu ruante kockën nëse do t’u duhej të saktifikonin mishin. Ishin shumë në atë periudhë që llogarisnin figurën dhe shërbimet e Sali Berishës, njeriut që kishte dalë falë rrethanave dhe inteligjencës së tij në pozicionin e njeriut të shpresës apo të më të përshtatshmit për shumicën e forcave antagoniste, për të mos thënë për të gjitha forcat antagoniste në skakierën e kohës. Sali Berisha nuk rrefuzoi asnjë rol, por bëri lojën e tij, zgjodhi rrugën e tij drejt pushtetit, e mori pushtetin dhe pasi e mori nuk deshi të kthente kokën e të degjonte sirenat apo mesazhet alegorike të Ramiz Alisë dhe të të mundurve të tij të tjerë, që kishin dashur ta përdornin, por e kishin fyer duke e menduar si të përdorshëm dhe për këtë duhej të paguanin një taksë që i shkonte llogarisë së hapur të antikomunizmit: dënimin me disa vite burg si ushtrues të genocidit ndaj popullit shqiptar.
E hënë, 10 dhjetor paradite. Lëvizja në ditën e dytë
Në qytetin “Studenti” bota kishte ndryshuar. Në sheshin kryesor midis konvikteve, që dy muaj me vonë do të merrte emrin “Demokracia”, ishin mbledhur dy-tre mijë studentë. Rrinin në këmbë, duke folur me njëri tjetrin, duke bërë shakara, duke kënduar ndonjë strofe këngë, duke vështruar nga rruga. Brohorisnin “Liri-demokraci” sa herë shfaqej ndonjë fytyrë e njohur nga Tirana. Ashtu bënë edhe kur më panë mua, u ktheva dhe njoha katër- pesë prej tyre, që po më përshendesnin me duar. Ishin studentë të fakultetit të Histori-Filologjisë. Doja t’i pyesja ku ishte “shtabi”, kur sakaq pashë dikë që u shkëput nga një grup i vogël studentësh para godinës numër 15 dhe erdhi drejt meje. Ishte Azem Hajdari, djali që kisha takuar në muajin gusht në qytetin e Bajram Currit. Mbante një xhakavento lëkure të zezë, dukej më i hequr nga sa e mbaja mend, e tregonte dukshëm, nga lodhja që i ishin mbledhur në fytyrë, se nuk kishte fjetur. Aty e mora vesh se ishte njëri nga drejtuesit kryesorë të Lëvizjes, madje kryesori, por kjo nuk thuhej hapur sepse nuk ishin bërë zgjedhje dhe nuk kishte kërkush tagër të caktonte numrin një. Hierarkitë në atë shpërthim të vrullshëm studentor i kishte përcaktuar e vazhdonte t’i përcaktonte protagonizmi individual. Azemi u tha disa fjalë për mua shokëve të tij. Pastaj i mori nga dora njërit prej tyre një letër të palosur në dysh, e shpalosi dhe ma zgjati ta lexoja. Unë e vura para syve. Ishin kërkesat e tyre të shkruara me makinë shkrimi. Shikimi im kaloi shpejt mbi rreshtat dhe pikat e para, në kërkim të asaj që ishte kryefjala e gjithë ravgimeve të atij viti dhe ja ku e pashë, si të mos u besoja syve tani që po e shihja të shkruar në një dokument që do të hynte në histori si program i parë i lëvizjes studentore të vitit 1990. “Kërkojmë pluralizëm politik, si shkalla më e lartë e demokracisë së sotme”. E lexova një herë dhe sa desha të vazhdoja me fjalinë që vinte më pas u ktheva ta lexoja përseri dhe kjo mu përsërit dy tre here si të kisha frikë se do të humbja ndonjë gjë të madhe po të vazhdoja. Isha vërtetë shumë i emocionuar, për herë të dytë ne jetën time më erdhi për të qarë që nuk e kisha provuar të qenët student, si gjithë ata djem dhe vajza që po shihja rreth e rrotull. FILLIMET 51 Herën e parë kishte qenë regjimi komunist që më kishte ndaluar. Herën e dytë ishte koha. Unë isha 33 vjeç. Sapo i kisha mbushur. Studentët e kishin paraqitur veten në dokumentin e tyre si mbështetës të reformave të nisura nga Ramiz Alia, të cilat kërkonin t’i përshpejtonin. Kërkonin të lejohej krijimi i organizatës së pavarur të studentëve dhe intelektualëve të rinj, që të konkuronte dhe të kishte deputetët e vet në Kuvendin e Shqipërisë. Këto dhe të tjera kërkonin t’i diskutonin me Presidentin Ramiz Alia. Gjithçka ishte qepur e thurur me mençuri, pa të qara. Dhe së fundi, edhe thirrja drejtuar gjithë intelektualëve të mbështesnin kërkesat e studentëve, të bashkoheshin me ta. Vetvetiu ngrita dorën bashkë me letrën e porsalexuar sikur po i përgjigjesha “këtu” asaj thirrjeje. Desha të thosha diçka edhe me fjalë, por nuk fola. Ishte kaq e madhe ajo që kishin bërë e po bënin me çilterisnë dhe guzimin e tyre ata studentë, ishte kaq e jashtëzakonshme dhe e brishte ngjarja që po merrte formë në qytetin e tyre, sa s’të bentë zemra ta prekje as me pupël nga frika se mos i bëje keq. Nuk kisha pse thosha gjë. Isha ngjitur në qytetin “Studenti” për të parë, për të marrë pjesë, pa dashur të dallohem, pa kërkuar të marr role apo të jap mend; isha ngjitur si banor i Tiranës, si një student që nuk kisha mundur të isha i atyre godinave dhe aulave, por kisha rastin të bëhesha në sheshin e tyre të alternativës, të propozimit të pluralizmit politik si vlera që ndante në dysh kohën e Shqipërisë. Grupi i studentëve që ishin mbledhur rreth meje u zgjerua me studentë të tjerë. Me gëzim, por pa u befasuar, njoha mes tyre Shinasi Ramën, një djalë shtagjatë, i hequr, pak bjond. Njiheshim prej më shumë se një viti, më kishin lënë mbresë sjelljet e tij përgjithësisht përçmuese dhe ofensive ndaj realiteteve ndrydhëse dhe shtypëse të kohës. Ishte nga Shkodra, na kishte qëlluar të udhëtonim së bashku me trenin e linjës Tiranë-Lezhë-Shkodër dhe të lexonim poezi të autorëve anglezë apo amerikanë të përkthyera prej tij. Në dijeninë time, pas Rudolf Markut, Shinasiu kishte qenë përkthyesi i dytë për përdorim të brendshëm, siç thuhej atëherë, i poetëve angloamerikane të shekullit të njëzetë, të ndaluar në Shqipëri. Kishim bërë përpjekje edhe për të botuar ndonjë përkthim të tijin, duke shfrytëzuar erën e re që kishte nisur të frynte në mediat letrare dhe praninë e miqve tanë në drejtimin e tyre, një ndër të cilët ishte kryeredaktori i gazetës “Zëri i rinisë”, Remzi Lani. Pashë se edhe Shinasiu ishte i rëndësishëm në grupin drejtues të lëvizjes. Më erdhi shumë mirë, por ndjeva edhe një siguri me shumë. I njihja mirë pikëpamjet e tij të avancuara për pluralizmin dhe demokracinë. Me të mund të flisja më lirisht se me studentët e tjerë. Shinasiu më vuri në dijeni i pari se kishin lënë një mbledhje pasdite me të dërguarit e Ramiz Alisë për të diskutuar listën përfundimtare të kërkesave dhe kushtet e dialogut të studentëve me Presidentin. “Duhet të kemi edhe ne përkrahësit tanë nga rrethet intelektuale në këtë mbledhje”, tha Azemi dhe shtoi: “U kam dërguar fjalë profesorëve të mi të respektuar, Artan Fuga dhe Fatos Tarifa. Kam shpresë se do të vinë. Pastaj mu drejtua mua: “Më vjen mirë që paske mik Shinasiun. Pasdite duam të vish me ne”. “Patjetër”, – thashë unë, pa e çuar ndërmend se në atë çast kisha shqiptuar premtimin për të marrë pjesë në mbledhjen më të rëndësishme të jetës sime të deriathershme, që do të më shtynte dhe do të më mbante për shumë vite në hullinë e politikës aktive. U ktheva në shtëpi nga ora 15.00, i dhashë gruas lajmin, tashmë drejt e nga fronti i ngjarjeve, se bota kishte ndryshuar e po ndryshonte edhe për ne. Ajo më dëgjoi në heshje, pa u distancuar por edhe pa u përfshirë në atë “ne” që kisha thënë unë. Kishte qenë shpesh dëshmitare e bisedave që bënim me Besnikun, Rudolfin, Ilirianin, Teodorin, Remziun, Agimin, Bardhyl Minxhozin. Ora që kishim pritur e paralajmëruar secili prej nesh në mënyrën e vet kishte rënë e po na thërriste.
*Pjesë nga libri “Fillimet”