Korçë- Përfundon në gjendje të rëndë në spitalin e burgut në kryeqytet 84-vjeçari që vrau me sëpatë dhe më pas e copëtoi në shtëpinë e tij një 42-vjeçare. Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të Gaqo Dumkës, që është në paraburgim, është pezulluar edhe procesi ndaj tij. Kështu, duke iu referuar burimeve zyrtare të Gjykatës së Shkallës së Parë në Korçë, mësohet se seanca për pretencën e 84-vjeçarit Gaqo Dumka është shtyrë. I moshuari akuzohet për masakrimin e 42-vjeçares Liljana Arapi, në gusht të vitit të kaluar. Shkak për pezullimin e seancës është bërë gjendja e rëndë shëndetësore e 84-vjeçarit, i cili mësohet se ndodhet në spitalin e burgut në Tiranë. Lajmi është bërë i ditur për Gjykatën e Korçës, përmes një shkrese zyrtare nga Drejtoria e Burgut të Sigurisë së Lartë në Drenovë, e cila e ka transportuar të akuzuarin për vrasje gjatë të dielës drejt kryeqytetit. Burime zyrtare kanë bërë gjithashtu të ditur se Gaqo Dumka është nisur me urgjencë drejt Tiranës pas disa shqetësimeve serioze kardiake, të cilat dyshohet se kanë ardhur nga temperaturat e ulëta. Burgu i Drenovës ka patur probleme me ngrohjen gjatë ditëve tejet të ftohta, ndërsa të burgosurit janë ngritur në një protestë për të kërkuar kushte normale.