Policia në Shkup hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë një grup demonstruesish që u hodhën të dielën në protestë kundër marrëveshjes me Greqinë për ndryshimin e emrit të republikës ish jugosllave në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Protestuesit që brohoritën “tradhti, tradhti”, e cilësuan “kapitulluese” marrëveshjen me Greqinë. Ata u përleshën në orët e mbrëmjes me policinë përballë ndërtesës së parlamentit.
Protesta gjatë ditës janë mbajtur edhe në qytetin e Manastirit, të organizuara nga partia opozitare VMRO – DPMNE. Udhëheqësi i saj, Hristijan Mickovski, tha se partia e tij asnjëherë nuk do të njohë marrëveshjen.
Greqia dhe Maqedonia, ose Maqedonia e Veriut, siç do të riemërohet së shpejti, e zgjodhën rajonin e Prespës për ta nënshkruar marrëveshjen që u jep fund mosmarrëveshjeve gati tridhjetë vjeçare rreth emrit të republikës ish-jugosllave.
Ceremonia me mjaft eufori, bashkoi veç zyrtarëve më të lartë qeveritarë të Shkupit dhe Athinës, edhe ata të Brukselit; Komisionarët Federica Mogherini dhe Johannes Hahn, si dhe zyrtarja e lartë e Kombeve të Bashkuara, Rosemary DiCarlo e ndërmjetësi Mattheë Nimetz kishin ardhur në fshatin e thellë Psarades të Prespës greke ku u nënshkrua marrëveshja e cilësuar nga shumëkush si historike./voa