Nga Aranit Muraçi
Në një raport të publikuar me rastin e Ditës Botërore të Popullsisë, Kombet e Bashkuara thanë se rritja globale e popullsisë ra nën 1% në vitin 2020, për herë të parë që nga viti 1950.
Sipas të dhënave më të fundit të KB, popullsia e botës mund të rritet në rreth 8.5 miliardë në vitin 2030, do të shkojë në 9.7 miliardë në 2050 dhe do të arrijë kulmin prej rreth 10.4 miliardë gjatë viteve 2080. Parashikohet të qëndrojë në këtë nivel deri në vitin 2100.
Raporti thotë se më shumë se gjysma e rritjes së parashikuar të popullsisë deri në vitin 2050 do të përqendrohet në vetëm tetë vende: Kongo, Egjipt, Etiopi, Indi, Nigeri, Pakistan, Filipine dhe Tanzani.
Raporti, “Perspektivat e Popullsisë Botërore 2022”, e vendos popullsinë e botës në 7,942 miliardë për momentin dhe parashikon se do të arrijë në 8 miliardë, në mesin e nëntorit.
John Wilmoth, drejtor i Divizionit të Popullsisë në Kombet e bashkuara, tha teksa publikoi raportin se data kur popullsia e botës do të kalojë 8 miliardë banorë do të jetë 15 nëntori.
“Mendojmë se pasiguria është të paktën plus ose minus një vit”, vuri ai në dukje. Megjithatë, Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres e quajti vitin 2022 një “vit historik”, me “lindjen e banorit të tetë miliardë të Tokës”.
“Ky është një rast për të festuar diversitetin tonë, për të njohur njerëzimin mbi mrekullitë dhe përparimet në shëndetësi, që kanë zgjatur jetëgjatësinë dhe kanë reduktuar në mënyrë dramatike normat e vdekshmërisë së nënave dhe fëmijëve”, – tha Guterres. – “Në të njëjtën kohë, është një kujtesë e përgjegjësisë sonë të përbashkët për t’u kujdesur për planetin tonë dhe një moment për të reflektuar se ku nuk i përmbushim ende angazhimet tona ndaj njëri-tjetrit.”
Raporti parashikon që vitin e ardhshëm India, me një popullsi aktuale prej 1,412 miliardë banorësh, do të kalojë Kinën, me një popullsi aktuale prej 1,426 miliardë banorësh.
KB-ja projekton se në vitin 2050 Shtetet e Bashkuara do të mbeten vendi i tretë më i populluar në botë, pas Indisë dhe Kinës. Nigeria parashikohet të jetë në vendin e katërt, e ndjekur nga Pakistani, Indonezia, Brazili, Kongo, Etiopia dhe Bangladeshi. Rusia dhe Meksika, të cilat janë në top 10 vendet më të populluara në vitin 2022, parashikohet të humbasin vendin e nëntë dhe të dhjetë në vitin 2050.
“Popullsia e 61 vendeve apo zonave parashikohet të ulet me 1% ose më shumë midis 2022 dhe 2050”, thuhet në raport.
“Në vendet me të paktën gjysmë milioni popullsi, reduktimet më të mëdha relative në madhësinë e popullsisë gjatë asaj periudhe, me humbje prej 20% ose më shumë, pritet të ndodhin në Bullgari, Letoni, Lituani, Serbi dhe Ukrainë.”
Raporti thotë se jetëgjatësia globale u përmirësua pothuajse 9 vjet nga 1990 – në 72.8 vjet për foshnjat e lindura në 2019 – dhe parashikohet të arrijë në 77.2 vjet në 2050, pasi normat e vdekjeve vazhdojnë të ulen. Por në vitin 2021, sipas raportit, jetëgjatësia në vendet më të varfra të botës mbeti 7 vjet prapa mesatares globale.
Për sa i përket ekuilibrit gjinor, raporti thotë, “globalisht, bota numëron pak më shumë meshkuj (50.3%) sesa femra (49.7%) në 2022. Kjo shifër parashikohet të përmbyset ngadalë gjatë rrjedhës së shekullit. Deri në vitin 2050, pritet që numri i grave të jetë i barabartë me numrin e burrave.”
Përqindja e njerëzve në moshë pune ndërmjet moshës 25 dhe 64 vjeç është rritur në shumicën e vendeve të Afrikës Sub-Sahariane, pjesë të Azisë dhe në Amerikën Latine dhe Karaibe “falë reduktimeve të fundit të lindshmërisë”, thotë raporti.
KB-ja tha se ky “dividend demografik” ofron një mundësi për rritje të përshpejtuar ekonomike për ato vende. Në një prirje tjetër, tha raporti, “popullsia mbi moshën 65 vjeç po rritet më shpejt se popullsia nën atë moshë”.
“Si rezultat, pjesa e popullsisë globale në moshën 65 vjeç e lart parashikohet të rritet nga 10% në 2022 në 16% në 2050”. Wilmoth tha se jetëgjatësia e lartë dhe nivelet shumë të ulëta të lindshmërisë dhe lindjeve në vendet evropiane, Japoni, Amerikën e Veriut, Australi dhe Zelandën e Re po nxisin tendencën drejt plakjes së shpejtë të popullsisë dhe përfundimisht rënies së mundshme të popullsisë.
Si rezultat, gjatë dekadave të ardhshme, migrimi ndërkombëtar “do të jetë nxitësi i vetëm i rritjes së popullsisë në vendet me të ardhura të larta”, thuhet në raport. – “Në të kundërt, për të ardhmen parashikohet që rritja e popullsisë do të tkurret në vendet me të ardhura të ulëta dhe me të ardhura të mesme”.
Shpopullimi në shumë vende të varfra, ose me të ardhura të pamjaftueshme ku bën pjesë vendi ynë, që vuajnë vit pas viti pasojat e emigracionit masiv, do të varet nga lindjet, nëse ato do të jenë më të shumta se vdekjet. Prej tri dekadave, shqiptarët vazhdojnë të largohen masivisht nga vendi i tyre për të gjetur punë në vendet e zhvilluara, për studime, apo për një jetë më të mirë. Shqipëria vitin e kaluar për herë të parë në histori, sipas shifrave zyrtare, regjistroi mbi 3 mijë vdekje më shumë sesa lindje. Vetëm përmes politikave vizionare, të qëndrueshme dhe afatgjata ky trend mund të ndryshojë. /Liberale.al/