Kryesore

9 orë diskutime/ Kim: Eshtë bërë përparim, takohemi sërish nesër





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 20:51 - 02/06/20 |
mapo.al

Ambasadorja amerikane Yuri Kim, pas një takimi me anëtarë të Këshillit Politik, që zgjati rreth 9 orë, deklaroi se ka pasur përparim, por bisedimet do të vijojnë edhe ditën e nesërme.


Në takimin ku gjithashtu ishin të pranishëm edhe ambasadori i Britanisë së Madhe Duncan Norman, ai i BE-së, Luigi Soreca, si dhe përfaqësues të OSBE, Kim tha se ishte një ditë e gjatë, por është bërë progres.


Asnjë prej ambasadorëve nuk pranoi të jepte detaje lidhur me çështjet ku ishte ecur para, apo ato që vijojnë ende të mbeten të “nxehta”, por kërkuan që ky moment të mos shpërdorohet dhe të shkohet më tej me konsensusin.


“Të gjithëve i është kërkuar që të japin, që Shqipëria të fitojë. Shqipëria është në një fazë kritike të historisë së saj. 25 marsi ishte një pikë kthese, është një votë për Shqipërinë në Europë. BE ka vendosur një sërë kushtesh që Shqipëria të nisë negociatat, mes tyre është edhe reforma zgjedhore. Qëllimi ynë sot dhe nesër, sepse do të ritakohemi përsëri nesër, është që Shqipëria të përmbushë rekomandimet e ODIHR dhe të jetë anëtarë në BE. 


Nëse partitë do të arrijnë në konsensus për masa që shkojnë përtej rekomandimeve të ODIHR, ne do të biem dakort, por nëse konsensusi për pikat që ODIHR i ka kërkuar nuk arrihet, atëherë palët nuk duhet të vazhdojnë me këto kërkesa.

Dëshira e SHBA është që Shqipëria të jetë në Europë dhe SHBA do të bëjnë gjithçka të mbështesin popullin shqiptar”, tha Kim.

Ndërsa, Ambasadori Soreca tha se palët politike, Shqipëria, duhet të përmbushin kriteret e përcaktuara nga ODIHR lidhur me reformën zgjedhore.

“Një arritje për reformën zgjedhore do e bëjë më të lehtë kornizën e BE për bisedimet me Shqipërinë. I ftoj palët të vazhdojnë me qasjen konstruktive, pasi gjithçka është në interes të shqiptarëve dhe Shqipërisë në BE”, tha Soreca.

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Duncan Norman, u shpreh se pavarësisht punës së mirë që është bërë sot, kemi shumë punë për të bërë, e cila duhet të përfundojë nesër.

“Votuesit shqiptarë duhet të kenë zgjedhje më të mira herën tjetër, kështu që le të vazhdojmë punën dhe të përfundojmë”, tha Norman.


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas