Kalimi në të 40-at ka të mirat e veta. Pasi keni përjetuar shumë gjëra në 3 dekadat e para, jeni më të vetëdijshme se çfarë kërkoni nga jeta dhe si ta merrni atë. Ndoshta jeni në kulmin e karrierës, po ia merrni dorën prindërimit ose po kërkoni për aventura të reja që duhet t’i bënit që kur ishit më të reja. Nëse e keni pasur si prioritet stërvitjen dhe ushqyerjen e shëndetshme, me siguri ndiheni dhe jeni në gjendje të mirë shëndetësore.
Gjithsesi, mosha 40 vjeç është koha ideale për t’u kujdesur më shumë për shëndetin dhe kryer më shpesh kontrolle tek mjeku. Ja disa nga vizitat që duhet të kryeni:
Kontroll të tensionit të gjakut. Shoqata Amerikane e Zemrës rekomandon që duke filluar që nga mosha 20 vjeç njerëzit duhet të kontrollojnë tensionin e gjakut të paktën 1 deri në 2 vite.
Kontroll të kolesterolit dhe triglicerideve. Përveç tensionit të gjakut, duhet të bëni analiza të gjakut për të matur edhe nivelet e kolesterolit të “keq” LDL, kolesterolit të “mirë” HDL dhe triglicerideve çdo 1 ose 2 vite që pas moshës 20 vjeç.
Kontroll për diabetin. Shoqata Amerikane e Diabetit rekomandon që të filloni të bëni analizat çdo vit pas moshës 45 vjeç.
Mamografia. Shoqata Amerikane e Kancerit thotë se gratë rreth moshës 45-54 vjeç
duhet ta bëjnë mamografinë çdo vit, ndërsa ato mbi 55 vjeç mund të zgjedhin ta bëjnë çdo 2 vite.
Kontroll të syve. Edhe nëse shikimi juaj ka qenë gjithmonë i mprehtë, mos u çudisni nëse një ditë e keni të vështirë të lexoni menunë në restorant apo mesazhet në telefon.
Kontrolli për kancerin e qafës së mitrës. Mund të mos e vizitoni mjeken obstetër-gjinekologe aq shpesh sa duhet nëse keni vendosur të mos bëni më fëmijë dhe jeni në një marrëdhënie me vetëm një partner, megjithatë gratë e moshave 30-65 vjeç duhet të bëjnë Pap testin dhe testin e HPV-së të paktën çdo 5 vite.
Kontroll të lëkurës. Ashtu si me mamografinë, edhe në lidhje me kontrollin e lëkurës ka rekomandime të ndryshme. Shumica e dermatologëve dhe disa mjekë të përgjithshëm thonë se duhet bërë kontroll i lëkurës tek dermatologu të paktën njëherë në vit.
Kontroll të tiroides. Rreth 13% e grave të moshave 35-65 vjeç vuajnë nga hipotiroidizmi (tiroide jo shumë aktive), prandaj duke filluar nga mosha 35 vjeç është mirë që të nisni të bëni kontroll të tiroides të paktën çdo 5 vjet.
Kontroll për depresionin. Mjeku i familjes duhet ta bëjë këtë kontroll në çdo kohë, pavarësisht moshës. Megjithatë, ka disa periudha në jetën e gruas kur ajo është më e ndjeshme.