Tiranë Katër vjet pas tragjedisë së Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën me qindra të tjerë, gjykata më në fund mundi të japë një vendim ndaj të akuzuarve si përgjegjës për këtë ngjarje. Në një sallë të tejmbushur, kryetari i trupit gjykues lexoi vendimin për 29 të pandehurit, të cilët në total u dënuan me 92 vite burg. Asnjëri prej tyre nuk u shpall fajtor për akuzën e vrasjes masive, të ngritur për tre të pandehur nga prokuroria, duke përgjysmuar kështu masat e dënimeve për të pandehurit. Vendimi i shumëpritur i drejtësisë për një prej ngjarjeve më të rënda të ndodhura në vendin tonë la tepër të pakënaqur familjarët e viktimave, të cilët e quajtën një turp të madh verdiktin e gjykatës. Pretendimet e tyre kishin të bënin me masat e dënimit që gjykata dha ndaj 29 të pandehurve, duke shpallur të pafajshëm 10 prej tyre dhe me një dënim as sa gjysma e kërkuar nga prokuroria për të pandehurit e tjerë. Katër të akuzuarit për vrasje masive ndaj 26 personave që humbën jetën në tragjedinë e Gërdecit u shpallën fajtorë nga gjykata e Tiranës për akuzën e “Shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, duke u dënuar me 56 vjet në total. Sipas Gjykatës së Tiranës, Ylli Pinari është shpallur fajtor për akuzën e “Shkatërrimit të pronës nga pakujdesia” dhe u dënua me 18 vjet burg, ndërsa prokuroria kërkoi dënimin e tij me burgim të përjetshëm. Për të njëjtën akuzë gjykata shpalli fajtor edhe ish-drejtorin ekzekutiv të fabrikës së Gërdecit, Dritan Minxolli, i cili u dënua me 18 vjet burg. Gjykata shpalli fajtor Mihal Delijorgjin, pronarin e kompanisë “Albademil” dhe e dënoi atë me 10 vjet burg për akuzën e “Shkelje e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, akuzë kjo e ndryshme nga ajo për të cilën u dënua Pinari dhe Minxolli. Me vendim, gjykata i hoqi të drejtën Delijorgjit të ushtrojë detyra drejtuese për një periudhë prej 5 vjetësh, ndërsa i pushoi akuzën e “shkatërrim të pronës me eksploziv”. Sokol Ngjeçi, i pandehuri tjetër që u akuzua për vrasje masive, u dënua nga gjykata me 10 vjet burg për akuzën e shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë. Në vendimin e treshes së gjyqtarëve të kryesuar nga Ridavn Hado dhe me anëtarë gjyqtaret Fatmira Hajdari dhe Shefkie Demiraj u shpallën të pafajshëm 10 të pandehur, përfshi ish-zv.shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Agim Lala; dy ish-sekretarët e Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, Adriatik Mema dhe Ardian Mullai; si dhe disa zyrtarë të tjerë të kësaj ministrie. Në radhët e ushtarakëve gjykata dha dënimin më të rëndë për ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Luan Hoxha. i cili u dënua me 8 vjet heqje lirie për akuzën e shpërdorimit të detyrës nga kuadri komandues sipas Kodit Penal Ushtarak. Shpëtim Spahiu, një tjetër ushtarak i lartë i Forcave të Armatosura, për të cilin prokuroria kërkoi dënimin me 8 vjet burg, u dënua nga gjykata me 4 vjet heqje lirie, por ky dënim u pezullua për tre vjet, duke e vënë kështu në provë gjeneralin, i cili sipas gjykatës duhet të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës. Vendimi i djeshëm i Gjykatës së Tiranës i dha fund zvarritjes gati trevjeçare të dosjes “Gërdeci” në dyert e drejtësisë shqiptare, e cila për katër vite nuk mundi t’u japë një përgjigje familjarëve të 26 personave të pafajshëm që humbën jetën më 15 mars të vitit 2008 në Gërdec. Vendimi i djeshëm i gjykatës pritet të apelohet nga prokuroria dhe të pandehurit, të cilët nuk janë dakord me masat e dënimit që u dhanë ndaj tyre.
Familjarët e viktimave: Drejtësia dështoi me Gërdecin
Sot pas 4 vitesh seancash maratonë të sistemit të drejtësisë, më në fund është zbuluar se kush dëmtoi muret rrethuese të shtëpive, se cili shkaktoi dëm me anë të vjedhjes së municioneve, se cili falsifikoi dokumente nga një zyrë e shtetit te tjetra, por ngeli ende enigmë se cili vrau 26 veta nga të dashurit tanë
Tiranë Familjarët e 26 viktimave që humbën jetën nga shpërthimi i Gërdecit reaguan ashpër ndaj vendimit të Gjykatës së Tiranës për 29 të pandehurit e këtij procesi. Rrëzimi i akuzës së vrasjes ndaj katër të akuzuarve kryesorë, sipas familjarëve, ishte njëlloj si ngjarja e 15 marsit, kur të afërmit e tyre humbën tragjikisht jetën. Sipas tyre, edhe pse Gjykatës iu desh mbi 3 vjet të gjykonte çështjen, sot nuk zbuloi se kush i vrau 26 personat e pafajshëm në Gërdec. Vendimi i djeshëm, sipas reagimit të familjarëve të viktimave, tregon që drejtësia jo vetëm është e vonuar, por në të njëjtën kohë e dështuar. “Familjarët e viktimave të shpërthimit Gërdec sot në datë 12 mars 2012, megjithë dhënien e një vendimi nga gjykata e Tiranës, ende pyesin se kush i vrau të dashurit e tyre. Sot pas 4 vitesh seancash maratonë të sistemit të drejtësisë, më në fund është zbuluar se kush dëmtoi muret rrethuese të shtëpive, se cili shkaktoi dëm me anë të vjedhjes së municioneve, se cili falsifikoi dokumente nga një zyrë e shtetit te tjetra, por ngeli ende enigmë se cili vrau 26 veta nga të dashurit tanë”- thuhet në deklaratën e familjarëve të viktimave. Ata shprehen se ky vendim shkaktoi të njëjtën dhimbje si katër vite më parë, pasi autorët e këtij krimi të rëndë ose nuk u dënuan, ose nuk u gjykuan për krimin e kryer, duke vendosur kështu një njollë të madhe turpi mbi drejtësinë shqiptare. “Dhënia e vendimit shkaktoi te ne, si të dëmtuar të drejtpërdrejtë nga shpërthimi, dhimbje të njëjtë me atë të vetë ngjarjes. Ne u përballëm me vrasje në masë dhe si e tillë duhet të ishte gjykim në masë ndaj këtij krimi që na u shkaktua. Autorët e krimit ose nuk u gjykuan, si në rastin e Fatmir Mediut, ose nuk u dënuan për krimin kryesor, atij të vrasjes së 26 personave të pafajshëm”- shprehen familjarët e viktimave të Gërdecit. Duke akuzuar institucionet e drejtësisë si të dështuar në çështjen Gërdeci, të afërmit e viktimave thonë se me këtë vendim drejtësia nuk ishte vetëm e vonuar, por në njëjtën kohë dhe e dështuar. “Ne kemi 4 vite që zgjohemi pa të dashurit tanë, por që nesër jemi të bindur se po zgjohemi të gjithë si shqiptarë pa institucione shtetërore. Ky krim i shëmtuar i përket të gjithëve. Sot gjithkush mund të vrasë për shkak të fitimeve të veta dhe precedenti tregon se nuk do të dënohet në masën e duhur. Eksperienca nga ky vendim tregoi se ‘jeta’ për institucionet është e pavlerë, kur bëhet fjalë për njerëzit e thjeshtë”- përfundon deklarata e familjarëve të 26 viktimave që humbën jetën në 15 mars të viti 2008 në fabrikën e Gërdecit.
Nën tronditjen e vendimit të drejtësisë, Durda protestoi sipas mënyrës së saj, duke vajtuar humbjen e djalit 6-vjeçar, ndërsa mallkoi drejtësinë për këtë gjëmë
Protesta e Zamira Durdës
në Gjykatë: Ma vratë
djalin për herë të dytë
Nëna e 6-vjeçarit të vdekur në Gërdec shpërtheu në dhimbje e revoltë, pas vendimit të gjykatës. Godina blindohet nga forca policie, ndërsa njerëzit e drejtësisë zgjodhën derën e pasme për t’iu shmangur zemërimit të saj
Tiranë Dita e djeshme nisi me një fije shprese për Zamira Durdën, nënën e Edisonit të vdekur tragjikisht 4 vite të shkuara në Gërdec, teksa luante pranë shtëpisë së tij në fshatin e tragjedisë. E shoqëruar nga bashkëshorti i saj, e veshur me të zeza që prej 15 marsit të vitit 2008, Zamira Durda së bashku me tre gra të përvuajtura po njëlloj si ajo, zunë vend si zakonisht në fund të sallës së gjyqit, aty ku janë ulur për tre vite me radhë, thuajse në çdo seancë të këtij procesi. Në respekt të vendimit të Gjykatës, të gjithë e dëgjuan atë në këmbë. Edhe Zamira u ngrit në këmbë, duke dëgjuar me lot në sy kryetarin e trupit gjykues të lexonte akuzat dhe masat e dënimit. Sapo kreu i trupit gjykues tha se seanca mbyllej, nëna e 6-vjeçarit shpërtheu në lot dhe thirrje kundër gjykatës e prokurorisë. “Ky është turp z.kryetar. Kjo nuk është drejtësi! Ju sot na vratë për herë të dytë. Ma vratë djalin për herë të dytë”- thoshte pandërprerë Zamira Durda në sallën e gjyqit. Dhimbja e një nëne që ka humbur fëmijën është e pamatshme dhe ajo nuk do të shuhet asnjëherë. Kjo shprehje u mishërua dje menjëherë pas mbarimit të seancës ndaj 29 të akuzuarve si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, kur Zamira Durda bllokoi derën e gjykatës dhe paralajmëroi se askush nuk do të dilte i gjallë nga ajo derë. Nën tronditjen e vendimit të drejtësisë, Durda protestoi sipas mënyrës së saj, duke vajtuar humbjen e djalit 6-vjeçar, ndërsa mallkoi drejtësinë për këtë gjëmë që ishte njëlloj si dita e tragjedisë. “Askush nuk do të dalë i gjallë këtej. Do ju djeg të gjithëve. Ne ishim në shtëpinë tonë kur u vra djali im. Kjo është drejtësi e fëlliqur! – thoshte pa pushim Zamira Durda, e cila nuk lëvizte nga hyrja kryesore e Gjykatës. Pavarësisht pranisë së forcave të shumta të policisë, reagimi i dhimbshëm i nënës që humbi djalin katër vite të shkuara vazhdoi për disa minuta, por jo për të hapur derën e gjykatës, por për t’u zhvendosur në brendësi të saj. Përballë një situate të tillë, njerëzit e drejtësisë shmangën çdo kontakt me nënën e revoltuar, duke shfrytëzuar daljen tjetër të sallës së gjyqit, por pati edhe nga ata që nuk zgjodhën daljen nga mbrapa, por qëndruan në sallë derisa poterja përfundoi, për të dalë më pas nga salla e gjyqit. Teksa njerëzit e drejtësisë dilnin disa nga para e disa nga mbrapa, Zamira e shoqëruar nga gratë e tjera veshur me të zeza tentuan të hyjnë në ambientet e brendshme të gjykatës për të vazhduar protestën e tyre pranë zyrave të gjyqtarëve që shpallën vendimin, që sipas familjarëve ishte i turpshëm. Të njoftuar për situatën e krijuar, në vetëm pak minuta gjykata u blindua nga forca të shumta policie, të cilët morën masa jo vetëm për të siguruar ambientet e gjykatës, por edhe zyrat e gjyqtarëve. Vetëm para zyrës së njërës prej gjyqtareve u instaluan tri forca policie, që qëndruan për disa kohë derisa familjarët u larguan nga ambiente e gjykatës. Teksa largohej e zhgënjyer nga Gjykata e Tiranës, Zamira Durda tha se ndihej njëlloj si ditën e tragjedisë, ajo sot do të donte vetëm helm, pasi nuk kishte zgjidhje tjetër, sepse drejtësia nuk do të vihej asnjëherë në vend.
Politika hesht, Braçe: Sistemi duhet zhbërë
Politika ka heshtur dje, pas vendimit të Gjykatës së Tiranës për tragjedinë e Gërdecit. Por jo deputeti socialist Erjon Braçe, i cili ka shfrytëzuar profilin e tij në Facebook për të shprehur “revoltën” e tij ndaj vendimit. “Sali Berisha po hesht. Ai nuk thërret dot u bë drejtësi për Gërdecin! Por nuk ka kurajë të thotë: Vendosi gjykata”-tha dje Braçe, duke shtuar më pas se ndryshimi apo rotacioni i pushtetit nuk mjafton në këtë vend. “Ndryshimi nuk mjafton! Këtu duhet thërrmuar çdo gjë. Rotacioni te partia e radhës me produkt qeverinë e radhës nuk mjafton”-shkruan Braçe në FB, i cili pohon se ky sistem duhet zhbërë. Duke e cilësuar sistemin të korruptuar, të padrejtë, jofunksional, por mbi të gjitha politik, që do ta transferojë infeksionin te cilido përgjegjës i radhës i mandatuar, deputeti socialist shkruan se shqiptarët nuk e duan këtë gjë.
Vendimi i gjykatës
Ylli Pinari 18 vjet burg
“Shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”, 18 vjet burgim.
“Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, 3 vjet burgim.
“Shpërdorimi i detyrës nga kuadri komadues” 7 vjet burgim.
I pafajshëm për “Falsifikim të dokumenteve”.
Pushim akuze për “Shpërdorim detyre”.
Dritan Minxolli 18 vjet burg
“Shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”, 18 vjet burgim.
“Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, 3 vjet burgim.
“Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”, 1 vit burgim.
Mihal Delijorgji 10 vjet burg
“Shkelje të rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, 10 vjet burgim.
Heqja e së drejtës të ushtrimit të detyrave drejtuese për një periudhë prej 5 vjetësh.
Pushim akuze për “Shkatërrim të pronës me eksploziv”.
Sokol Ngjeçi 10 vjet burg
“Shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”, 10 vjet burgim.
“Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, 3 vjet burgim.
Luan Hoxha 6 vjet burg
“Shpërdorim detyre” nga kuadri komandues, 6 vjet burgim.
“Ndalimi i të drejtës për të ushtruar një detyrë shtetërore”, për një periudhë 4-vjeçare.
Shpëtim Spahiu 4 vjet me kusht
“Shpërdorim detyre” nga kuadri komandues, 4 vjet burgim.
Pezullimi i ekzekutimit të dënimit, duke e vënë të pandehurin në provë për 3 vjet.
“Ndalimi i të drejtës për të ushtruar një detyrë shtetërore”, për një periudhë 3-vjeçare.
Shkëlzen Madani 3 vjet burg
“Shpërdorim detyre”, 3 vjet burg dhe 300 000 lekë gjobë.
Heqja e të drejtës për të ushtruar funksione publike”, për një periudhë prej 3 vjet.
Pushim akuze për “Shpërdorim detyre”, në bashkëpunim me subjekt ushtarak.
I pafajshëm për “Falsifikim të dokumenteve”.
Dashnor Çaushi 3 vjet burg
“Shpërdorim detyre” nga kuadri komandues, në bashkëpunim, 3 vjet burgim.
“Ndalimi i të drejtës për të ushtruar një detyrë shtetërore”, për një periudhë prej 2 vjet.
Hilmi Laçaj 3 vjet burg
“Shpërdorim i detyrës” nga kuadri komandues, 3 vjet burgim.
Gëzim Oshafi 3 vjet burg
“Shpërdorim detyre”, kryer nga kuadri komandues, 3 vjet burgim.
“Ndalimi i të drejtës për të ushtruar një detyrë shtetërore”, për 1 vit.
Jorgo Mino 3 vjet burg
“Shpërdorim detyre”, kryer nga kuadri komandues 3 vjet burgim.
“Ndalimi i të drejtës për të ushtruar një detyrë shtetërore”, për një periudhë 1-vjeçare.
Fahri Toska 3 vjet burg
“Shpërdorim detyre”, 3 vjet burgim.
“Ndalimi i të drejtës për të ushtruar një detyrë shtetërore”, për një periudhë 1-vjeçare.
Zenun Fero 3 vjet burg
“Shpërdorim detyre”, kryer nga kuadri komandues, në bashkëpunim, 3 vjet burgim.
“Ndalimi i të drejtës për të ushtruar një detyrë shtetërore”, për një periudhë prej 1 viti.
Hysni Çoçka 3 vjet burg
“Shpërdorim detyre”, kryer nga kuadri komandues, 3 vjet burgim.
“Ndalimi i të drejtës për të ushtruar një detyrë shtetërore”, për një periudhë prej 1 viti.
Armand Tartari 1 vit burg
“Shpërdorim detyre”, 1 vit burg dhe 300 000 lekë gjobë.
“Ndalimi i të drejtës për të ushtruar një detyrë shtetërore”, për një periudhë 2-vjeçare.
Ndue Marku 1 vit burg
“Shpërdorim detyre” 1 vit burgim dhe 300 000 lekë gjobë.
Fatbardh Kuçi 1 vit burg
“Shpërdorim detyre”, 1 vit burgim e 300 000 lekë gjobë.
Denis Hajdari 1 vit burg
“Shpërdorim detyre” 1 vit burgim dhe 300 000 lekë gjobë.
Shoqëria “Albademil” 250 milionë lekë gjobë
“Shkelje e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, 25 milionë lekë gjobë, “Ndalimi i përhershëm për të marrë pjesë në procedurat e prokurimit të fondeve publike”.
“Heqja e së drejtës së ushtrimit të çdo lloj veprimtarie që ka lidhje me armët dhe municionet luftarake dhe lëndët plasëse” për një periudhë kohe prej 10 vjetësh.
Të pafajshëm
Agim Lala, për akuzën “Shpërdorim detyre” nga kuadri komandues
Zija Bahja, për akuzën “Shpërdorimi i detyre” nga kuadri komandues
Ardian Mullahi, për akuzën “Shpërdorim detyre”
Adriatik Mema, për akuzën “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim
Agim Babameto, për akuzën “Shpërdorim detyre” nga kuadri komandues, në bashkëpunim
Rezart Tërshana, për akuzën “Shpërdorim detyre” nga kuadri komandues, në bashkëpunim
Besnik Dauti, për akuzën“Shpërdorim detyre” nga kuadri komandues, në bashkëpunim
Juliana Margariti, për akuzën “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim
Fiqiret Mato, për akuzën “Falsifikim të dokumenteve”
Lavdi Shatro, kalim i akteve në prokurori