Aktualitet

95 vjet institucioni më i lartë Kombëtar i Auditimit





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 10:41 - 25/05/20 |
Qeram CIBAKU, Kontrolli i Lartë i Shtetit

I. KËSHILLI KONTROLLUES, PARARENDËS I KLSH
Në ditët tona, duke zbatuar normat rilevante profesionale ndërkombëtare, KLSH përvijon rrugëtimin në gjurmën dhe vlerat më të mira të pararendësit të saj historik, Këshillit Kontrollues, i cili është nga institucionet më të para të shtetit, krijuar vetëm 13 vjet pas Themelimit të Shtetit Shqiptar.


Institucioni shtetëror i auditimit është krijuar dhe kompozuar sipas “amanetit“ të Këshilltarit financiar hungarez Jan Doekes Hunger, i dërguar i Lidhjes së Kombeve në vendin tonë në 1923.


Ai përpiloi mjaft raporte, në të cilat, kaloi në lupë abuzimet alarmuese në gjirin e qeverisë e burokracisë shtetërore dhe përgjatë kohës që punoi pranë qeverisë, këshilltari Hunger, ndër të tjera, shpalosi idenë e organizimit zyrtar e kushtetues të kontrollit të financave të shtetit shqiptar, duke dhënë udhëzimet mbi domosdoshmërinë e një instituti me fytyrë perëndimore, që do të reviziononte financat, mendime të cilat i bëri publike . Hunger çmoi si përparësi të pazëvendësueshme misionin e revizionimit të financave të shtetit prej një organi të pavarur, sipas modelit “Cour des Comptes” – njё zyrё e këqyrjes dhe kontrollimit tё llogarive tё shtetit.


Artikuluar fillimisht si platformë e ardhshme e punëve të qeverisë, Hunger prioritetin e pazëvendësueshëm të krijimit të Këshillit Kontrollues të financave të shtetit, e shprehu në mënyrë lakonike: “Një nga pikat e riorganizimit financiar do të jetë krijimi i një “Cour des comptes”, krijim i diftuem jo vetëm për arsyet për të cilat është në vendet e tjera, financat e të cilëve janë në një rend më të mirë, por edhe për të vazhduem një kontroll preventiv mbi shpenzimet, ky kontroll i domosdoshëm në këtë vend, edhe sikur të mos hyjë në rolin e një “Cour des comptes”.


Si nuhatës dhe njohës i regjur i vlerave të këqyrjes së kujdesshme mbi gjestionimet, të hyrat dhe shpenzuat e llogarive të shtetit, Hunger shkroi se, “…Sado që përgjithësisht duhet kursyem mbi gjithshka e se nuk duhet me emnue zyrtarë të rinj, shpenzimi që do të bahet për vendimin e një Cour des comptes, do të jetë i lamë, pse nevojisht do të sjellë një përdorim të kursyeshëm, dhe shpenzimet e kësaj “Cour des comptes”, do të jenë ma se të pagueme prej kursimeve të mëdha që kjo do të dijë me realizue”.

“Ison” dhe apelin mbi domosdoshmërinë e krijimit të këtij institucioni autoritar, në Kuvendin Kushtetues, për së pari e mbajti deputetit të Vlorës Mustafa Tragjasi , duke propozuar “formimin e Këshillit Kontrollues prej fuqisë sovrane, për kontrollin e t’ardhurave dhe të prishunave të shtetit, tue fillue nga vjeti 1920-1923”.

Ky propozim u ndoq nga projekti alternativ i deputetit të Gjirokastrës Ali Këlcyra, i cili në mars të vitit 1924, depozitoi nismën e parë ligjore për formimin e Këshillit Kontrollues dhe të komisionit për llogaritë financiare. Z.Këlcyra tërhiqte vëmendjen për ngritjen e një organi kompetent, “i cili mund të verë dritë e rregull në paratë e shtetit”.

Institucioni i Këshillit Kontrollues jo vetëm ishte konceptuar, por dhe ka funksionuar e shndritur me nurin e një organi indipendent, “mbi gjithë zyrtarët njehsimorë të ngarkuar për vërtetimin e operacioneve financiare të kryera prej Qeverisë dhe zyrtarëve të saj”.

Roli i këtij institucioni mishërohet nën një okeljo të gazetës periodike “Shtypi” (Nr.1, 7 Kallënduer 1923, faqe 2), që në rreshtat e tij kumtonte devizën se, me krijimin e Këshillit Kontrollues, “Shqipëria do ti sillej jetës shtetërore të Perëndimit me çdo mënyrë!”

II. REFLEKSIONE NË DITËN E 95 VJETORIT
Më maj të këtij viti, KLSH mbush 95 vjet. Në një meditim reflektues të këtij rrugëtimi shtet-formues, janë disa momente që “pulsojnë” e lënë më shumë ndikim në shiritin e kujtesës.

Së pari, bëri përshtypje në shtyp, por dhe në qarqet profesionale e akademitë diplomatike, simbolika e një gjesti emocionues, fisnik dhe domethënës: Presidenti një vend i vogël, Z.Nishani, dekoroi me urdhrat dhe medaljet e vendit të shqiponjave, personalitetet më në zë, drejtues të SAI-ve evropiane, drejtuesin aktual të KLSH dhe disa auditues e ekspertë me kontribute të spikatura të këtij institucioni. (Mirënjohje e lartë ndaj gjestit të presidentit Nishani!).

Mirëfilli, si gjest i rëndësishëm maturie dhe përmasë përulësie, do të kishim dëshirën të festonin 95 vjetorin e Institucionit, sikurse u kremtua 90 vjetori i krijimit të KLSH, por kushtet e pandemisë së COVID-19 nuk e lejojë një gjë të tillë. Megjithatë, promovimi i zellshëm i vlerave afro një shekullore, evokimi i “stivës” së vyer të kujtimeve, reflektimeve, enigmave dhe shndërrimeve të institucionit më të lartë shtetëror të auditimit, do të kremtohet menjëherë me zhdarravitjen e kufizimeve dhe vendosjen e normalitetit në vend.

Së dyti , nga KLSH panë dritën e botimit e të evokimit seti i “Dokumenteve të Këshillit Kontrollues”, “Historiku i KLSH 1925-2012” dhe albumi “90 vjet KLSH” (në vitin 2015), si pasaporta historike e dokumentare e këtij institucioni afro shekullor, që pret për tu rizbuluar nën dritën e mekur të arkivave të harruara. Historiku i KLSH mundëson të gjurmohen fillesat e institucionit suprem të auditimit, jetik për mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe të Kuvendit në administrimin e parasë publike.

Aty pasqyrohen format dhe emërtesat zyrtare që institucioni ka marrë në rrjedha të ndryshme të historisë së shtetit shqiptar, duke u plotësuar me kontributet dhe ndriçimin e periudhës së Pavarësisë dhe Mbretërisë shqiptare, por edhe duke korrigjuar deformimin e tij gjatë diktaturës, shpalosur zhvillimet e vrullshme në demokraci e deri në ditët tona, si dhe përpjekjet e punonjësve të tij për të krijuar profilin e profesionistit të realizuar. Gjithashtu, si një xhevahir dhe dritare informimi e përjetimi, rrëzëllen me origjinalitetin e vet modest, muzeu i KLSH-së, që mirëpret vizitorë e qytetarë të përkushtuar jo vetëm gjatë Muajit të Hapur.

Së treti, Kryetari i KLSH Z.Bujar Leskaj, (drejtuesi me mandatin më të gjatë si kryetar i KLSH në historikun e këtij institucioni), do të paraqesë së afërmi propozimet për dekorimet e meritës, në solemnitet të këtij jubileu dhe kulmari, ashtu siç e do “adeti” i këtyre stacioneve të historisë së shtetformimit dhe konsolidimit institucional. Vlerësimet me urdhrat dhe medaljet më të larta i meritojnë institucioni i pavarur shtetëror, kombëtar e kushtetues i KLSH-së, si dhe personalitetet që i kanë falur atij jetën, mundin dhe shpirtin, duke filluar nga themeluesit atdhetarë e patriotë si, Kol Thaçi, Rrok Gera, Xhaferr Ypi, Llambi Aleksi, Fejzi Alizoti, Rrog Gera, Lame Karreco, Eqerem Libohova, Izedin Beshiri, e të tjerë.

1. Këto shtetarë dhe njerëz mendjendritur, pavarësisht kontureve kufizuese dhe kornizave të kohës, hodhën themelet e një institucioni modern auditimi, Këshillit Kontrollues, themeluar me Dekret-Ligjën Nr.21, të datës 20 Maj 1925, në përkatësi krahasimi me simotrat në vendet më të përparuara të asaj kohe.

2. Jo vetëm për dinjitetin e zyrtarëve dhe shërbyesve të denjë e shembullorë të shtetit, që kontribuan me profesionalizëm në strukturën e kontrollit shtetëror, por edhe për sfidat e mbijetesës në një sistem politik të izoluar, ekstremisht totalitar e me kalvarin e burgjeve e të gjenocidit, me vargonjtë e një makinerie të përbindshme të mynxyrave më të pa imagjinueshme, ashtu sikundër do ta përjetonte historiani gjerman Dr. Ulrich Mahlert , “unë e kam të qartë se në asnjë vend të Evropës Lindore e Qendrore nuk ka patur një diktaturë të tillë kaq brutale si në Shqipëri”.

3. Për rrugëtimin e KLSH në demokraci, përkrah me Standardet Ndërkombëtare të Auditimit dhe punën për implementimin e kuadrit të ISSAI-ve, si dhe për atë vlerësim nga institucionet më të larta Evropiane dhe Amerikane. Raport progresi i KE për Shqipërinë, 26.5.2019, ka shprehur se, “Kuadri kushtetues dhe ligjor i Shqipërisë parashikon pavarësinë e Institucionit Shtetëror të Auditimit (SAI), në linjë me standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI).Trajektorja e zhvillimeve të institucionit shtetëror të auditimit ka vijuar me “përvetësimin” e filozofisë dhe të qasjes së re globale mbi vizionin e auditimit shtetëror dhe misionin e shërbimit vlerë-shtues si shërbyes civil i qytetarit.

Nderimi i themeluesve të Këshillit Kontrollues është ndjenjë lartësimi, fisnikërie dhe respekti jo thjeshtë për to dhe kontributet e tyre themelore e të shumëçmuara, por për shtetin, funksionet e institucionet e tij dhe auditimin publik, ndaj mbetemi shpresë plotë që propozimi për dekorimin dhe panteonin e nderit për to, do të gjejë mbështetjen e Presidentit të vendit. Dhe ky është rasti i duhur. Ruaj në kujtesë një paragraf të ligjëratës së mbajtur me audituesit e KLSH-së, nga Profesori i shquar i Universitetit të Nebraskës-Lincoln, Sang M. Lee. “Njerëzit në botë dallohen e klasifikohen midis tyre sipas disa mënyrave,-do të shpjegonte profesor Lee.- Por, më i rëndësishmi është qëndrimi që ata mbajnë ndaj rastit:

 Disave, rasti u kalon përpara syve. Ata nuk reagojnë dhe…rasti ikën në punën e vet!

 Kategoria e dytë: E administrojnë rastin në momentin e duhur sipas qëllimit të tyre. Këto janë europianët!

 Të tjerë: E kërkojnë rastin, por…ai nuk vjen! Atëherë, e nxjerrin atë nga fundi i dheut! Këto janë amerikanët!”-mbylli rrëfimin profesori.


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas