Intelektualët më të spikatur të rilindjes janë shfaqur mbrëmë nëpër ekrane në emisionet e darkës, aty ku luftohet për të ruajtur nderin e qeverisë, me një argument që ka shtangur këdo që i ka dëgjuar.
Sigurisht të kordinuar dhe me talkin-points të shkruara nga zyra e propagandës, ata kanë nxjerrë opozitën fajtore për ngjarjen e Elbasanit, duke dënuar provokimin e rëndë me simbolet e partisë që kanë përdorur demokratët ditën kur prisin liderin e tyre Lulzim Basha në qytet.
Këta analistë kanë arritur në konkluzionin se thirrjet politike “Rama Ik” dhe përdorimi i flamujve blu, janë një krim i rëndë, që duhet dënuar.
Dhe meqënëse nuk ka ligj për këtë, sepse Kushtetuta jonë e garanton lirinë e shprehjes, atëherë duhen përdorur instrumenta të tjerë, që janë banditët e mujsharët që rastësisht po shoqëronin atë ditë Kryeministrin.
Këta mendjendritur, nuk thonë asnjë fjalë, përse 6 persona me precedentë të fortë penalë, janë eskorta e shefit të qeverisë. Asnjë fjalë, se si ata, thirrjeve politike “Rama Ik”, iu përgjigjen me sharje banale rruge për Bashën, dhe sigurisht heshtje totale për grushtat, tërheqjet zvarrë dhe kërcënimet ndaj qytetarëve, nën hundën e policisë.
Kur anija fut ujë, të merr me vete edhe llogjikën. Kjo po ndodh edhe me avokatët publikë të qeverisë. Të cilët, kanë kohë që janë kthyer në një prej arsyeve për të ndëshkuar me 25 prill formacionin që kërkon të rrijë në pushtet me çdo kusht. Ata janë shpesh e më shpesh, më revoltues dhe me neveri ndjellës se sa edhe vetë ministrat, taulantët dhe elisat.