Po bëhet gjithmonë e vështirë që njerëzit të lënë celularët e tyre edhe kur janë duke ngrënë, për të biseduar me njëri-tjetrin. Prandaj një rrjet restorantesh ka vendosur që t’i bindë ndryshe klientët e tij.
Sipas BBC, rrjeti Frankie & Benny, u kërkon prindërve që të dorëzojnë celularët tek stafi i restorantit dhe në këmbim ata do marrin falas ushqimin për fëmijët.
Rrjeti i restoranteve thotë se janë nisur nga një studim i fundit që tregon se fëmijët duan që prindërit e tyre të shpenzojnë më pak kohë në celular dhe më shumë për të folur me fëmijët.
Rreth 10 përqind e fëmijëve thonë se ua kanë fshehur celularin prindërve për të fituar më shumë vëmendje prej tyre. 23 përqind e prindërve thonë se ata shohin celularin edhe kur fëmijët u tregojnë se si e kanë kaluar ditën.
Një e katërta e prindërve thonë se e shohin celularin teksa janë duke ngrënë në familje.
Rrjeti që ka ndërmarrë këtë nismë ka në pronësi 250 restorante.