Partia Socialiste do të mbledhë nesër Asamblenë e saj për të diskutuar rezultatin e zgjedhjeve dhe veprimtarinë e strukturave organizative. Kjo mbledhje i paraprin Kongresit të 12 qershorit, ku pritet që Rama të prezantojë dhe kabinetin e ri qeveritar që votbesohet në shtator.
Në axhendën e Asamblesë që do të mbahet online nuk përmendet fakti nëse do të votohet një Kryesi e re e partisë, e cila prej pranverës së vitit që shkoi është në shtyrje të mandatit të saj. Kryetari i PS-së, Edi Rama, po e drejton partinë pa pasur nevojën e strukturave drejtuese të saj në vendimmarrje dhe kjo u pa dhe në mbledhjen e fundit të Asamblesë në 9 Tetor 2020, e cila përfundoi në një “one man show” ku 350 anëtarët e saj u shndërruan në spektatorë të spektaklit të Ramës të vetëm në skenë.
Kryesia socialiste ka “përjashtuar” gjysmën e anëtarëve të saj nga listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e fundit dhe kjo e bën dhe më emergjente rifreskimin e saj. Por, në axhendën e ditës së nesërme nuk preket specifikisht votimi për Kryesinë e re. Socialistët kanë shtyrë prej një viti zgjedhjet e reja në Kryesinë e partisë së cilës i ka skaduar mandati që vjet në pranverë.
Gjatë mbledhjes së fundit të Asamblesë edhe pse në axhendë parashikohej votimi i Kryesisë së re, Rama preferoi ta ngrinte Kryesinë e vjetër duke i zgjatur mandatin. Kjo u kuptua si lëvizje për të mos prishur ekuilibrat dhe krijuar pakënaqësi disa muaj para zgjedhjeve.
Në zgjedhjet e 25 prillit disa prej tyre nuk janë zgjedhur deputetë në zgjedhjet e fundit, disa për shkak të përjashtimit që u bëri Rama nga lista e kandidatëve dhe disa të tjerë pasi u vendosën në fund të listave dhe nuk arritën dot të merrnin votat e duhura për t’u rizgjedhur.
Kryetari i partisë largoi nga lista e kandidatëve kritikun e vetëm në kryesi Ditmir Bushatin dhe bashkë me të edhe tre gra anëtare të kryesisë Vasilika Hysi, Eglantina Gjermeni e Valentina Leskaj. Ndërkohë dy anëtarë të tjerë nuk arritën dot të merrnin vota nominale për të kaluar pengesën e renditjes në listë.
Pandeli Majko që militonte në këtë parti prej 30 vitesh dhe kishte qenë dy herë kryeministër doli nga politika në zgjedhjet e 25 prillit. Të njëjtin fat pati dhe Mimi Kodheli, një bashkëpunëtore e hershme e Ramës dhe ministre e tij.