Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka shprehur ambicien për të rikandiduar në krye të Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet e ardhshme vendore të vitit 2023.
Në një intervistë për Klan News nga sheshi “Italia”, aty ku zhvillohet një prej paneleve të Kongresit të PS, Veliaj tha se do të kandidojë sërish për kryetar të Bashkisë së Tiranës për të vazhduar projektet për kryeqytetin.
Pyetje: Meqënëse është edhe një ndezje motorësh për zgjedhjet vendore të 2023, a do të kemi një kandidaturë tjetër, një përpjekje tjetër për të kërkuar ju votën e qytetarëve të Tiranës për të qenë në krye të Bashkisë?
Veliaj: Tirana nuk është perfekt, por Tiranës i kanë shkuar punët më mirë këto 7 vite se sa në epokën e gjumit. Mund të jetë akoma më e pastër dhe na duhet ndihma e të gjithëve. Mund të jetë akoma më e rregullt dhe na duhet ndihma e të gjithëve. Qyteti po rritet në përmasa të jashtëzakonshme. Tirana para 7 vitesh rritej me një numër shumë të vogël banorësh, 4-5-6 mijë. Vjet është rritur me 32 mijë. Do të thotë që Tirana është bërë aq atraktive saqë jo vetëm nga të gjithë cepat e Shqipërisë, sot kemi italianë që jetojnë në Tiranë, sot kemi shumë prej shqiptarëve të rajonit që e kanë patjetër një apartament në Tiranë, të imagjinosh që nuk ka as det. Do të thotë që mjafton të shikosh faktin që Tiranës çdo vit, në 7 vitet e fundit, i është rritur vlera e pronës me 10-15% do të thotë që dhe kundërshtari ynë më i madh vetëm duke ndenjur në shtëpi dhe duke sharë në Facebook është bërë më i pasur.
Pyetje: Kjo është një po, që ju do kandidoni?
Veliaj: Kjo është një po që ne duam të vazhdojmë progresin në Tiranë. Ky vit është special, Tirana është kryeqyteti evropian i rinisë dhe do doja që përveç këtij viti special ne të ishim kryeqyteti evropian i diçkaje çdo vit, kështu që duam ta vazhdojmë deri në fund këtë projekt.