A do të ketë zgjedhje më 13 Tetor?!

Një dekret i Presidentit qëndron në fuqi për zgjedhje lokale më 13 tetor, por gjasat që KQZ të marrë përsipër organizimin e tyre janë të pakta, pasi ky institucion nuk e ka njohur dekretin e mëparshëm të Metës për anulimin e votimeve të 30 qershorit. A do të certifikohen zgjedhjet e 30 qershorit, dhe a do të ketë sërish zgjedhje në 13 Tetor, si një mundësi për daljen nga kriza? Flasin për MAPO gazetarët Andi Bejtja, Sokol Balla dhe Erl Murati

Nga Blerina Gjoka



Në tavolinën rrethore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve qëndron një kërkesë e disa partive politike të opozitës për nisjen nga puna për organizimin e zgjedhjeve vendore më 13 tetor 2019. Në mbledhjen e thirrur sot nga kryetari Klement Zguri, pritet të jepet një përgjigje zyrtare për këtë datë, e dekretuar nga Presidenti i Republikës që në qershor.

Por të gjitha gjasat janë që kolegët e Zgurit në këtë tavolinë ta hedhin poshtë këtë kërkesë, pasi ata kanë hedhur më parë poshtë një dekret të presidentit që anulonte datën 30 qershor për zgjedhjet vendore. Me votat e shumicës së anëtarëve të KQZ-së, që njihen si anëtarë të afërt me mazhorancën në pushtet, zgjedhjet vendore janë realizuar më 30 qershor pa praninë e opozitës.

Në këtë mënyrë, vendi ynë ka hyrë në një situatë të paprecedentë ligjore dhe Kushtetuese.

Pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale më 30 qershor edhe pse ato ishin anuluar me një dekret presidencial dhe në të nuk merrte pjesë opozita, një tjetër datë zyrtare zgjedhjesh është në fuqi, ajo e 13 tetorit. Presidenti Ilir Meta i shtyu zgjedhjet për në vjeshtë, për t’u dhënë mundësinë partive politike të negocionin për zgjidhjen e krizës politike.

Po ashtu, ai e ka parë këtë si një shans, për të treguar vullnet e përgjegjshmëri të politikës shqiptare, pasi 5 ditë pas 13 tetorit, do të jetë vendimi Europian, për çeljen e negociatave me Shqipërinë.

Por kjo nuk ndodhi. 30 qershori u vu në zbatim, dhe tashmë 61 kryetarë bashkish që në mënyrë të paprecedentë në 29 vite pluralizëm politik i përkasin vetëm një partie dhe në shumë raste janë zgjedhur pa konkurrent tjetër përballë, po presin vendimet e gjykatave për të marrë detyrën, pasi KQZ-ja nuk merr dot një vendim unanim për njohjen e mandateve, siç e parashikon ligji në fuqi.

Mesazhet që vijnë nga kampet politike thjesht sa e thellojnë krizën dhe paqartësinë për datën 13 tetor.

Opozita, e cila prej muajit shkurt ka djegur mandatet parlamentare dhe është në protestë kundër qeverisë duket se është e gatshme të hyjë në zgjedhje në Tetor nëse këto do të mbahen sipas dekretit presidencial.

Lideri demokrat Lulzim Basha tha dje se KQZ ka detyrim ligjor të përgatisë procesin.

“Shteti dhe partia janë dy gjëra të ndryshme. Ka një ndryshim rrënjësor midis të drejtës kushtetuese dhe të drejtës partiake. I vetmi akt me fuqi kushtetuese në lidhje me zgjedhjet është dekreti i Presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve më 13 tetor. Është detyrim i pashmangshëm dhe i padiskutueshëm i KQZ-së dhe institucioneve të tjera shtetërore të përgatisin infrastrukturën për këto zgjedhje. Partitë politike, pastaj, kanë të drejtën e tyre të marrin apo jo pjesë në këto zgjedhje”, tha ai dje, ndërsa partitë e vogla opozitare vunë në lëvizje KQZ-në me kërkesën e tyre.

Megjithatë, z. Basha nuk ka hequr dorë nga kërkesa për një qeveri tranzitore që do të përgatisë zgjedhje të lira e të ndershme, dhe për ndëshkimin nga drejtësia të atyre që u kapën duke vjedhur votat. Kreu i opozitës, është shprehur në favor të mbajtjes në të njëjtën ditë të zgjedhjeve, vendore dhe parlamentare, por pa përmendur në veçanti 13 tetorin. Ai thotë në të njëjtën ditë, dhe nuk thotë në të njëjtën datë.

Presidenti Ilir Meta ka propozuar që më 13 tetor të kishte edhe zgjedhje të reja parlamentare, madje të zgjidhej me votë popullore dhe presidenti i Republikës, edhe pse nuk është e parashikuar në Kushtetutë.

Por Kryeministri Edi Rama duket i vendosur në qëndrimet e tij dhe e ka refuzuar këtë ide.

“Zgjedhjet janë bërë në 30 qershor, ne jemi shumë të angazhuar për të filluar mbarë procesin e qeverisjes vendore dhe për këtë kemi ngritur dhe tre këshilla vendorë dhe ky është fokusi ynë. Për mua 13 tetori është një ditë normale, nuk është se njoh ndonjë gjë tjetër. Është një e diel si të gjitha të dielat që kemi përpara”, u shpreh Rama.

Por, pavarësisht qëndrimeve publike, dekreti presidencial për 13 tetorin vijon të jetë në fuqi. Se çfarë do të ndodhë me këtë dekret sinjali i parë do të jepet sot në mbledhjen e KQZ-së.

Duke analizuar këtë ngërç ligjor e politik për gazetën MAPO gazetarët Andi Bejtja, Sokol Balla dhe Erl Murati kanë ide të ndryshme.

 

Zgjedhje më 13 tetor? Sokol Balla: Iluzion i presidentit 

Data 13 tetor është një ditë pushimi për KQZ-në, jo një ditë zgjedhjesh lokale sipas dekretit të presidentit. Për gazetarin Sokol Balla kjo datë është një iluzion i presidentit, pasi zgjedhjet janë bërë më 30 qershor edhe pse ishin të cunguara nga mungesa e opozitës.

Z.Balla, pas votimeve të 30 qershorit, të cilat u zhvilluan në bojkot të opozitës dhe pas anulimit të tyre me dekret nga presidenti, një datë tjetër zyrtare e dekretuar prej tij është në fuqi, ajo e 13 Tetorit. Çfarë do të ndodhë me këtë dekret sipas jush? A do ketë zgjedhje të reja më 13 tetor? Si e vlerësoni rolin e presidentit në këtë krizë?

Zgjedhje patëm në 30 qershor, qenë të cunguara si zgjedhje demokratike për shkak të aksionit të dështuar të Bashës. Kolegji Zgjedhor, organi më i lartë pa të drejtë rekursi i vendimeve për zgjedhjet e ka zgjidhur këtë dilemë. Presidenti, i cili ka nisur një rrugëtim të tij për kushedi se ku, shpalli një dekret të tretë për një palë zgjedhje dhe tani kërkon edhe zgjedhje presidenciale në një Republikë, ku kreu i shtetit zgjidhet nga parlamenti.

Nëse Gjykata Kushtetuese ngrihet para 13 tetorit dhe nëse vlerëson dekretet e Metës si kushtetuese, ndoshta kjo datë hyn në kalendar. Deri atëherë mbetet pjesë e iluzioneve apo deluzioneve të presidentit dhe që po ua përçon dhe disa partive të vogla, për zgjedhje në 13 tetor, një ditë pushimi edhe për KQZ. As Gjykata Kushtetuese nuk merr vendim deri në 13 tetor dhe askush nuk do dalë atë ditë për votime, vetëm nëse presidenca bën kuti votimi me kartona dhe cakton Tedi Blushin për të drejtuar nga Facebook-u procesin. Po pastaj këtu hyjmë te patologjitë klinike, unë kam mbaruar shkollën për gazetar, jo për doktor.

Zgjedhjet e 30 qershorit krijuan një precedent duke i lënë në dorë gjithë pushtetin lokal një partie dhe duke bërë zgjedhje me një kandidat në disa qytete, gjë që rrëzon parimin kryesor të zgjedhjeve demokratike. A besoni se faktori ndërkombëtar që i pranoi zgjedhjet në këto kushte do t’i certifikojë ato si të lira dhe demokratike?

Faktori ndërkombëtar do certifikojë procesin teknik, por procesin politik dhe mundësinë e zgjedhjes e shkatërruan partitë politike, më saktë ata që bojkotuan. Ndërkombëtarët certifikimin ua kanë lënë institucioneve shqiptare, njëlloj si gjetjen e zgjidhjes së krizës.

Kriza po thellohet mes palëve dhe nuk duket se ka shenja dialogu mes tyre. Por nga ana tjetër vihet re një përgatitje elektorale me PS-në që riorganizoi partinë dhe me PD-në që ka nisur një tur në rrethe. A mos ka nisur një fushatë për një palë zgjedhje të reja parlamentare të parakohshme, që kërkohen me ngulm dhe nga opozita? Sa shanse ka të ndodhë kjo dhe si mund të shkohej drejt zgjedhjeve të parakohshme?

Mazhoranca ka marrë pjesë në zgjedhje. Partia Demokratike jo. Nuk di për çfarë po përgatitet PD-ja kur s’pranon asnjë negociatë me Ramën kryeministër. Rama nuk ikën se e thotë Basha. E provoi këtë 6 muaj dhe tani po rrezikon të ikë vetë, pas lëvizjes së lajmëruar kundër tij në bazën e PD në shtator. Nuk më rezulton që zyrtarisht opozita do zgjedhje të parakohshme. Ka zëra individualë, por Basha me sa di, kërkon qeveri tranzitore dhe jo zgjedhje. Gjithsesi, nëse do vijë ajo ditë që Basha vërtet do të kërkojë të hyjë në zgjedhje do të bëjmë të gjithë festë, pa përjashtim.

Një tjetër datë e rëndësishme është shënuar në kalendar në tetor, ajo e 18 tetorit kur pritet një tjetër përgjigje nga Brukseli për çeljen e negociatave. Sa shanse ka sipas jush Shqipëria të marrë një përgjigje pozitive pas disa refuzimesh dhe a është vetëm kriza politike ndikuese në këtë përgjigje apo pesha kryesore i bie qeverisë për plotësimin e kushteve?

Nuk ka patur refuzim, ka patur disa herë shtyrje. Herë për fajet tona, herë për hallet e Europës. Unë mendoj se tetori është një datë optimiste për marrjen e datës për çeljen e negociatave. Kujtoj se de facto negociatat kanë filluar prej dy vjetësh, për dy kapitujt më të rëndësishëm mos gaboj, 23 dhe 24. Për sa u përket përgjegjësive, në raport-progres cilësohet ku është përgjegjësia e ekzekutivit dhe aty ai ka marrë vlerësimin pro hapjes. Kur vjen puna te Shqipëria, sigurisht përgjegjësi kanë të gjithë, por me kaq herë sa po na e shtyjnë këtë punë, pak rëndësi ka kush e ka përgjegjësinë, të vetmit të shqetësuar duken Ilir Meta dhe Olti Curri.

 

Andi Bejtja: 13 Tetori qëndron juridikisht, por zgjedhje s’do të ketë

Vetëm me një nisje nga zero, me një qeveri tranzitore dhe krijimin e institucioneve dinjitoze të drejtësisë do të kishte zgjedhje të reja të lira. Kështu mendon analisti Andi Bejtja, i cili e sheh datën 13 tetor si një datë juridike në fuqi, por të pazbatueshme nga një KQZ që e ka shpërfillur dekretin e presidentit që në fillim.

Z.Bejtja pas votimeve të 30 qershorit, të cilat u zhvilluan në bojkot të opozitës dhe pas anulimit të tyre me dekret nga presidenti, një datë tjetër zyrtare e dekretuar prej tij është në fuqi, ajo e 13 Tetorit. Çfarë do të ndodhë me këtë dekret sipas jush? A do ketë zgjedhje të reja më 13 tetor? Si e vlerësoni rolin e presidentit në këtë krizë?

Teorikisht 13 tetori qëndron akoma si datë, edhe juridikisht gjithashtu, dhe për faktin që po të vini re raportin paraprak të OSBE–ODIHR-it thotë në mënyrë eksplicite që është Gjykata Kushtetuese ajo e cila mund ta shqyrtojë dekretin e Presidentit dhe asnjë organizëm tjetër. Pra, teorikisht dhe juridikisht 13 tetori qëndron si datë, por praktikisht mendoj, për të qenë më konkret, se zgjedhjet nuk do të ndodhin sepse ishte ajo KQZ që nuk e respektoi këtë dekret që në fillim dhe nuk ka se si ta respektojë në një fazë të dytë. KQZ-ja nuk ka për të marrë përsipër realizimin e zgjedhjeve, ashtu siç nuk mori përsipër dhe shtyrjen e tyre. Praktikisht këto zgjedhje nuk do të bëhen.

Për sa i përket rolit të Presidentit, ai është treguar i kujdesshëm dhe ka dashur të qëndrojë mbi palët dhe unë mendoj se ia ka arritur kësaj. Pavarësisht nga fjalët që shumë analistë të majtë e konsiderojnë si opozitar në lëvizjet e tij, unë mendoj se ai qe i pari që shoi në mënyrë të drejtpërdrejtë lëvizjen e opozitës “Rama Ik”. Ai vërtet i bëri thirrje mazhorancës të bëjë dy hapa pas dhe opozitës një hap pas, por një hap pas i opozitës në këtë rast është sa 10 hapa pas të mazhorancës dhe mendoj se mazhoranca nuk kishte pse të mërzitej kaq shumë me dekretin e Presidentit. Po ashtu, presidenti po tregohet shumë serioz për sa i përket datës së integrimit duke u munduar të vërë një theks të veçantë që data 18 tetor është shumë e rëndësishme për Shqipërinë, gjë që nuk po e kuptojnë dy forcat kryesore.

Por, pavarësisht këtyre lëvizjeve, e kam shprehur dhe në një editorial timin më parë, mendoj se Shqipëria është në një moment kur duhet të nisë nga zero gjithçka, ku duhet të bërë të bëjë një “reset factory”.

Gjithçka të nisë nga fillimi dhe pa mbaruar krijimi i Gjykatës Kushtetuese dhe organizmave të tjerë të mos bëhen zgjedhje, po të ngrihet një qeveri tranzitore që t’i presë këta organizma të ndërtohen nga e para dhe të hyjnë në zgjedhje normale. Po që të bëhet kjo duhet një vullnet politik nga të gjitha palët që me thënë të drejtën në këto momente unë nuk e shoh dhe është e vështirë të parashikosh se ç’do të ndodhë në të ardhmen.

Votimet e 30 qershorit krijuan një precedent duke i lënë në dorë gjithë pushtetin lokal një partie dhe duke bërë zgjedhje me një kandidat në disa qytete, gjë që rrëzon parimin kryesor të zgjedhjeve demokratike. A besoni se faktori ndërkombëtar që i pranoi zgjedhjet në këto kushte do t’i certifikojë ato si të lira dhe demokratike?

Raporti paraprak i OSBE-ODIHR-it e bën të qartë se nuk do t’i njohin këto zgjedhje dhe nuk ka si t’i njohin, janë zgjedhje të pamonitorueshme për standardet e tyre. Megjithatë unë prapë mendoj që kriza do të ngelet të zgjidhet në dorën e shqiptarëve dhe institucioneve shqiptare.

Shpresoj që Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese të ngrihen sa më shpejt në parametrat e duhur dhe të japin një përgjigje dinjitoze që ta shpëtojnë Shqipërinë nga ky qerthull dhe rrugë pa krye në të cilën është futur, përderisa forcat politike, kryesisht mazhoranca, ende nuk e ka marrë këtë përgjegjësi.

Kriza po thellohet mes palëve dhe nuk duket se ka shenja dialogu mes tyre. Por nga ana tjetër, vihet re një përgatitje elektorale me PS-në që riorganizoi partinë dhe me PD-në që ka nisur një tur në rrethe. A mos ka nisur një fushatë për një palë zgjedhje të reja parlamentare të parakohshme, që kërkohen me ngulm dhe nga opozita? Sa shanse ka të ndodhë kjo dhe si mund të shkohej drejt zgjedhjeve të parakohshme?

Nuk ka logjikë që me këtë Kushtetutë të përdhunuar, me këto ligje të shkelura dhe me këtë drejtësi të kapur të zhvillosh një palë zgjedhje të lira dhe të ndershme. E ritheksoj dhe një herë janë zgjedhjet për politikën, por jo për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Një tjetër datë e rëndësishme është shënuar në kalendar në tetor, ajo e 18 tetorit kur pritet një tjetër përgjigje nga Brukseli për çeljen e negociatave. Sa shanse ka sipas jush Shqipëria të marrë një përgjigje pozitive pas disa refuzimesh dhe a është vetëm kriza politike ndikuese në këtë përgjigje apo pesha kryesore i bie qeverisë për plotësimin e kushteve?

Shanset që Shqipëria të marrë një përgjigje pozitive nga Europa janë pothuajse zero. Disa vende e kanë bërë të qartë që nuk do t’ia japin këtë shans Shqipërisë, sikurse janë shtuar dhe vendet dyshuese. Sigurisht dhe pas këtyre zgjedhjeve, pas zbardhjes së dosjes 184, mendoj se nuk ka asnjë shans. Fatkeqësia do të jetë nëse Shqipëria do të ndahet nga Maqedonia. Deri tani kemi qenë dorë për dore me Maqedoninë për çështjen e integrimit, po duket se tani po ndahemi dhe kjo ndarje do të ishte fatale dhe këtu përgjegjësia e plotë bie mbi mazhorancën. Nëse do të ndodhë kjo ndarje rruga e Shqipërisë për në Europë do të ishte shumë më e largët dhe e pakontrollueshme.

Në këto rrethana vetëm do të shtohet dëshpërimi i popullsisë, por madje do të shohim dhe projekte aventuriere si për shembull bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, që në fakt është më shumë kërcënim për Europën se sa shpëtim për shqiptarët.

 

Erl Murati: 13 tetori, i pamundur, por mund të ketë një marrëveshje politike

Zgjedhjet e reja vendore më 13 tetor janë të pamundura të realizohen, por një marrëveshje politike mes palëve mund të jetë surpriza e vjeshtës. Sipas gazetarit Erl Murati zgjidhja e krizës politike do të vijë vetëm me dakordësinë e të gjitha palëve, ndërsa edhe interpretimet e dekreteve nga Gjykata Kushtetuese nuk do të zgjidhnin gjë.

Z.Murati, pas votimeve të 30 qershorit, të cilat u zhvilluan në bojkot të opozitës dhe pas anulimit të tyre me dekret nga presidenti, një datë tjetër zyrtare e dekretuar prej tij është në fuqi, ajo e 13 Tetorit. Çfarë do të ndodhë me këtë dekret sipas jush? A do ketë zgjedhje të reja më 13 tetor? Si e vlerësoni rolin e presidentit në këtë krizë?

Se çfarë do të ndodhë me dekretin për zgjedhjet me 13 tetor, është mjaft e qartë: ai nuk do te zbatohet nga asnjë institucion. Kjo është paralajmëruar nga kryeministri i cili ka deklaruar se 13 tetori është njësoj si 12 tetori, njësoj si 14 tetori.

Interpretimin përfundimtar për 3 dekretet e presidentit (caktim date-shfuqizim date-ricaktim date) mund ta bëjë Gjykata Kushtetuese, nëse dhe kur ajo të jetë funksionale. Në çdo rast zgjidhja e krizës politike ka kërkuar gjithnjë dakordësinë e palëve dhe unë nuk mendoj që një interpretim i thatë i dekreteve të Metës nga ana e gjykatës, do të zgjidhte diçka.

Teorikisht, gjykata mund ta quajë të ligjshme datën 13 tetor, por pa vullnetin dhe pjesëmarrjen e opozitës, do të kishim sërish zgjedhje të gjymtuara.

Për shkak të kompetencave të limituara, presidenti mund të bëjë pak ose aspak për ta zgjidhur institucionalisht krizën totale juridiko-politike në Shqipëri. Por, ai ka ndikim te vendimet e opozitës dhe ai mund të përcaktojë nuancat që do të marrë kjo krizë në të ardhmen.

Dhe e fundit, historia e politikës pluraliste shqiptare, në jo pak raste, është një histori marrëveshjesh që mbahen larg syrit të publikut. Nga kjo pikëpamje, nuk do të ishte çudi që luftëtarët e sotëm në të gjithë krahët t’i shohim duke buzëqeshur dhe duke bërë qepalla me njëri-tjetrin, siç ka ndodhur shpesh në të kaluarën, në teatrin politik shqiptar.

Votimet e 30 qershorit krijuan një precedent duke i lënë në dorë gjithë pushtetin lokal një partie dhe duke bërë zgjedhje me një kandidat në disa qytete, gjë që rrëzon parimin kryesor të zgjedhjeve demokratike. A besoni se faktori ndërkombëtar që i pranoi zgjedhjet në këto kushte do t’i certifikojë ato si të lira dhe demokratike?

Unë besoj se 30 qershori është një histori e mbyllur dhe faktori ndërkombëtar “i ka certifikuar” ato, pavarësisht se ka vënë re me të drejtë se u cenua parimi i përzgjedhjes së alternativave.

Edhe beteja e opozitës besoj do të fokusohet te Rama dhe qeveria e tij duke sjellë shfokusim nga pushteti vendor drejt atij qendror. Në fund të fundit, Lulzim Basha synon të bëhet kryeministër i vendit dhe jo kryetar bashkie. Ndaj, ai “sakrifikoi” përfaqësimin në zgjedhjet lokale për të arritur qëllimin madhor: zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Deri tani kjo strategji ka dështuar, por nëse ajo do të triumfojë në të ardhmen, do të jetë meritë pothuajse personale e dy njerëzve, Sali Berishës dhe Lulzim Bashës.

Kriza po thellohet mes palëve dhe nuk duket se ka shenja dialogu mes tyre. Por nga ana tjetër, vihet re një përgatitje elektorale me PS-në që riorganizoi partinë dhe me PD-në që ka nisur një tur në rrethe. A mos ka nisur një fushatë për një palë zgjedhje të reja parlamentare të parakohshme, që kërkohen me ngulm dhe nga opozita? Sa shanse ka të ndodhë kjo dhe si mund të shkohej drejt zgjedhjeve të parakohshme?

Perceptimi juaj është i drejtë, palët janë në fushatë. Madje kështu duhet parë edhe acarimi i toneve të presidentit ndaj qeverisë dhe kryeministrit.

Kjo fushatë u leverdis të gjithëve:

  1. Ramës që e zhvendos vëmendjen nga bilanci i qeverisjes apo keqqeverisjes dhe e devijon te batutat e cicmicet me opozitën.
  2. Bashës sepse e heq vëmendjen e të tijve nga dështimi i aksionit opozitar që nisi me djegien e mandateve të deputetëve, vazhdoi me bojkotin e zgjedhjeve dhe… kur të gjithë prisnin largimin e Ramës dhe qeverinë tranzitore, ndodhi 30 qershori. 30 qershori ishte një tullumbace e fryrë nga opozita me mushkëritë e shqiptarëve që plasi në fytyrën e Lulzim Bashës.
  3. Metës, që ka nevojë për atmosferë fushate për t’u konfirmuar lojtar i rëndësishëm dhe për të meremetuar LSI-në, e cila e ka vuajtur luftën që i ka bërë Rama që nga vera e vitit 2017.

Një tjetër datë e rëndësishme është shënuar në kalendar në tetor, ajo e 18 tetorit kur pritet një tjetër përgjigje nga Brukseli për çeljen e negociatave. Sa shanse ka sipas jush Shqipëria të marrë një përgjigje pozitive pas disa refuzimesh dhe a është vetëm kriza politike ndikuese në këtë përgjigje apo pesha kryesore i bie qeverisë për plotësimin e kushteve?

Shqipëria ka shanse të pakta të hapë negociatat për anëtarësimin final në BE, sepse ajo ka bërë pak në plotësimin e 5 kushteve që la një vit më parë Këshilli Europian.

Lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtarëve janë dy nga këto kushte dhe Shqipëria në këtë pikë ka mbetur në vendnumëro. Pothuajse të gjitha skandalet e vitit të fundit nuk janë adresuar siç duhet nga prokuroria dhe gjykatat.

Nga ana tjetër, situata aktuale politike në vend nuk ndihmon. Më bëri përshtypje që komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn, pak ditë më parë, e renditi si pikë problematike për integrimin, iniciativën e PS-së për shkarkimin e presidentit të Republikës.

Në çdo rast, merita e suksesit dhe përgjegjësia e dështimit i takon shumicës. Një opozitë, sado e keqe qoftë, nuk mund ta dëmtojë kurrë vendin ashtu siç mund ta dëmtojë qeveria.


Fatal error: Uncaught ___C_0: (E_ERROR) Trying to access array offset on value of type bool in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config:252 Stack trace: #0 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(13): ___C_5->_errorHandler(2, 'Trying to acces...', '/home/gazetamap...', 13) #1 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_demo_style() #2 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(74): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_image_size() #3 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(63): JNews\Module\Block\Block_9_View->build_column(Array, 'jeg_col_2o3') #4 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(47): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_column(Array, 'jeg_col_2o3') #5 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/BlockViewAbstract.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_output(Array, 'jeg_col_2o3') #6 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/ModuleViewAbstract.php(165): JNews\Module\Block\BlockViewAbstract->render_module(Array, 'jeg_col_2o3') #7 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(1265): JNews\Module\ModuleViewAbstract->build_module(Array) #8 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(205): JNews\Single\SinglePost->related_post(false) #9 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(307): JNews\Single\SinglePost->related_post_hook('') #10 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(331): WP_Hook->apply_filters(NULL, Array) #11 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/plugin.php(474): WP_Hook->do_action(Array) #12 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/fragment/post/single-post-1.php(66): do_action('jnews_single_po...') #13 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(772): require('/home/gazetamap...') #14 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(716): load_template('/home/gazetamap...', false, Array) #15 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/general-template.php(204): locate_template(Array, true, false, Array) #16 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/single.php(16): get_template_part('fragment/post/s...') #17 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template-loader.php(106): include('/home/gazetamap...') #18 /home/gazetamapo/public_html/wp-blog-header.php(19): require_once('/home/gazetamap...') #19 /home/gazetamapo/public_html/index.php(17): require('/home/gazetamap...') #20 {main} thrown in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config on line 252