A duhet të paguajmë tatime e taksa?

Nga Harallamb Kota

Bazuar në formimin tim profesional, i diplomuar në shkencat ekonomike dhe i pajisur me “Dëshmi Kontabël i Miratuar”, e konsideroj të papranueshme konceptin që “nuk duhet të paguajmë tatime e taksa”. Shteti shqiptar nuk mund të qëndrojë në këmbë pa buxhet dhe ky i fundit mbushet me të ardhurat që mblidhen nëpërmjet tatimeve dhe taksave. Kështu funksionojnë edhe ekonomitë e shteteve kufitare dhe ekonomitë e Fuqive të Mëdha. Problemi nuk qëndron në pyetësorin a duhen paguar tatime e taksa, por në çështjen themelore ku shkojnë të ardhurat që mblidhen nëpërmjet tatimeve e taksave. Mendoj se populli i shumëvuajtur shqiptar, asnjëherë nuk ka menduar të kundërshtojë detyrimet karshi shtetit të tij. Por ai “don me dit”, ku shkojnë të ardhurat e mbledhura nga pasuria kombëtare, nga minierat, hidrocentralet, puset naftënxjerrëse, doganat portuale, tatimet, taksat etj. A investohen? Ku investohen? Pse populli është i varfër? Si pasurohen pushtetarët, prokurorët, gjyqtarët? A, funksionon shteti? Pse punësohen në shtet militantët? Pse nuk ndëshkohet padrejtësia, hajdutëria e makutëria?



Populli i shumëvuajtur shqiptar mbështet shpirtërisht njerëzit e ndershëm, por politikanëve për qëllimet e tyre për të sunduar e pasuruar pikërisht ata nuk u vlejnë. Ky realitet është shfaqur haptazi dhe shpresa e vetme mbetet Reforma në Drejtësi. Populli pyet: A do bëhet vettingu? A do kapen peshqit e mëdhenj?

Qeveria mendon se Reforma duhet filluar nga drejtësia dhe Vettingut duhet t’i nënshtrohen gjyqtarët e prokurorët. Kjo është shumë e drejtë. Por po aq e drejtë është edhe zbatimi i reformës në dikasteret qendrore dhe në institucionet shtetërore të cilat kanë në dorë edhe “gurin edhe arën”, pasi janë drejtuesit dhe specialistët e këtyre institucioneve shtetërore që kanë të drejtat ligjore të lidhin marrëveshje interesash me tenderime, koncesione dhe me shfrytëzimin e nëntokës e mbitokës. Për këtë arsye, kam mendimin se Vettingu duhet të përfshijë çdo nëpunës dhe specialist që ka punuar në dikasteret qendrore dhe në pushtetet lokale, për të “shpëlarë figurën” dhe paraqitur para shoqërisë shqiptare me ato cilësi e vlera që mbart personaliteti i tyre, pasi mediat informojnë për pasuri marramendëse të zotëruara nga politikanët e pushtetarët.

Në foltoren e Parlamentit, deputetët që administrojnë shtetin përkrahin reformat e qeverisë dhe votojnë me shumicë buxhetin financiar dhe ligjet lidhur me paketën fiskale, tatimet e taksat. Ndërsa deputetët opozitarë kundërshtojnë nismat qeveritare, e konsiderojnë të papranueshëm buxhetin e paraqitur nga qeveria dhe nxitin mbështetësit e tyre të kundërshtojnë paketën fiskale dhe ligjet e tjera lidhur me tatimet e taksat. Bëhet pyetja: Kush ka të drejtë dhe kush nuk ka të drejtë? Politikanët e krahëve të ndryshme fërkojnë duart, pasi barra fiskale rëndon si gjithnjë mbi kurrizin e popullit, ndërsa rritja e taksave boshatis xhepat e shqiptarëve. Sipas tyre, kështu duhet, pasi kjo quhet politikë dhe ajo sundon më e qetë kur njerëzia lodhet e varfërohet. Nga ana tjetër, populli që e ndjen varfërinë më pranë “don me u çliru” nga barra fiskale dhe pyet pa reshtur lidhur me tatimet e taksat “sa ishin vitin e kaluar dhe sa janë këtë vit”. Janë rritur së tepërmi, thonë me “njani-tjetrin”. Punojmë “tan ditën familjarisht”, blejmë e shesim me fitue 20 lekë për nji artikull. Por shteti ka këndvështrim tjetër, pasi i konsideron ende “mikroborgjezë” dhe pasurimin e tyre të rrezikshëm.

 

Për ta mbajtur shoqërinë shqiptare në kushtet e një varfërie ekstreme dhe mjerimi “migjenian”, qeveritë shqiptare postdiktatoriale kanë shpikur dhe shpikin paketa fiskale antipopullore duke rritur vit pas viti taksat lokale e ato kombëtare. Loja e paketave fiskale dhe e taksave për shërbime, produkte e mallra të ndryshme bëhet mbi kurrizin e popullit duke favorizuar grupe të ndryshme interesash. Konkretisht loja me TVSH dhe akcizat i ngjan “roletave të fatit”, pasi vihet dhe hiqet lidhur me arsimin e lartë, me tekstet shkollore, reklamat, me ilaçet, me mallrat e përdorimit të gjerë, me import-eksportet, me turizmin e objektet turistike etj. etj., ku luhen interesa të mëdha që kapin fitime marramendëse.

Për ta shmangur mundësinë e të kuptuarit të kësaj loje dhe skemave ku shkojnë fitimet e ligjshme e të paligjshme, administratorët shpikin taksa pas taksave që të mbushin buxhetin e boshatisur të shtetit. Po analizojmë dy tendenca qeveritare për të rënduar buxhetet familjare dhe mbushur buxhetin e shtetit, taksën e rrugëve kombëtare dhe TVSH mbi biznesin e vogël me xhiro mbi 2 milionë lekë në vit. Kam mendimin që “autostrada e kombit” duhet mirëmbajtur nga amortizimi dhe dëmtimet e erozionit. Pra, duhen gjetur format dhe mënyrat e financimit nga buxheti i shtetit apo edhe nga vendosja e një takse të studiuar nga specialistë dhe e konsultuar me popullin e atyre anëve, me grupet e interesit, me popullin shqiptar dhe qeverinë e Kosovës. Jemi apo nuk jemi vëllezër, pavarësisht se jetojmë në dy shtete të ndara. Interesi i përbashkët na bashkon dhe “rruga e kombit” është arteria kryesore e “zemrës shqiptare”. Padyshim që duhen vendosur taksat për mirëmbajtjen e kësaj rruge, por taksapaguesit kërkojnë që kjo e ardhur të investohet vetëm për këtë qëllim dhe të mos shkojë në xhepat e pushtetarëve. Edhe për vendosjen e TVSH për biznesin e vogël, qeveria kërkon të ndreqë lëshimin elektoral kur premtoi dhe hoqi detyrimin fiskal ndaj këtij biznesi. Argumenti i specialistëve të Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve se me “peshkun e vogël duhet kapur peshku i madh”, pra duke aplikuar TVSH me biznesin e vogël do formalizojë tregun dhe biznesin e madh, nuk qëndron. Mendoj se formalizimi i faturës tatimore me TVSH, është i drejtë dhe duhet të përfshijë të gjithë qarkullimin e mallrave e shërbimeve të realizuar nga persona fizikë e juridikë të regjistruar në biznesin e vogël, të mesëm apo të madh. Mirëpo tjetër është formalizimi i faturës tatimore me TVSH dhe tjetër është ngarkesa fiskale e shitjeve me TVSH. Në këtë kuptim, mendoj që biznesi familjar, i vogël dhe i mesëm me xhiro nga 0 lekë në 5 milionë lekë, duhet të përdorë fatura tatimore me TVSH, por ta faturojë shitjen apo shërbimin pa TVSH. Ky quhet formalizim i tregut. Ky organizim do mbështesë biznesin familjar dhe biznesin e vogël nga tendencat e falimentimit, do të ndikojë në formalizimin e biznesit të madh, në mbajtjen nën kontroll të të ardhurave dhe të çmimeve të tregut.

Sidoqoftë, rritjes së tatimeve dhe taksave, situata social–ekonomike e shoqërisë shqiptare e krijuar në këto 28 vite postdiktatoriale, jo vetëm nuk po përmirësohet, por është për të ardhur keq, pasi po keqësohet çdo ditë që kalon. Reforma nuk bëhet me llafologjinë e qeveritarëve dhe opozitarëve. Ajo bëhet mbi bazën e ligjeve dhe nga specialistë të ndershëm e të përkushtuar. Kur reforma ekonomike dhe financiare, drejtohet nga specialistë të pakualifikuar dhe udhëhiqet nga drejtues të paaftë, ajo është e destinuar të dështojë. Drejtuesi i shtetit, politikanët, deputetët dhe specialistët e ekonomisë duhet të njohin terrenin, tregun, qarkullimin e mallrave, xhiron dhe fitimin real. Duhet të llogaritin ku shkon fitimi i biznesit familjar, i biznesit të vogël e të madh.

Sa familje ushqehen nga këto të ardhura. Sa individë sigurohen për pension pleqërie nga pagat e paguara nga punësimi. Sa të ardhura përdoren për pagimin e kostove tregtare, tatimeve e taksave të shumta lokale e kombëtare. Specialistët dhe qeveritarët, duhet të kenë parasysh se biznesin familjar të vogël dhe të madh e “thumbojnë” me dhjetëra specialistë të institucioneve e inspektorateve, “që i pinë edhe pikën e fundit të gjakut” me presione të ndryshme që ua mundësojnë ligjet e hartuara nga deputetët tanë të “nderçëm”. Si t’ia bëj e nga t’ia mbaj biznesmeni korrekt e i ndershëm, sepse qeveritarët nuk e duan të tillë dhe i bëjnë dhjetëra presione që të bëhet i pandershëm, e kështu t’i paguajë shtetit diçka dhe inspektorëve gjithçka. Po sjell një rast tepër interesant, lidhur me taksën e zanies së hapësirës publike. Kjo taksë vërtitet nga 750 lekë/m2 në 1500 lekë/m2 dhe vendoset sipas dëshirës së inspektorit të terrenit. Kush ndjek rrugën e ndershme ligjore ndëshkohet, ndërsa kush ndjek rrugën e miqësisë përfiton por edhe paguan ryshfet nën dorë.

Megjithatë pyetjes, “A duhet të paguajmë tatime e taksa” , unë i përgjigjem menjëherë. Që shteti të qëndrojë në këmbë, ekonomia të zhvillohet dhe të ndërtohen vepra botore, kulturore, arsimore e shkencore, populli shqiptar duhet të paguajë tatime dhe taksa. Problemi qëndron në pyetjen fundamentare. Ku shkojnë të ardhurat kombëtare dhe si përdoren të ardhurat nga tatimet e taksat. Lidhur me këtë çështje shoqëria shqiptare duhet të ndërgjegjësohet dhe t’u kërkoj informacion organeve shtetërore. Njëkohësisht populli pa dallim feje, krahine dhe ideje duhet të kërkoj llogari qeverive në pushtet mbi përdorimin e taksave që ai paguan.

Ekonomist “Kontabël i Miratuar”


Fatal error: Uncaught ___C_0: (E_ERROR) Trying to access array offset on value of type bool in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config:252 Stack trace: #0 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(13): ___C_5->_errorHandler(2, 'Trying to acces...', '/home/gazetamap...', 13) #1 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_demo_style() #2 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(74): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_image_size() #3 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(63): JNews\Module\Block\Block_9_View->build_column(Array, 'jeg_col_2o3') #4 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(47): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_column(Array, 'jeg_col_2o3') #5 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/BlockViewAbstract.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_output(Array, 'jeg_col_2o3') #6 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/ModuleViewAbstract.php(165): JNews\Module\Block\BlockViewAbstract->render_module(Array, 'jeg_col_2o3') #7 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(1265): JNews\Module\ModuleViewAbstract->build_module(Array) #8 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(205): JNews\Single\SinglePost->related_post(false) #9 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(307): JNews\Single\SinglePost->related_post_hook('') #10 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(331): WP_Hook->apply_filters(NULL, Array) #11 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/plugin.php(474): WP_Hook->do_action(Array) #12 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/fragment/post/single-post-1.php(66): do_action('jnews_single_po...') #13 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(772): require('/home/gazetamap...') #14 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(716): load_template('/home/gazetamap...', false, Array) #15 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/general-template.php(204): locate_template(Array, true, false, Array) #16 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/single.php(16): get_template_part('fragment/post/s...') #17 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template-loader.php(106): include('/home/gazetamap...') #18 /home/gazetamapo/public_html/wp-blog-header.php(19): require_once('/home/gazetamap...') #19 /home/gazetamapo/public_html/index.php(17): require('/home/gazetamap...') #20 {main} thrown in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config on line 252