Editorial

A e pengon dot Rama popullin më pro-europian në Ballkan?






               Publikuar në : 21:16 - 30/09/19 |
Nga Gentian Gaba

Nga Gentian Gaba


Pas kushteve që iu vendosën rrugës integruese nga parlamenti gjerman, ishte radha e Holandës të ashpërsonte dozën për qeverinë dhe ata që pësojnë propagandën e saj të stilit oruellian. Nga ato që Jo-në e bëjnë Po dhe anasjelltas. Lajmin e bëri të ditur Stef Blok, ministri i Jashtëm holandez në Komisionin e atjeshëm për Çështjet Europiane. I pyetur nga deputetët e këtij Komisioni, Blok deklaroi se vendimi i qeverisë nuk ka ndryshuar nga ai i qershorit të shkuar, kur Shqipërisë iu ndez drita e kuqe edhe me veton e Holandës. Madje, sikur të mos mjaftonte, Ministri i Vendeve të Ulëta pohoi se Maqedonia e Veriut duhet të trajtohet e ndarë nga vendi ynë, pasi kemi halle të ndryshme dhe përparime të ndryshme. Dhe, në linjë me qëndrimin e Bundestagut, pranoi se negociatat do të hapen sapo të plotësohen kriteret.



Ndaj, Jo-së Holandeze për Shqipërinë Rama iu përgjigj në mënyrën e zakontë, duke e zhvendosur problemin dhe përgjegjësinë diku tjetër. Në bisedimet me komentuesit e tij të Facebook kryeministri deklaroi: “Unë s’e di a do thotë Jo a s’do thotë Jo, po di që po tha Jo, s’ka asnjë lidhje me ne, por me punët e tyre të brendshme”. Ky qëndrim, që sipas një fjale të urtë holandeze ngjason me ‘vezën që do të bëhet me e urtë se pula’, hidhet poshtë kryekëput nga Po-ja që holandezët kanë gati për Maqedoninë e Veriut. Sepse euroskepticizmi nuk është selektiv, por streha e fundit e dështimeve europiane të Rilindjes, e cila prej pesë vitesh nuk ka hedhur asnjë hap përpara në këtë drejtim.

Mjafton të shohim çfarë është bërë vitin e fundit, për të realizuar kushtet e vendosura në verën e vitit 2018. Jo vetëm nuk është përmbushur asnjëri prej tyre, por janë shtuar dy të reja. Arsyeja është e thjeshtë. Në vend që të merrej me detyrat e shtëpisë, mazhoranca është marrë me menaxhimin e krizave që vetë ka shkaktuar. Duke nisur me grabitjen e Unazës së re, me firmën fantazmë dhe nënshkrimin e falsifikuar të Sekretarit të Shtetit të Delawere-it, të dështimit të Reformës në arsim që prodhoi protestat e mëdha studentore. Për të vijuar me PPP-të që po rëndojnë borxhin publik dhe pikiatën që po pëson ekonomia, tashmë lënguese për shkak të mungesës së investimeve të huaja të qenësishme prej ditës që opozita aktuale ishte në pushtet. Ndërsa, qershia mbi tortën e prishur të Rilindjes, skandali i të gjitha skandaleve dhe arsyeja pse opozita doli nga Parlamenti, janë përgjimet e Bild. Të cilat dëshmuan bashkëpunimin e krimit të organizuar me mazhorancën në zgjedhje, dhe u pagëzuan në gjermanisht ‘Shtet mafioz në duar gangsterësh’.

Si ky që po lamë pas, kanë qenë të gjitha vitet që pasuan marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE në vitin 2014. Drogë, korrupsion, krim i organizuar, zgjedhje të vjedhura dhe shkatërrim të ndarjes së pushteteve, të ndjekur nga një kolaps total të sistemit të drejtësisë. I nxitur kryesisht nga ngadalësia me të cilën u ngritën, apo po ngrihen institucionet e reja. Pasojë e përpjekjes së palodhur të mazhorancës për të gjetur hilen, aty ku duhet të mbizotëronte konsensusi i korrikut 2016.

Po ashtu edhe kronika e ditëve të fundit ilustron mjaft mirë rrokopujën e shtetit; me rritjen e trafikimit të kanabisit në detet tona, por edhe për një sofistikim të krimit të organizuar, siç është rasti i 137 kilogramëve kokainë të ndaluara në Durrës. Një goditje të policisë në të cilën u arrestua një roje dhe një peshkatar. Porositësi, i larguar në drejtim të paditur, ishte një emër i njohur për policinë, pasi në të shkuarën ishte marrë me kanabis. Një trajektore domethënëse, pasi kalimi nga hashashi te drogërat e forta përfaqëson fuqizimin e këtij lloj trafiku në këto vite neutraliteti shtetëror. Kjo bashkëjetesë me botën e nëndheshme i mundësoi banditëve të kalonin në pak kohë nga ‘shkolla e mesme’, në ‘doktor shkencash’ në krim të organizuar. Sikurse pohohet edhe në raportin e fundit të Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pra, ajo çka u mboll nga qeveria, po korret nga shqiptarët; të ndëshkuarit e mëdhenj të gabimeve të mazhorancës, e cila nuk mundi ta kapitalizonte vullnetin e mirë politik të vendeve anëtare të BE-së, për të mbajtur larg Ballkanit rreziqet që vinin nga Lindja dhe, sidomos, për të shpërblyer eurofilinë e shqiptarëve.

Këta të fundit, sipas një raporti të Eurostat të vitit 2018,  kanë besim të lartë të Parlamentin Europian, gati 80 përqind e popullsisë; ndërsa edhe më i lartë është numri i shqiptarëve pro anëtarësimit në BE, 93%.

Midis kësaj shumice dërrmuese dhe Europës, mazhoraca ka ngritur një mur, për rrëzimin e të cilit Berlini ka propozuar një ‘road map’ prej nëntë kushtesh. Hartuesit e tyre synojnë që me realizimin e kushteve të mos çelet vetëm drita jeshile e negociatave, por të zgjidhet edhe kriza politike. Kurban i së cilës do të jetë nistori i saj.

Këtë nuk e di vetëm Basha, që po përgatit kampin opozitar për zgjedhje të parakohshme, por e di edhe Rama, i cili po përpiqet të fitojë kohë dhe të shesë tym.

Por, përtej llogarive politike dhe ambicieve për të mbajtur pushtetin me çdo kusht, si shkaktar i trazirave politike dhe pengues i rrugëtimit europian, kreu i PS-së do të duhet të ballafaqohet me këtë 93% të shqiptarëve. Që nuk janë vetëm populli më pro europian i Ballkanit, por edhe populli që nuk ka më kohë për të humbur. Andaj askush nuk i pengon dot!


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas