Aktualitet

A ekziston “gjysma më e mirë”?!














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 18:35 - 05/03/21 |
Iva Grillo

Gjatë fushatash elektorale a momentesh të rëndësishme për karrierat individuale, politikanë të ndryshëm na shfaqen me bashkëshortet e partneret e tyre në krah, duke na siguruar që ato janë “gjysma e tyre më e mirë”, përkrah asaj gjysmës tjetër që ndonjëherë mund të na duket “jo dhe aq e mirë”.





Koncepti i ”gjysmës më të mirë”, qe bashkëjeton me një gjysmë “jo dhe aq të mirë” është disi i veshtirë për tu kuptuar, por sipas mendimit tim duhet të jetë dicka e tillë: kjo “gjysma e mirë” në teori duhet të ketë një ndikim balancues, kthim me këmbë në tokë e “gjysmës së keqe”, rikujtim të disa normave dhe empatisë për njerëzit, frymëzim për ta bërë detyrën më mirë, etj, etj…
Gjithsesi “gjysma më e mirë” na shfaqet në skenë pothuajse gjithnjë në kohë fushatash e momentesh të rëndësishme për karrierat personale të këtyre politikaneve, pothuajse gjithnjë me të njëjtin modalitet: me buzeqeshje, të kuruar deri në detaje, duke dashur të na mbushin mendjen (me apo pa dialekt të zonës) që politikani që kanë në krah nuk është kaq i keq sa na duket ne. Përkundrazi, atyre u vjen keq që ne të tjerët nuk kemi mundësinë të provojmë nga afër mirësinë e politikanit në fjalë, ashtu sic kane fatin ta përjetojnë ato.


T’i bëhesh krah bashkëshortit , partnerit apo kolegut, në të mirë e të keq, është dicka e vlerësueshme. Por të shfaqesh vetëm në momente fushatash ose krizash karrierash personale duke i dhënë publikut disa garanci që rezultojnë false, ështe dicka krejt tjetër. Për të mos përmendur te gëzuarit e një jetë të privilegjuar pa mbajtur asnjë përgjegjësi morale, kur “gjysma jote e keqe” shkel me këmbë një shoqëri të tërë.




Do doja të dija cilat janë interpretimet e “gjysmave të mira” për shkeljet e njëpasnjeshme të dinjitetit të qytetarit, aferat korruptive e modelin abuzues që partneret e tyre me pushtet japin në këtë shoqërinë tone, ku vëzhgues të vëmendshëm jam e sigurt që janë edhe fëmijët e tyre.


Për shembull, si bashkëshorte apo edhe kolege vras mendjen, si do të ndihesha përpara publikut nqs bashkeshorti im apo politikani për të cilin dal garant jepte në mënyrë të përsëritur shembuj abuziv në trajtimin e pasurive shpirtërore të qytetit dhe atdheut tim, shkelte me këmbë dinjitetin e atyre që e kanë votuar, akuzohet per afera korruptive, fyen e hungërin në publik, korrupton drejtësinë, gënjen e përcan qytetarët, bredh lart e poshtë me tortat që prezupozohet ti kem bërë unë gjatë gjithe natës, etj, etj.


Nuk e di si do të kisha vepruar, por besoj do te isha shumë e shqetësuar për garancinë që i kam dhënë publikut e mbi të gjitha për modelin që po mbështes dhe automatikisht ua ofroj si të pranueshëm edhe fëmijëve të mi e gjithë shoqërisë.
Për rolin emancipues të këtyre zonjave “të rënda” eshte e kotë të flitet. Ashtu sic është e kotë të flitet edhe për shembullin e zonjave që largohen nga politika aktive, por jo pa bërë shërbimin e fundit, me elozhe dhe fjalime patetike ndaj liderit të tyre.
Kjo puna e “gjysmës më të mirë”, që i bëhet mburojë dhe retushon “gjysmën e keqe” është një fenomen i frikshëm në shoqërine tonë dhe shkon përtej daljeve te bashkëshorteve të kuruara deri në detaje apo kolegesh që thurin lavde, në prag fushatash.

Shikojmë sesi në periudha kritike, mjeke, inxhinierë, këngëtare, humoristë thërriten si komardare shpëtimi për një model anakronik dhe abuziv qeverisës, me shpresen se kjo “gjysma e mirë” do të neutralizojë “gjysmën e keqe”.
Dhe nuk na mbetet gjë tjetër vecse të shohim sesi korruptohet ngadalë kjo pjesa e mirë e shoqërisë, me favore, miklime e premtime për famë e karrierë, duke u kthyer thjeshtë në një patericë të një pushteti që nuk do të qëndronte dot në këmbë ndryshe.

Cdo qytetar i mirë pavarësisht nga pozicioni dhe fama që gëzon, ka vetëm një detyrë, në këto kohë të vështira për vendin:
të mundohet të shpëtojë atë “gjysmën e mirë” brenda vetes, duke e refuzuar qartë cdo joshje nga modeli abuziv i këtij pushteti anti-demokratik.

1


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas