Kronika

A është droga, një arsye që Rama të mbajë përgjegjësi?














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:26 - 02/03/19 |
mapo.al

Efekti më negativ i lumit të parave të drogës, është depërtimi i tyre në politikë dhe në sektorët kyçë të shtetit si policia dhe drejtësia. Kapja e kupolës drejtuesve të policisë prej bosëve të trafikut, është rënie e shtetit.






Vitet 2013-2016, ishin kohët e arta të drogës, të trafikantëve, të biznesit të hashashit. Çdo gjë dukej se shkonte vaj. Para pa fund, dhe miliona që hynin në ekonomi. Po, sigurisht, edhe në zgjedhje, në blerje vote. Ndërkohë që miliardat u futën në ndërtim e në sektorë të tjerë të ekonomisë, pakkush po ndalej për një hop, për të menduar a reflektuar, se; ishin hapur portat e ferrit, dhe e keqja ishte pas derës. Partia Demokratike denonconte çdo ditë, po Rama çdo ditë mohonte, i quante llafe. Një strategji për ta futur këtë çështje dramatike në spiralen e akuzave të përditshme politike. Mirëpo, disa të dhëna po vinin nga jashtë palëve, dhe droga e Shqipërisë u bë problem ndërkombëtar. Kataldo Mota, kreu i antimafies së Leçes në Itali ishte vazhdimisht në alarm. Sa herë fliste në media, dhe sa herë vinte në Shqipëri, ai deklaronte se sasia e marijuanës që po mbërrin në brigjet e Puljas është në rritje. Po më shqetësuesja, sipas tij, ishte se grupet kriminale po dërgonin në Itali edhe drogëra të forta dhe armë. Kaq do të mjaftonte që në Tiranë dikush të mbante përgjegjësi. Po Edi Rama vazhdimisht e mohonte. Drejtori i madh i Antimafies italiane, Franco Roberti, ka reaguar edhe ai vazhdimisht i shqetësuar. Sasia e drogës që po vjen në vendin tonë nga Shqipëria, pohonte ai, është 3, ose 4-fishuar. Vetëm ky konstatim, do të mjaftonte që dikush në Tiranë, të mbante përgjegjësi. Po si zakonisht, Rama thoshte se nuk ka drogë. Departamenti Amerikan i shtetit, çdo vit e nxirrte Shqipërinë në krye të listës si vend prodhues dhe territor tranziti të drogërave. EUROPOL-i po ashtu. BBC bëri një reportazh të thelluar, dhe doli në përfundimin se biznesi i kanabisit në Shqipëri është 5 miliardë euro në vit, bëhej fjalë për 2016-tën. Gazeta e televizione nga Italia, Franca, Zvicra, Austria, Gjermania, e kishin thuajse çdo muaj një shkrim, ose një kronikë nga Kolumbia e Europës, siç u pagëzua Shqipëria. Kryeministri kishte të njëjtin refren, janë llafe. Raportet ndërkombëtare, të dhënat, kronikat, janë një gjë. E rëndësishme sigurisht. Po asnjëra nuk krahasohet me ndjesinë që krijojnë njerëzit dhe me realitetin që preket nga të gjithë. Për 4 vite, tek Ura e Tapizës shihje herët pa zbardhur dita, shumë gra që prisnin fugona. Nuk shkonin në rrobaqepësi, por në malësitë e afërta për t’u marrë me stivimin dhe tharjen e kanabisit. Fare pranë Rinasit u zbulua një parcelë e madhe me marijuanë, me foto e me video. Një ditë, banorë të Fushë-Krujës, ku kalonte Lumi Zezë, ngelën të habitur, se uji kishte marrë ngjyrë të gjelbër dhe ishte plot me degë të një bime që kish filluar të bëhej e njohur. Me Kanabis. Një natë më parë, një stuhi e fortë bëri namin nëpër ara. Nga Dukagjini në Vlorë, e nga Durrësi në Korçë, s’kish tjetër biznes. Kryeqyteti ishte Tepelena. Njerëzit që mbillnin, bënin një marrëveshje me policinë, dhe shefi kërkonte tarafin për çdo rrënjë. Erdhi dhe u fut dhe një farë vietnameze, që ishte shumë fitimprurëse, pasi kishte cikël të shpejtë, 45-ditor. Droga përfundoi në shkolla. Pati dhe intoksikime fëmijësh dhe era e rëndë e hashashit po ndihej kudo.


Pasojat e rënda







10 ditë më parë u zbulua një vrasje. Dy shokë të ngushtë ishin zënë për pazar të prishur droge. Bëhej fjalë për 3500 euro. I arrestuari Milo pranoi se kishte ekzekutuar mikun e tij, Sokol Rama, për këtë mosmarrëveshje, lidhur me një dërgesë. Kjo ishte ngjarja më e fundit, e një kronike të zezë të pasur me të tilla ngjarje dramatike prej 4 vitesh. Kanabizimi i vendit, ishte paralajmëruar se do të sillte shumë përplasje, larje hesapesh, dhe viktima. Futu në Google dhe kërko, “vrasje për drogë”. Me dhjetëra faqe listohen, dhe raste pa fund. Nga Bjeshkët e Shkodrës, në Nikël, në Tiranë, në Korçë, në Përmet, në Durrës, në Tepelenë, në Gjirokastër, në Fier, në Vlorë. Po dhe përplasja e përgjakshme në mes të Bllokut, kishte në sfond pazaret e prishura të drogës. Gazetarët e kronikës kanë raportuar se janë shumë të zhdukur në qarkun e Vlorës pikërisht prej aktivitetit të narko-trafikut. Eliminimet mafioze në Vlorë dhe në Durrës kanë si shkak, zonat e influencës të trafikut. Grupet më të mëdha, bosët e krimit, ishin kumbarët e një rrjeti të madh, miliardësh. Larjet e hesapeve nuk mbyllen kollaj. Një vrasje sjell një tjetër.

Lexo edhe :  Rrëfehet Edi Rama: Hyra në politikë kur fillova të kem probleme me Nanon



Ekonomia



Futja e parasë së drogës në ekonomi, në fillim ngjan si një injektim i fortë që sjell bum. Por në fakt, ka pasoja katastrofike. Pasi dëmton konkurrencën e ndershme, që është kolona kryesore për ecjen përpara të biznesit. Jo më kot, ndërtimi pati një hov vitet e fundit, të pahasur më parë. Departamenti i Shtetit dhe EUROPOL-i e kanë vënë re. E kanë cilësuar Shqipërinë si vatër të pastrimit të parave të aktivitetit ilegal të narko-trafikut. Ngrehinat e mëdha të betonit që themelet i kanë në parcelat me kanabis sativa, nuk janë zhvillim.

Droga dhe vota

Efekti më negativ i lumit të parave të drogës, është depërtimi i tyre në politikë dhe në sektorët kyçë të shtetit si policia dhe drejtësia. Kapja e kupolës drejtuesve të policisë prej bosëve të trafikut, është rënie e shtetit. Kapja e zgjedhjeve prej tyre, është rrënim i një vendi. Kjo është panorama. “Droga, droga, droga, krimi, krimi, krimi”, ky ka qenë vazhdimisht reagimi i kryeministrit. Po kur kjo nuk fshihej dot më, dhe kur çdo analist, edhe ata që nuk janë në dashuri me PD, përkundrazi, denonconin fenomenin, Edi Rama sërish zgjodhi të mos mbajë përgjegjësi. Në mënyrë perfide, ai ka gjetur një shteg të ri daljeje. Shihni si thotë, siç e bëri ritin edhe sot në takimin me Diasporën. Flet, sikur ai duhet të mbahet llogaridhënës, për këto dy vitet e fundit. 4 vite para këtyre, ngjan se kërkon t’ia lërë dikujt tjetër në derë, sikur nuk ishte ai në krye të punëve. Paska qenë, si me thënë, qeverisja e Saimir Tahirit. Ama, ka dy vite që Edi Rama e lufton dhëmb për dhëmb fenomenin, dhe nuk lë bimë të mbijë në vend. E kur vjen puna për mandatin e parë, ai shton edhe një tjetër alibi. Se droga paska qenë aty, pra ai e paska trashëguar, por zhurma e madhe u bë se ai vendosi të mos e fshehë, por ta bëjë publike. Vetëm ata zyrtarët kokulur të platformës për Shqipërinë që Duam, mund ta besojnë si argument, po ai vazhdon dhe e thotë. Mund të numërohen sot, dhjetëra gjëra që nuk shkojnë, që kanë shkuar keq, ose shumë keq me qeverisjen e Rilindjes. Po padyshim, droga është me evidentja, më e zeza në to. A është një arsye e mjaftueshme që një kryeministër të mbajë përgjegjësi, e të largohet? Në çdo vend normal po. Në anët tona, jo, sepse kemi një Kryeministër që thotë; e ça pastaj, ku është problemi këtu?

 

 

1


Etiketa: , , , ,

Pas