Flitet shumë se cili është personi që po investon më shumë për arritjen e një marrëveshje që parashikon shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Në Shqipëri disa portale këto ‘atribute’ ia kanë dhënë djalit të miliarderit George Soros, Aleksit.
Por mediat e huaja kanë tjetër mendim. Sipas tyre, personi që po lobon për ndarjen e Kosovës është Corey Lewandowski. Ky i fundit ka qenë menaxher i fushatës së Donald Trump, por është shkarkuar nga biznesmeni-politikan në kulmin e fushatës, në qershor të vitit 2016 pasi ndikimi i tij në fushatë po zbehej.
Gjashtë muaj më parë, gazeta e famshme amerikane, Washington Post publikoi një koment nga Jasmin Mujanoviç ku i bëhej thirrje SHBA të tregonte kujdes pasi disa ‘mercenarë’ të saj duan të ndezin sërish rajonin me idenë e ndarjes së Kosovës. Mes të tjerash përmendej emri i Corey Lewandowski-t.
Pak më vonë, Al Jazeera shkroi se lideri i serbëve të Bosnjës mezi po e pret skenarin për ndarjen e Kosovës, për të vënë në jetë projektin e tij të krijimit të një republike serbe në Bosnje. Sipas shkrimit të Mersiha Gazdo, kjo do krijojë Serbinë e Madhe. Në komentin e Al Jazeera bëhej thirrje për kujdes pasi ky skenar rrezikonte rajonin dhe sërish citoheshin lobistët amerikanë pas kësaj historie.
Në janar të këtij viti, gazetarja austriake, Adelheid Woelfl shkruante për Der Standard se: “Corey Lewandowski është lobisti që po bën fushatë për ndarjen e Kosovës. Në adresën e Lewandowski-t në Uashington është regjistruar firma Twin Rocks Global, që ka një kontratë me partinë serbo-nacionaliste, SNSD, që ka synuar ndarjen dhe me këtë rast shkatërrimin e Bosnje-Hercegovinës”.
Pak javë më vonë, e njëjta gazetare shkruante: “Ideja me sa duket ka lindur gjatë një takimi të kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe Vuçiçit në tetor të vitit 2016. Por projekti është ndjekur prej kohësh nga pala serbe. Bëhet fjalë për bashkimin e zonave me shumicë serbe ne veri të Kosovës me Serbinë, për të legjitimuar një pjesë të idesë së vjetër të Serbisë së Madhe”.
Vetë Lewandowski shkaktoi shumë rrëmujë kur vizitoi Serbinë para më pak se një viti. Ish-ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiç tha se Lewandowski kishte ardhur për të vulosur marrëveshjen e lobimit me Serbinë.
Jeremiç tha se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç i kishte dhënë Lewandowski-t: ‘Vendose çmimin që do për të më rregulluar një telefonatë me presidentin Trump’.
Vuçiç reagoi me një batutë tipike për këto raste. Ai tha se nuk e ka takuar Lewandowski-n, por do të donte të takohej me Robert Lewandowski-n, yllin polak të Bajernit të Mynihut.