Në qershor të vitit 2014 Shqipëria mori statusin e vendit kandidat për anëtar në Bashkimin Europian. Një gur kilometrik në rrugën e gjatë të integrimit, një ogur i mirë për qeverinë e Edi Ramës, që ende nuk kishte mbushur vitin. Kërkesën, e dorëzoi Sali Berisha në fund të qeverisjes së tij 8-vjeçare. Politikisht ishte fat për Edi Ramën që kjo erdhi në kohën e tij, edhe pse nuk kishte djersitur shumë për këtë arritje. Ja ku jemi, në mars të vitit 2019, dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Marrëdhënia e Shqipërisë me Bashkimin Europian, në kuptimin e instrumentave dhe procedurave, është ajo e para 5 viteve.
Hapi tjetër duhej të ishte hapja e negociatave për anëtarësim. Qeveria ishte e sigurt që kjo do të ndodhte vitin që kaloi. Por Këshilli Europian, pra organizmi ku përfaqësohen shtetet anëtare, megjithëse Komisioni e kishte dhënë rekomandimin, e shtyu për një vit. Ironia është se kjo u quajt sukses, madje propaganda shkoi deri aty sa u tha që negociatat janë hapur, po njerëzit s’kishin sy për të parë. Në qershor, Shqipëria do të jetë prapë para këtij provimi. Asgjë nuk është e sigurt, edhe pse çdokush uron që negociatat të çelen.
Ndërkohë, këto vite me siguri shumë gjëra kanë ndodhur në marrjet e dhëniet mes Tiranës dhe Brukselit, dhe një specialist i integrimit, me siguri do ta quante cinike të mos vlerësohej puna që mund të jetë bërë. Po rezultati final ka rëndësi, në këtë rast, dhe jo procesi. Ajo çka ra në sy, dhe u mundua shumë nga qeveria të zbehej të reduktohej, ishte se nga momenti i dhënies së rekomandimit e deri te vendimi i Këshillit, një stuhi e fortë fryu nga veriu i Europës, nga Gjermania e Holanda, dhe kriteret, kushtet kyçe, nisën të shtohen dita-ditës. Droga u bë një problem më vete, zgjedhjet po ashtu. Rama si gjithnjë, ishte larg këtyre përgjegjësive. Normalisht fajësimi i opozitës ishte vakt i përditshëm, po ai shkoi më larg. Nisi të stigmatizonte çdo të huaj që shihte probleme të mëdha dhe bënte me faj qeverinë. Qeverisë i mjaftonte Romana, dhe duke u shpallur si kampione e Reformës në Drejtësi, rilindja ishte e habitur se si, dyert e Europës nuk po hapeshin katërkanatesh. Edhe pse, ata që duan t’i bëjnë një analizë mirëfilli Reformës në Drejtësi, e sidomos vetingut, kanë arritur në konkluzione të qarta se është një proces i njëanshëm dhe mjaft i politizuar. Të këtillë e nxjerr produkti, pasi që gjyqtarë dhe prokurorë, nën të njëjtat akuza, një pjesë vazhdojnë pasi i janë simpatikë qeverisë, pjesa tjetër bien.
Askush nuk pret që procesi i integrimit europian të jetë i lehtë, dhe afrimi me BE-në të ndodhë shpejt. Çka lihet shpesh pas dore, edhe në hulumtimet që bëhen, është se afrimi me kontinentin e vjetër, vjen së pari si çështje vlerash. Dhe bash këtu, del diferenca e madhe me atë çka ndodh, dhe atë që lypset. Nuk shkon me vlerat europiane, sjellja e një qeverie e një kryeministri, që nuk jep asnjë ditë llogari, që nuk bën transparencë, që mbron krimin, që ble votën, që justifikon korrupsionin, që lufton opozitën dhe sulmon mediat e gazetarët nominalisht, kur nuk i ka qejf. Letrat janë letra, e instrumentat po ashtu, po sjellja europiane ose jo, ndihet, konstatohet edhe nëse nuk ka matës e tregues realë. Në cilin vend europian ku duam të shkojmë, sheh një kryeministër si te ne, që tall e përqesh, studentët, pedagogët, dekanët, rektorët, qytetarët që takon, hallexhinjtë, mjekët, deputetët, opozitën, e këdo tjetër që nuk e njeh shefin e qeverisë për Skënderbe.
Në cilën Europë kryeministri e kthen zyrën e tij, që është zyra më e lartë publike, në një atelie personale, dhe e kompozon në mënyrë të atillë, duke ekspozuar tendencat e frikshme autoritariste, sikur ajo do të jetë dhoma e tij përjetësisht. Në cilën Europë ku duam të shkojmë, shefi i qeverisë, shkërben një kundërshtar politik, për cenin e tij të lindur, thuthuqërinë. Nuk ndodh në kontinentin e vlerave, që një kryeministër të bëjë humor e batuta biologjiko-anatomike, me një hallexhi që nuk ka ujë e bukë.
Shpirti i Europës judeo-kristiane, është reflektimi. Është pranimi i fajit, dhe këtu buron ajo që në politikë njihet si llogaridhënie. Sa vite dritë larg është me këtë gur themeli të kontinentit të vjetër, një vend si i yni me një kryeministër që thotë nuk është e imja, dhe nuk mban asnjë gram përgjegjësi, kur vendi kanabizohet masivisht, kur për këtë ministri i Brendshëm, i shpallur kampion, të shkon në gjyq, kur kupola e policisë arratiset, kur del se i ke dhënë një kompanie fantazmë 40 milionë euro, kur KLSH zbulon çdo vit nga 600 milionë e më shumë euro dëme prej korrupsionit, kur tenderat janë të gjithë të paracaktuar e i merr një grusht njerëzish, kur ministra bën njerëzit e besuar të oborrit, (Franca nuk e bën më që prej Revolucionit të 1787), kur një gjysmë milionë njerëz ikin nga vendi për shkak se kanë humbur besimin nën qeverisjen tënde, kur asnjë investim i huaj nuk shkel në këtë truall prej vitesh. E për asnjë nga këto, Edi Rama nuk mban përgjegjësi. Ndaj dhe ngrirja 5-vjeçare e procesit të integrimit, nuk ka të bëjë aspak me atë. Gjetkë kërkojeni shkakun.
/Mapo.al