Kryeministri Edi Rama i sapokthyer nga vizita e tij një-ditore në Bruksel mohoi që të ketë marrë ultimatum nga zyrtarët e BE-së për planin e dhënies me konçension të Portit të Durrësit për kompanitë arabe. I pyetur nga gazetarja e SYRI TV, Ambrozia Meta nëse në qendrën e BE i kishin tërhequr vëmendjen për faktin që do t’i japë portin e Durrësit një kompanie nga Emiratet e Bashkuara, Rama iu përgjigj dje se kjo ishte “thellësisht e pavërtetë”.
“Ajo që dëgjova tani për Portin e Durrësit, as është folur, as është diskutuar, asnjë fjalë lidhur me këtë temë, zero”- tha ai.
Por, burime diplomatike për gazetën Mapo tregojnë të kundërtën. Dhënia me konçesion e portit të Durrësit, kompanisë arabe, plan që u bë publik pas një vizite të ministrave të Ramës në Dubai, ka qenë çështje e diskutimeve jashtë kamerave në Bruksel. Mbledhja e Këshillit të Stabilizim Asocimit dje në Bruksel sipas burimeve pati zhvillime që nuk u thanë në konferencën e shtypit të zotit Rama me Përfaqësuesin e Lartë Josep Borrell e Komisionerin Oliver Varhelyi. Mapo mëson se Varhelyi gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura ngriti shqetësimin se koncesioni i Portit të Durrësit në favor të kompanisë emiratase Emaar që po përgatitet nga qeveria, është në shkelje të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.
Burime të besueshme, thonë për Mapo që komisioneri ka vënë në dukje se një shkelje e tillë e marrëveshjes është e papranueshme dhe do të ketë pasoja. Më tej, raportohet se Rama i është përgjigjur se nëse është bërë ndonjë gabim do të korrigjohej; vetëm se ai ka kërkuar që këto debate nuk duhen bërë publike.
Nisur nga premtimi i Ramës, Borrell e Varhelyi e hoqën çështjen “Emaar” nga deklarata, sic edhe e dëshmuam të gjithë dje. Por, në tekst ngeli shënimi se periudha tranzitore e MSA ka mbaruar në 31 mars 2019 dhe se Shqipëria është plotësisht e asociuar.
Teknikisht kjo do të thotë se nga prilli 2019, kompanive jashtë BE u është e ndaluar t’i jepet trajtim preferencial. Ky është rasti i Portit Durrës dhe Emaar.
Sipas burimeve të Mapo, cështja është diskutuar më herët.
Gjatë mbledhjes e përjavshme të ambasadorëvë të BE në Tiranë në 20 janar disa ambasadorë, përfshi edhe ata nga shtete që kanë interesa për këtë port, ngritën problemin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit Ekonomik me Shqiperi-Emirate e Bashkuara Arabe si dhe ligjin që synon dhënien e Portit Durrës një oligarku nga Dubai; ata i quajtën këto si shkelje e MSA dhe e detyrimeve ndaj BE! Ambasadorët kërkuan të dinin se çfarë po bën Komisioni Europian për këtë. Në emër të Komisionit, thuhet nga burimet, shefi i delegacionit Luigi Soreca u përgjigj se ky problem shqetësues po i nënshtrohej një analize ligjore nga shërbimet e Komisionit Europian dhe se për këtë çështje qeverisë shqiptare do t’i kërkohej llogari në mbledhjen e Këshillit të Stabilizim Asocimit në 1 mars.
Koncesioni i Portit Durrës ka ngjallur debate në vend. Inxhinieri Xhevair Ngjeqari ka thënë se sikur arabi të shesë vetëm 10% të truallit që do t’i fali shteti, i bën 2 miliardë eurot që thotë se do t’i investojë aty. Nga ana tjetër, politikanë të opozitës kanë sinjalizuar dhe denoncuar shpesh se miliarderi nga Dubai, po përdoret si fasadë dhe përfituesit e koncesionit janë në të vërtetë oligarkë afër Edi Ramës.