Dorëheqja e Najada Çomos nga mandati i deputetit i hap rrugën Pandeli Majkos për të hyrë në Parlament. Ai renditet i 19 në listën e parë ka arritur ta ruajë këtë vend dhe për shkak të votave nominale që mori në total 8780.
Pas tij menjëherë vjen Mimi Kodheli me 5597. Pavarësisht se mandatin e ka lënë një femër, kjo në rastin e mandateve të Tiranës nuk është domosdoshmërisht e zbatueshme, pasi shifra prej 30% gra është plotësuar madje është e tejkaluar për PS-në.
Kjo forcë politike në Tiranë mori 18 mandate dhe 8 prej tyre i përkasin grave në bazë të ligjit. Kjo shifër aktulisht është rreth 45% e totalit pra shumë më shumë se sa përcakton ligji.
Lajmin për ikjen e Najada Çomos e dha vetë kryeministri gjatë mbledhjes së qeverisë, me pretendimin se ajo do i përkushtohet të sëmurëve me Covid-19. Por sa realiste është kjo dorëheqje.
Najada Çomo rezultoi më pak e votuara në Tiranë në listën e deputetëve fitues të PS-së me vetëm 1533 vota. Edi Rama e mori atë nga spitali Infektiv ku punonte si shefe pavioni me idenë se puna e saj në luftën kundër Covid do thithte votat e elektoratit, çka nuk rezultoi e vërtetë.
Nga ana tjetër deputeti Majko vijoi t’i qëndronte besnik kauzave qeveritare, pavarësisht se renditja e tij i 19 në listë u shikua si një largim që po i bënte kryeministri. Majko Punoi fort por sërish ishte larg herësit që kërkohej për të marrë mandatin.
Për PS-në në Tiranë shuma e votave që duheshin mbledhur për të thyer herësin shkonte diku tek 12,600 vota. Por edhe pas daljes së rezultatit, Majko sërish vijoi të votonte nimsat e qeverisë, pavarësisht se shumë mendonin se ai do ishte në zë kundër Ramës tashmë.
Ish-kryeministri, nuk u mendua dy herë as të votonte për shkarkimin e Ilir Metës, shokun dhe mikun e tij të dikurshëm të luftës brenda dhe jashtë Partisë Socialiste. Duket se vendimi për të lënë jashtë parlamentit Najada Çomon është marrë kahera, por kohë më të mirë për ta bërë këtë nuk mund të gjendej.
Të martën më datë 24 gusht, Shqipëria regjistroi 800 raste të reja me Covid-19. A ka qenë kjo vërtet arsyeja që bëri Çomon të braktisë mandatin… Këtë do e tregojë koha!/Gazeta Mapo/
LEXO EDHE:
Rama: Qeveria e re shpallet javën e ardhshme, kemi plotësuar kushtet për në BE