Eurodeputet kanë ngritur shqetësime në Parlamentin Europian lidhur me 15 kushtet që duhet të përmbushë qeveria “Rama” për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.
“Si po punoni me 15 kushtet e Këshillit Europian për Shqipërinë“, ishte pyetja që eurodeputetët Kinga Gál dhe Michal Gahler nga Grupi PPE, drejtuan sot në drekë Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhely.
Pyetja u bë gjatë një debati në Komisionin për Punët e Jashtme (AFET) në Parlamentin Europian ku një pjesë e deputetëve ishin fizikisht në sallë dhe pjesa tjetër ishte në videokonferencë nga distanca.
Eurodeputeti David Lega (PPE, Suedi) tha se ishte shumë i shqetësuar nga përkeqësimi i lirisë së medias e të shprehjes në Shqipëri, ndërkohë që kjo është kusht për çeljen e negociatave.
“Raportet e Reporterëve pa Kufinj, të Freedom House dhe të Këshillit të Europës po na japin një panoramë të keqe. Dua të di nëse ky problem dhe 15 kushtet specifike u diskutuan në samitin e Zagrebit ku i pranishëm permes videokonferencës ishte edhe zoti Edi Rama”, ishte pyetja e eurodeputetit Lega.
Komisioneri Varhely theksoi se ai do të bënte çmos që këto kushte të përmbusheshin. Lidhur me ligjet antishpifje, Varhely tha se qeveria e Tiranës i kishte premtuar se nuk do të vepronte kundër opinionit të Komsionit të Venecias.
Gjithashtu Komisioni po ndiqte edhe Reformën Zgjedhore.
Etiketa: celja e negociatave, Oliver Varhely, Shqipëri-BE