Aktualitet

A jemi në prag të një ekonomie jo-cash…?!





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 17:05 - 25/03/20 |
Eriola Hoxha*

Tashmë jemi pjesë e Pademisë së krijuar nga COVID-19, pademi e cila po ndryshon në mënyrë drastike jetesën e pothuajse një bote të tërë…


Jemi të ndërgjegjshëm të gjithë se kjo situatë nuk do të ndikojë vetëm në filozofinë tonë mbi jetën, marëdhëniet me njëri-tjetrin, kujdesin dhe botëkuptimim mbi shëndetin, natyrën, lirinë, kohën, por padiskutim do të ndikojë edhe në të gjithë sektorët e ekonomisë të cilët do të kenë nevojë për tu rikonceptuar dhe përshtatur me pasojat më të mëdha që bota po vuan në të njëjtën kohë ndoshta që prej luftës së dytë botërore.



Një ndër shumë masat që këshillohen të ndërmerren sot, për të shmangur rrezikun e përhapjes së COVID-19, është edhe kufizimi i qarkullimit të parasë në dorë, duke qënë se paraja “cash” është një bartës potencial i baktereve dhe viruseve që transmetohen me prekje nga një njeri i infektuar, tek tjetri. Pyetja që natyrshëm lind është si paraqitet situata në Shqipëri në lidhje me konceptin dhe përdorimin e parasë dhe cfarë na pret në të ardhmen jo shumë të largët?


Paraja e gatshme (cash) është ende mjeti mbizotërues i pagesës në Shqipëri, më së shumti si rezultat i edukimit dhe kulturës së hershme. Pavarësisht se ekzistojnë mundësi alternative moderne të qarkullimit të parasë, si pagesat elektronike bankare, kjo mënyrë pagese përdoret ende shumë pak. Shqipëria ende ka një nivel të lartë të përdorimit të parasë cash në ekonomi dhe kjo reflektohet edhe në përqindjen e ulët të popullsisë mbi 15 vjeç që ka llogari bankare (vetëm 40 % , niveli më i ulët në Europë). Përdorimi i cash-it përveçse është një tregues i një kulture të ulët financiare, përllogaritet me kosto të lartë për ekonominë.

Pavarësisht një rreziku të provuar ose jo në lidhje me mbartjen e COVID-19 në para, “faktori psikologjik” i njerëzve që mendojnë për paratë si “të papastra” mund të ndryshojë mënyrën se si ata vendosin të paguajnë, duke sjell jo vetëm një garanci më të lartë në kujdesin ndaj shëndetit por edhe përparësi të tjera që sjell përdorimi i parasë elektronike si p.sh: Lehtësimi për të mos mbajtur cash me vete, kursimi i kohës për të shkuar në bankë për të tërhequr para, ulja e riskut të humbjes, grabitjes, falsifikimit, mashtrimit, etj, komoditeti për të kryer pagesa kudo dhe kurdo, personave me aftësi të kufizuara iu mundëson të kryejnë veprimet e nevojshme financiare pa pasur nevojë, që fizikisht të jenë në banka apo të ngarkojnë dikë tjetër për këtë etj.

Përdorimi i parasë elektronike na ofron më tepër lehtësi, shpejtësi, efikasitet, efektshmëri dhe qasje globale. Gjithashtu, qeveritë mund të shmangin kostot për prodhimin e monedhave dhe kartmonedhave, e në të njëjtën kohë, lehtësohet mbledhja e detyrimeve tatimore dhe taksave duke kontribuar kështu në një ekonomi më të formalizuar.

Përparësi tjetër është fakti që paraja elektronike është më e sigurt, e pa dëmtueshme dhe nuk ka risk për mbartje dhe përhapje virusesh apo bakteresh të cilat mund të vënë në risk shëndetin tonë, vecanërisht në situata të tilla pademike. Megjithatë si cdo gjë tjetër, edhe paraja elektronike ka mangësitë e veta si psh: për një kategori të klientëve mund të paraqitet pengesë kompjuteri, qasja, softueret, etj. Besimi në këtë lloj operacionesh financiare, pa kontakt me personelin e bankës për klientët tradicional fillimisht mund të duket e vështirë, sikurse edhe periudha fillestare e përshtatjes dhe mësimi i përdorimit të instrumenteve të parasë elektronike.

Rreziku i ndërhyrjes së paautorizuar në llogaritë e klientit mund të jetë një mangësi tjetër duke kërkuar një shkallë më të lartë vëmendje në zbatimin e masave të sigurisë në qasje online dhe përdorimin e instrumenteve të pagesave jo cash, si psh kujdesi me fjalëkalimet, PIN, etj.

A është tashmë koha e duhur që situata të ndryshojë në mënyrë rrënjësore?!

“Njerëzit janë të familjarizuar me atë që është e njohur, pra me paranë cash, deri në momentin që heqin dorë prej saj“, thotë Jodie Kelley, CEO e Shoqatës së Transaksioneve Elektronike.

“Cështja është kur do heqin dorë dhe kur është momenti i duhur për të hequr dorë?
Është ky një proces që vjen gradualisht dhe natyrshëm apo ndonjëherë mjaftojnë dhe rrethana të tilla të paparashikuara për të kaluar plotësisht në përdorimin e parasë elektronike?

Përtej riskut që ekziston në mbartjen e virusit dhe baktereve të tjera në paranë cash duhet të kuptojmë se për sa kohë që ekonomia dhe sistemi financiar botëror po nxiten nga teknologjia dhe po mbështeten gjithnjë e më shumë te teknologjia për të ecur përpara, kjo e fundit pashmangshmërisht që do t’i shtyjë ato përtej qasjeve tradicionale. Ne jetojmë tashmë në epokën e Internetit dhe Inteligjencës Artificiale.

Për më tepër, disa ekonomi të përparuara dhe të mëdha në botë po përjetojnë sipërmarrje të fuqishme, për të shkuar drejt ekonomisë jo-cash dhe asaj dixhitale, si p.sh: Suedia, që po bëhet një nga shoqëritë më jo-cash në botë dhe Kina ku BAT (Baidu, Alibaba dhe Tencent) po ndryshojnë seriozisht parimet dhe themelet e sistemit të pagesave nëpërmjet bankave në Kinë dhe dalngadalë gjithnjë e më shumë, kudo në botë.

Në rastin e Shqipërisë, ritmi i zhvillimit drejt ekonomisë jo-cash mbetet ende i ngadaltë. Ekonomia dhe sistemi bankar në vend ballafaqohen me një nivel modest kulture financiare, ndaj kërkohen përpjekje të mëdha nga gjithë aktorët kryesorë, qofshin këta publikë dhe privatë, për të ndryshuar gjendjen.

Ndoshta pas kalimit të kësaj periudhe të errët për gjithë botën, situata do të ndryshojë dhe Shqipëria do të trokas në epokën e re të konceptit të parasë. Cdo hap përpara drejt ekonomisë jo-cash është një zhvillim pozitiv dhe i mirëpritur.

Audituese, Kontrolli i Lartë i Shtetit*


Etiketa: , ,

Pas