Editorial

A ka dështuar politika europiane në Ballkanin Perëndimor?






               Publikuar në : 09:51 - 28/11/18 |
mapo.al

Nga Ervis Iljazaj


Fjalimi i Edi Ramës në Pejë, në thelb ishte një ngritje zëri, madje edhe një kritikë kundër politikës europiane për çështjet e integrimit të shqiptarëve dhe raportet më të. Në fakt, ai fjalim nuk ishte as thirrje për bashkim kombëtar dhe as kërcënim sikurse u paraqit nga shumë. Edhe për faktin se, të mendosh që Kryeministri i një shteti si Shqipëria të kërcënojë politikën europiane është absurde dhe qesharake në të njëjtën kohë.

Në një mënyrë apo në një tjetër, Edi Rama iu tha shqiptarëve se faji për pengimin apo ngadalësimin e procesit të integrimit të Shqipërisë dhe Kosovës nuk është i politikës shqiptare, por  i asaj politikës europiane. Madje, nën rreshta shkoi edhe përtej, duke nënkuptuar që Europa në disa raste është duke favorizuar Serbinë në krahasim me shqiptarët.

Mirëpo, a është e vërtetë që si në Shqipëri dhe në Kosovë politika i ka bërë detyrat e shtëpisë, dhe ne po ngadalësohemi në procesin e integrimit për shkak të kontekstit politik ku gjendet sot Europa?!

Sigurisht, që politika shqiptare nuk i ka bërë të gjitha detyrat e shtëpisë, sado që ka tentativa për t’ia ngarkuar kontekstit Europian ngadalësimin e procesit të integrimit europian të shqiptarëve. Por, padyshim që në këtë rrugëtim rraskapitës për disa arsye për shqiptarët, dhe politika europiane nuk mund të lihet pa analizuar.

Madje, duke parë momentin politik që po kalon i gjithë Ballkani Perëndimor, pyetja që ngrihet pas një kohe kaq të gjatë dështimesh në procesin e integrimit është se, a ka vetë BE përgjegjësi për këtë proces që deri më tani nuk ka përfunduar në mënyrë të suksesshme?

Duke qenë se, Rajoni i Ballkanit Perëndimor është kaq i rëndësishëm për gjeopolitikën dhe interesat e Europës, dhe këtë gjë e shprehin institucionet e saj sa herë që është rasti, atëherë roli që ka luajtur ajo vihet në pikëpyetje.

Me gjithë përpjekjet dhe monitorimin e vazhdueshëm që bëhet në këto vende nga BE, me sa duket nuk mjafton më për të përshpejtuar procesin e integrimit. Kërkohet një rol edhe më i madh dhe më i vendosur për të tërhequr drejt BE-së vendet e Ballkanit Perëndimor, vende të cilat janë si një minë me sahat për të gjithë gjeopolitikën europiane dhe përtej saj.

Në këtë drejtim, pa diskutim roli i Europës lë shumë për të dëshiruar. Politika e jashtme e saj nuk është pika më e fortë dhe këtë gjë e kanë treguar të gjitha ngjarjet ndërkombëtare ku BE pothuajse nuk ka patur asnjë ndikim, për shkak se nuk ka një qëndrim të përbashkët dhe koheziv. Edhe në Rajonin e Ballkanit Perëndimor, duket qartë se SHBA janë më prezente dhe me më shumë ndikim në gjeopolitikën rajonale se sa BE.

Mungesa e një politike të fortë në Ballkan nga ana e Bashkimit Europian, për arsyen se mungon një e  tillë e përbashkët, ka bërë që shumë procese t’i kenë shpëtuar nga duart në marrëdhëniet me vendet e Ballkanit.

Kështu që, përtej çdo përgjegjësie që ka secili nga vendet e Ballkanit, roli i misionit të Bashkimit Europian duhet të jetë më i qartë dhe më i vendosur, qoftë edhe me vendimmarrje arbitrare, sepse populli shqiptar dhe ai i vendeve të Ballkanit Perëndimor është tërësisht me të, kundër elitës së tyre politike, që qartësisht janë në konflikt interesi me institucionet e BE-së.

Prandaj është koha që ta themi njëherë e mirë të vërtetën se, Bashkimi Europian deri më tani ka dështuar në misionin e tij për të integruar vendet e Ballkanit Perëndimor, për shkak se nuk ka një politikë të jashtme të qartë dhe kohezive.

E megjithatë,  askush nuk mund të vërë në diskutim që prezenca e tij në Shqipëri dhe në rajon ka patur rol pozitiv, edhe pse jo i përmbushur tërësisht. Nëse do të mungonte prezenca e misionit të BE-së në këtë rajon gjendja politike do të ishte edhe më keq seç është.

 


Etiketa: , , , ,

Pas