Ministri i Brendshëm i Italisë, Marco Minnitti, pritet të zhvillojë nesër në Tiranë një takim me ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Takimi mes dy homologëve pason atë të zhvilluar pak ditë më parë në Trieste në Samitin rajonal mes ministrave e krerëve të policisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Biseda Minniti-Xhafaj vjen në një kohë kur në Tiranë opozita ka hedhur akuza të forta ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri se ka mbështetur grupin kriminal “Habilaj”.
Mesohet gjithashtu se ministri i Brendshëm italian do të dorëzojë zyrtarisht nesër raportin e Guardia di Finanzia për kanabisin në vend. Ndërkohe dje, Gjykata Rivleresimit të Katanias refuzoi rekursin e avokatit të Moisi Habilajt duke vendosur mbajtjen e tij në burg deri në përfundim të hetimeve. Në qeli janë lënë edhe pesë persona të tjerë të akuzuar si pjesë e rrjetit të drogës.
Të arrestuarit do të vijojnë të qëndrojnë në qeli, ndërsa paralelisht Prokuroria e Katanias do të nisë përgatitjen e dosjes për dërgimin për gjykim të 12 pjesëtarëve të këtij grupi të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.