fbpx

Editorial

A ka ndonjë zyrë në shtet që funksionon?





               Publikuar në : 19:43 - 20/10/19 |
Mapo.al

Historia dramatike e Alvinit 11-vjeçar që gjendet në një kamp në Siri, por nuk tërhiqet dot nga atje, na ka përplasur në fytyrë një të vërtetë të dhimbshme, shoqëruar me revoltë.


Nga ajo çfarë doli në publik deri tani, rezulton se një emision i njohur investigativ i televizionit italian e gjeti të miturin, e bashkoi me të atin, i cili vetëm e përqafoi me mall, por nuk e mori dot për shkak se atje ka procedura. Dhe procedura e do që të përfshihet një përfaqesues i qeverisë, në këtë rast ambasadori.



Ky raportim zbuloi se një media, babai, dhe ndoshta shumëkush tjetër mund të vihej në kontakt me 11-vjeçarin, por vetëm shteti ynë jo.


Përgjigja e ambasadorit tonë në Turqi për emisionin televiziv ishte rrënqethëse sa vetë ngjarja. Nuk mund të flas dot, tha Gazheli, dhe mbylli telefonin.

Në atë skaj, aty ku është ambasada jonë në Turqi, ne si shoqeri patëm rastin të shohim portretin, tiparet e qeverisjes. Gazheli është përfaqësues tipik i shtetit që kemi. Jo vetëm nuk funksionon si zyrë për një hall të tillë, po për më tepër, është dhe arrogant, dhe ka çuditur të madh e të vogël me shpërfilljen e treguar para një drame të tillë që ka ngritur në këmbë krejt opinionin publik.

Gazheli, një produkt gjenuin i Rilindjes, funksionar i lartë socialist, përtej skandalit, na ka ndihmuar për një gjë, të kuptojmë se çfarë ekzekutivi kemi, dhe me ç’rast, ka hedhur në tokë një prej retorikave më të forta të Edi Ramës.

Nëse do të kishim shtetin që thotë kryeministri se ka bërë në këto 6 vite, Alvini do ishte gjetur para se ta bënte këtë një media. E sigurisht, po të kishim gjysmën e shtetit që thotë Edi Rama se kemi, pas lajmit ambasadori nuk do përplaste me lehtësi të papërballueshme receptorin, por do të ishte atje ku ia kërkon detyra, duke mundësuar rikthimin në atdhe të djalit të mitur.

Po ambasada jonë në Ankara nuk funksionon, zyra e kadastrës në Durrës jo, ajo e Vlorës jo e jo. Drejtoria e Rrugëve ka ngelur rrugëve. Rendi është në pikë kritike dhe droga e fortë po vërshon kudo qyteteve e lokaleve. Ushqimi i rrezikshëm nuk ndalet. Diplomacia nuk solli asnjë rezultat për negociatat. Studentët ende me shumë kërkesa të parealizuara. Në dyshim shpërblimet e pensionistëve. Të ardhurat në rënie. Tenderat me fitues të përcaktuar. Gjysma e Tiranës pa ujë.

Po ku është shteti vallë?

Ekzistojnë në fakt 2 zyra që nuk lodhen, punojnë 24 orë në ditë. Ajo e PPP-ve, dhe ajo e propagandës me ndihmën e mediave kryesore. Ja këtu jemi. Pastaj çuditemi pse nuk u hapën bisedimet për anëtarësim në BE.


Etiketa: , , , , ,

Pas