Editorial

A kemi nevojë për zgjedhje më 30 Qershor?





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:35 - 08/05/19 |
Nga Ndriçim Kulla

Nga Ndriçim Kulla


Një pyetje e tillë mund të duket paradoksale, pasi ajo ka kohë që ka mbërthyer kampet në të dyja anët e politikës, me përgjigjet e tyre kategorike, po ose jo. Një tjetër përshkallëzim i përgjigjes ndaj saj vjen nga “kultura” asgjësuese që kërkon t’i mvishet e që nënkupton shuarjen ose shkrirjen e opozitës, nga njëra anë dhe rrëzimin e qeverisë, nga ana tjetër. E megjithatë, në gjithë këtë aut/aut të rrezikshëm, një përgjigje reale për pyetjen e mësipërme, ende nuk është trajtuar të jepet nisur jo nga këndvështrimi i politikës, por nga këndvështrimi i interesit publik. Flitet shumë dhe keq, me pathos e vetëbesim, me propagandë dhe shkujdesje, në emër të popullit, duke harruar se zgjedhjet tek e fundit bëhen dhe duhet të jenë në shërbim të tij. Në këtë kuptim, duhet të analizojmë se ç’dobi e ç’interes ka populli që zgjedhjet të mbahen në një klimë të tillë. Sapo i është përplasur në fytyrë shakaja e shakave, që përkthehet në hapjen e negociatave. E gjithë festa e tij e paralajmëruar prej një viti me fanfarë e gregarë të artit të të kënaqurit me hedhje hi syve, duket se është shuar në derën e paradhomës së BE, ku mezi arritëm pas 30 vitesh rrugëtim. Po përsëri, kjo nuk është shakaja e parë që ne gëlltisim, ndaj që të ecim përpara, duhet të përgatitemi për zgjedhjet bashkiake e të shpalosim programet nën zjarrin e gomave të djegura e mes tymit të gazit lotsjellës të protestave.


A ka shaka më të madhe për një popull që në vend që të dëgjojë programet e detajuara të kandidatëve për kryetarë bashkie e komunash të shkojë ose në miting ose në kundërmiting, ku dëgjohen veç zhurmë sharjesh, fyerjesh, qesëndisjesh e batutash, por aspak programe. Atëherë, kur askush nuk po i shpalos e nuk ka për t’i shpalosur deri në fund të fushatës diçka për përmirësimin e kushteve tragjike të varfërisë dhe papunësisë ku ndodhet, diçka për rregullimin e jetës sociale që pa një dorë ndihme e lë të mbytet në mizerien e vet, përse vallë do t’i interesonin këto zgjedhje? Në emër të demokracisë, do të përgjigjej dikush, në emër të të ecurit përpara, do të shtonte një tjetër, pavarësisht të gjithë halleve e problemeve. Fillon, kështu populli të arsyetojë e meditojë, kur ja, tek i shkëlqen përpara syve flaka e një shashke tjetër. Të shkojmë në zgjedhje dhe t’i fitojmë të gjitha bashkitë, sepse ne jemi më të mirët, më përparimtarët, më të zotët, më punëtorët. 61 duket të jetë numri i parapëlqyer i qeverisë, vula e stampuar në ballin e saj për fitoren e paralajmëruar të zgjedhjeve, kryenumri i kabinetit që po udhëheq këtë vend.


Por menjëherë, ndërsa mendon se e gjitha kjo ushqehet nga zjarri që kërkon të asgjësojë opozitën ose të klonojë një opozitë “alla 30 qershor”, kupton menjëherë se ky kabinet është kabineti i pykave, i 61 pykave që pritet t’i ngulen trupit të brishtë të demokracisë shqiptare. Atëherë, përse duhet të shkojmë në zgjedhje, mos vallë për të marrë pas tyre një trup të lënguar e të dergjur, që nuk dihet se si do të zvarritet deri në zgjedhjet e ardhshme. Për interesin publik, përtej partive, kjo është e paimagjinueshme, përkundrazi, ai s’mund t’ia falë kurrë politikës këtë dergjje vetëm për hir të saj, ndaj nuk ndjen as nevojën më të vogël për të bërë të tilla zgjedhje. Mirëpo jeta duhet të ecë përpara, thonë, me ose pa opozitën. Një jetë e re do të lindë në gërmadhat e saj. Një ide revolucionare që kishim kohë e dekada pa e dëgjuar, por megjithatë dihet që qeveria jonë është progresiste, ajo është në shërbim të qytetarit. Po si mundet vallë qytetari të zgjedhë më të mirën kur ai që mund të fitojë nuk ka kundërshtarë? Si mundet vallë ai të ketë besim te menaxhimi i taksave dhe shërbimeve ndaj tij, kur nuk ka askënd që ta kontrollojë? Për çfarë do t’i interesonte një bashkiak i tillë që nuk ka këshill bashkiak që t’i japë llogari? A s’është edhe nga pikëpamja praktike, e funksionalitetit të përditshëm, një zgjedhje e tillë një zero me xhufkë, madje më shumë, me 61 xhufka.


Në fund të meditimit të tij shumë mëmdjehapët e shumë dorëlëshuar, qytetari do të ngelej me një grusht gënjeshtrash dhe shakash në duar, i rrethuar nga atmosfera festive e kabinetit të pykave dhe fryma optimiste e bashkiakëve të xhufkave. Rri pyet edhe njëherë: a ka nevojë për zgjedhje të tilla? E pasi shkon ndërmend gjithë vijën e arsyetimit i vë një zero të madhe të gjithë këtyre zgjedhjeve, duke dashur pikërisht më të mirën, në kundërshtinë midis së mirës dhe të keqes, dhe jo të keqen më të vogël.


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas