Kryeministri Edi Rama ka aluduar se ata që nuk duan zgjedhjet e 30 qershorit kanë frikë nga reforma në drejtësi. I pyetur nëse ka frikë nga drejtësia e re, Meta tha se “unë kam frikë vetëm nga përgjegjësia që kam para popullit shqiptar”.
Më tej u pyet për pretendimin e mazhorancës se shtyrja e zgjedhjeve nuk është kompetencë e tij, Meta tha se “në Republikën e Shqipërisë ka vetëm një institucion që shpall zgjedhjet dhe ky është Presidenti. Mos u lodhni duke shpikur institucione të tjera. Vendimet e tij i gjykon vetëm Gjykata Kushtetuese. Sigurisht unë nuk ndaloj askënd të çojë cështjen në KQZ apo Gjykatë Administrative. Nuk ka dhe nuk do të ketë asgjë pa dekretin e Presidentit”.
Pyetjes nëse do të inicionte një tryezë mes partive politike në funksion të gjetjes së zgjidhjeve për të kaluar ngërçin politik, Meta iu përgjigj me batutë: “ Nëse nuk shkarkohem” – tha ai, duke lënë të nëkuptohet se do e marr një veprim të tillë.