Kryesore

A mund të lejojë italiani Soreca t’i mbijë fashizmi nën hundë?!





               Publikuar në : 21:32 - 17/12/19 |
Gentian Gaba

Gentian Gaba


Aventino është një nga shtatë kodrat e Romës. Në lashtësi kjo zonë banohej nga plebenjtë, banorët e qytetit që nuk u përkisnin familjeve historike të patricëve, të cilët e konsideronin veten trashëgimtarë të themeluesve të qytetit. Sipas historianëve romakë, në momentet e vështira të Republikës, banorët e Aventinos kishin si instrument kryesor të luftës së tyre politike një formë greve të quajtur ‘Secessioplebis’, ose shkëputjen e plebenjve.



Kur patricët abuzonin me pushtetin e tyre, në forma dhe mënyra që plebenjtë i konsideronin të papranueshme, këta të fundit organizoheshin në një revoltë, jo të dhunshme, dhe tërhiqeshin në Aventino, duke refuzuar të merrnin pjesë në jetën politike dhe ekonomike të qytetit derisa të pranoheshin kërkesat e tyre.


Me po të njëjtën strategji veproi në vitin 1924 opozita italiane. Pas vrasjes nga fashistët të deputetit Matteotti, opozita braktisi Parlamentin në shenjë proteste, duke u grupuar në një sallë të Monteçitorios (Parlamentit). Deputetët e quajtën lëvizjen e tyre ‘tërheqje në Aventino’. ‘Ne flasim nga kjo sallë parlamentare, ndërsa nuk ka më Parlament. Të zgjedhurit e vetëm qëndrojnë në Aventinon e ndërgjegjes sonë, nga ku asnjë joshje nuk do t’i tërheqë derisa të agojë dielli i lirisë, të rikthehet sundimi i ligjit dhe përfaqësimi i popullit të mos jetë më shakaja mizore në të cilën e kanë shndërruar’ – deklaronte FilippoTurati në fjalimin që pagëzoi këtë lëvizje.

Por agu i këtij dielli vonoi; dhe sipas shumë bashkëkohësve dhe historianëve, largimi i opozitës, i hapi rrugën transformimit përfundimtar të fashizmit në një regjim diktatorial nën udhëheqjen e Musolinit. Pa humbur kohë, në epërsi numerike, këmishat e zeza aprovuan pa kurrfarë vështirësie ligjet fashiste (leggifascistissime), të cilat shtypnin lirinë e shtypit dhe të drejta të tjera themelore, duke e transformuar qeverinë italiane në një regjim autoritar. Sesi vijoi historia pasandaj, e dinë të gjithë.

Madje, ata që kanë njohur këtë pjesë të së shkuarës të vendit fqinj, mund të kenë gjetur të pasqyruar tek aktualiteti ynë disa nga dinamikat e politikës italiane të viteve njëzet. Sepse, ndonëse historia nuk përsëritet kurrë, për ta thënë me fjalët e MarkTwain, ‘ajo bën rimë’. Dhe marshimi ynë drejt një regjimi autokratik, i cili i gjen rrënjët te mujsharia e një mazhorance dhe ‘skuadrizmit’ të të fortëve të saj, të cilët janë një përsëritje e fenomenit politiko-social të ‘skuadrave të aksionit’ që vepronin në fillimet e fashizmit për të nënshtruar kundërshtarët politik, ka pësuar një përshpejtim prej 16 shkurtit.

‘Aventino’ i opozitës shqiptare, pas dhunimit të dokumentuar të zgjedhjeve dhe ‘skuadristëve’ të bërë deputetë dhe bashkiakë, bëri që Rama të vepronte në të njëjtën formë me të cilën vepron një diktator kundruall mundësive për të zgjeruar edhe më shumë pushtetin e tij. Asgjësoi ndarjen e pushteteve, ashpërsoi kodin penal për të ndëshkuar protestuesit dhe, sikurse kuptohet nga debati publik, po kërkon të kyçë gojën e mediave që nuk kontrollon.

Me pak fjalë një Duçe në tentativë, fizikisht më i gjatë, por me një shtet shumë herë më të vogël, që e bën turravrapin e tij drejt autokracisë të vështirë, por jo të pamundur. Gjendja e jashtëzakonshme e prodhuar nga tërmeti i ka dhënë mundësinë për të ashpërsuar dorën kundër çdo oponence. Një moment në të cilin kërkon të shuajë ato vatra lirie që teknologjia ka krijuar në rrjet, për t’iu shpëtuar skandaleve të panumërta të së shkuarës dhe, mbi të gjitha, atyre të panumërtat që dy goditjet sizmike do të nxjerrin në pah.

Kundërshtia ndaj kësaj përpjekjejetipikisht fashiste, ka ardhur nga shumë krahë, brenda dhe jashtë vendit, madje ka prodhuar një reagim edhe nga zyrat e Komisionit Europian; zakonisht përherë të ngadalta kur bëhet fjalë për të ngritur zërin ndaj qeverisë.

Nuk dihet nëse LuigiSoreca ka reaguar sepse Rama ka abuzuar me durimin e tyre, ose sepse cicërimat kundërthënëse të kryeministrit e kanë shtyrë të dalë në mbrojtje të vlerave europiane. Megjithatë, ajo që është e vetëkuptueshme është se një italian, i cili e njeh shumë mirë historinë e vendit të tij, nuk mund të nënvlerësojë një situatë tek e cila sheh të pasqyruar faqet më tragjike të historisë së shtetit nga i cili vjen.

Prandaj, pas indulgjencave të shumta ndaj qeverisë, që të shumta kanë qenë për qeveritë në përgjithësi kur bëhet fjalë për marrëdhënie e vendorëve me të huajt, dhe dështimeve spektakolare, sikurse është rasti i vettingut që sot trumbetohet si i mirë për Shqipërinë, por jo për Maqedoninë, është momenti për t’i hedhur pak sytë nga historia.

Sepse diktaturat nuk vetëshpallen prej ditës së parë, as diktatorët nuk janë të tillë qysh kur fillon pushteti i tyre, as popujt nuk janë mazokistë dhe të pirur për të jetuar nën tirani.

Diktaturat lindin në mënyrë graduale, si një humbje e përditshme e të drejtave dhe lirive. Si e drejta për të pasur një proces gjyqësor të drejtë, që sot mungon sepse mungojnë gjykatat e epërme; apo e drejta për të qenë i përfaqësuar në institucionet vendimmarrëse, që sot mungon sepse vota tjetërsohet dhe shteti drejtohet nga një parti e vetme; ose e drejta për të shprehur lirisht mendimin tënd, që do të mungojë pasi të ketë kaluar paketa ‘antishpifje’.

Kjo është ‘shakaja mizore në të cilën është shndërruar’ demokracia hibride shqiptare, pak vota larg një fashizmi që italiani Soreca, me sytë nga historia, nuk mund të lejojë t’i mbijë nën hundë.


Etiketa: , , , ,

Pas