Editorial

A mund të prodhojë protesta një lëvizje të re politike?








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:05 - 18/12/18 |
mapo.al

Nga Ervis Iljazaj


Ka zëra që si pasojë e protestave studentore dhe frymës që ajo ngriti, mund të krijohet një parti politike, apo një lëvizje politike, le ta quajmë si të duam.


Dhe, kjo nuk është aspak jonormale.


Sepse, çështjet që u ngritën nga protesta e studentëve ishin aq të mëdha, saqë nuk mund të mos krijonte një frakturë shoqërore, e cila është baza e një lëvizjeje të re politike. Nuk ka rëndësi nëse kjo lëvizje do të ndodhë brenda sistemit apo jashtë tij. Fakt është, që një protestë e përmasave të tilla, nuk mund të orientohet veçse politikisht. Kush thotë të kundërtën gënjen, ose në rastin më të mirë nuk e njeh aspak se çfarë është politika.


Le ta themi qartë se, edhe nëse krijohet një lëvizje e re politike, askush nuk duhet të ndiejë siklet për atë, askush nuk duhet ta konsiderojë si një tradhti apo ndonjë fenomen të çuditshëm.


Protesta të tilla, që ngrenë problematika të rëndësishme, natyrshëm shkaktojnë dinamika politike që nuk mund të evitohen.

E rëndësishme është që kjo protestë, dhe efektet që ajo do të japë, të mos harrojë problematikat e arsimit, për të cilat fillojë si lëvizje studentore dhe krijojë mbështetje të gjerë në publik.

Brenda masës së sinqertë të studentëve, të cilët kanë vërtet shqetësimin e kërkesa që ka ngritur, ka padyshim pjesëmarrës që e përdorin këtë protestë për t’u artikuluar politikisht. Është normale një gjë e tillë.

Edhe vetë studentët nuk mund të konsiderohen vetëm si të tillë. Ata nuk janë vetëm studentë dhe kaq. Brenda tyre ka studentë me bindje të ndryshme, me kultura të ndryshme, me formime të ndryshme dhe nga shtresa shoqërore të ndryshme. T’i konsiderosh ata si një trup organik i vetëm dhe i ngjashëm, është gabimi më i madh që mund të bëhet.

Prandaj, përtej debatit të madh për arsimin që ka shkaktuar kjo protestë, sigurisht ka krijuar dhe një terren fertil për artikulimin politik, edhe pse ne, në mënyrë të pakuptueshme kemi frikë ta pranojmë një gjë të tillë. Terren politik i cili është normal të krijohet në raste të tilla.

Kështu që, kjo protestë nuk është dhe nuk mund të jetë kurrsesi thjesht “teknike”. Me një listë kërkesash që duhet plotësuar dhe kaq.

Ta zëmë se u plotësuan. Po më pas, nuk do të ketë asnjë efekt politik?! Gjykoj që kjo është e pamundur. Pasi, kjo protestë, paraqet në të njëjtën kohë shqetësimet për arsimin, pavarësisht nëse për to po debatohet në mënyrën e duhur ose jo, të gjitha kushtet për artikulimin politik dhe lëvizjet që krijohen prej tij. Do të kenë sukses këto lëvizje politike apo dinamikat që do të shkaktojë kjo protestë do të realizohen deri në fund, kjo është një çështje tjetër.

Por, bazat për të menduar se këtu kemi të bëjmë edhe me fraktura shoqërore që krijojnë dinamika të reja politike, janë të gjitha. Madje, e kundërta do të ishte e çuditshme. Nëse kjo protestë, nuk do të prodhonte një gjë të tillë, atëherë, ajo në kuptimin e dialektikës politike mund të konsiderohet amorfe. A mendon kush se protesta e nisur në Francë nga të ashtuquajtur jelekëverdhët, nuk do të ketë asnjë ndikim në politikën franceze?

Sepse, të kuptohemi, edhe kur flitet për arsimin, është njësoj si çdo fushë tjetër e qeverisjes. Dhe arsimi nuk është thjesht çështje teknike, por një vizion qeverisje për politikat arsimore. Vizion i cili mund të artikulohet vetëm politikisht.

Në fund të fundit, demokracia nuk është gjë tjetër, përveçse konkurrencë vizionesh. Dhe këtë garë të vizioneve politike, kjo protestë, herët apo vonë, ka për ta shpërthyer.

 


Etiketa: , , ,

Pas