Për sa kohë, zoti Berisha bazohet në rezultatet e zgjedhjeve të pjesshme, që i ndau demokratët në dy kampe dhe vijon me “Foltore”-n e tij, bashkimi i njëmendtë i demokratëve mbetet i largët dhe më shumë i ngjan një diktati të një shumice fluide dhe të përkohshme numrash dhe vetë diktatit të tij, që ndryshe nga sa deklaroi për zgjedhje të brendshme transparente e ka marrë pa pritur procesin dhe rezultatin, rolin e kryetarit të partisë
Ndërsa pritej që në mbledhjen e thirrur të Grupit Parlamentar të PD-së, të mungonte i përjashtuari Berisha, ai që nuk u shfaq paraditen e së enjtes në selinë blu, ishte kryetari i dorëhequr Basha.
Kryetari i grupit, njëherazi edhe kryetar i komanduar i Partisë Demokratike, Alibeaj e pa praninë e ish-kryeministrit dhe ish-liderit demokrat si një sinjal i brishtë për demokracinë e brendshme në parti.
Edhe pak ditë më parë, Alibeaj i bëri thirrje zotit Berisha të ndjekë shembullin e ish-kryetarit Basha, duke u tërhequr. Për kryetarin e komanduar ky nuk është kusht, por nevojë për bashkimin e demokratëve.
E çimentuar në qasjen pro-amerikane qysh prej qëndrimeve të artikuluara të Bashës, linja zyrtare e PD-së nuk ka ndryshuar, ndërsa kryetari i komanduar është shprehur se një “non gratra” nuk mund të drejtojë Partinë Demokratike. Ishte ky grup parlamentar, që iu drejtua Grupimit për PD-në, fill pas dorëheqjes së Bashës, duke i shtrirë dorën e bashkimit me kushtin e tërheqjes së Sali Berishës. Ky i fundit, jo vetëm që nuk u tërhoq por u rikthye në godinën, përballë së cilës organizoi edhe protestën e 8 janarit, që i vendosi demokratët literalisht në dy kampe. Hyrjen e tij në seli, Alibeaj e pa si sinjal pushtimi, ndërsa tha se duhet ndalur gjuha linçuese, si dhe proceset që thellojnë ndasitë, duke iu referuar Kuvendit të thirrur nga Komisioni i Rithemelimi për t’u mbajtur më 30 prill.
“Me prezencën tuaj ju po zhvlerësoni vendimet e organeve të kësaj partie. Ju jeni i përjashtuar nga grupi parlamentar dhe çdo forum”, iu drejtua Alibeaj ish-kryeministrit Berisha. Nga ana e tij, Berisha e cilësoi vendimin e Bashës – siç ka bërë prej 9 shtatorit – si antistatutor. Madje ai shkoi më tej, duke i quajtur jo legjitimë organet vendimmarrëse në PD që pas 11 dhjetorit, kur grupimi i tij mbajti punimet e Kuvendit, që rezultoi në konkluzione si shkarkimi i Bashës dhe ndryshime në statut. Ndryshime që, edhe u njohën nga Gjykata. Ndonëse jashtë selisë blu, por edhe Kuvendit Berisha foli për bashkim të demokratëve, fryma në mbledhjen e grupit ishte po aq polarizuese si edhe më parë, ky Berisha ngulmoi edhe njëherë se i vetmi organ që merr vendime në PD është Komisioni i Rithemelimit.
Fill pas ngritjes së këtij komisioni, Berisha mbajti konferencën për media në selinë blu, duke njoftuar se do të shërbente si një lloj lidershipi i përkohshëm deri në zgjedhjet e ardhshme në parti. Zgjedhje ku ai nuk e fshehu ambicien për të rikandiduar e për t’iu rikthyer protagonizmit politik. Megjithatë protagonizmi nuk i ka munguar që prej majit të vitit të kaluar, ku Departamenti i Shtetit e shpalli publikisht si individ “non grata” për korrupsion domethënës dhe minim të demokracisë, veçanërisht në vitet ku ai shërbeu si kryeministër i Shqipërisë.
Sipas zotit Berisha, i cili në retorikën e tij kërkon të bindë se po bashkon demokratët, jo vetëm që vendimi i zotit Basha, i theksuar edhe nga Alibeaj është “nul”- pretendim i kahershëm i tij – , por ai ka vënë në peshore edhe njëherë numrat brenda partisë. Duke iu kthyer pjesëmarrjes së demokratëve më 11 dhjetor, por edhe votave më 6 mars, ku Komisioni i Rithemelimit mori Bashkinë e Shkodrës dhe shënoi epërsi në rezultat karshi PD
-së zyrtare, Berisha e vendos veten në pozicionin e fituesit dhe zotin Basha, ndonëse i tërhequr nga funksioni i tij, si humbës.
“Mendoj se është rast unik që PD të bashkohet edhe në diversitetin e saj. Ka një diversitet i cili e bën edhe më demokratike PD”, është shprehur zoti Berisha, ndërsa një diversitet kaq i skajshëm në parti nuk është vënë re gjatë lidershipit të tij.
Jo vetëm që Berisha sfidoi vendimet e ish-kryetarit Basha dhe Këshillit Kombëtar, i cili u mblodh pas 11 dhjetorit, por e ktheu situatën përmbys. Ai komentoi mungesën e zotit Basha në mbledhje, duke shtuar se “ne nuk përjashtojmë njeri”. Me këto deklarata, Berisha sillet si kryetari “de facto” i PD-së, ende pa u votuar për lidershipin e ri, ndërsa muaj më parë nga “Foltorja” fliste për zgjedhje të ndershme dhe transparente brenda partisë, duke mos e njohur as Alibeajn si kryetar i komanduar.
“Se e njoh grupin unë, nuk do të thotë që Enkelejdi është grupi. Është kryetar i grupit deri sa të qartësohen të gjitha problemet. Jemi në një proces dhe në proces e sipër ai mund të qëndrojë kryetar. Nuk kam ndonjë kundërshtim”, është shprehur Berisha, duke e barazuar vullnetin e tij me atë të demokratëve, që sipas tij kanë folur me shifra më 6 mars, në zgjedhjet e pjesshme lokale.
Por, ndërsa zoti Berisha nuk e njeh vebndimin e përjashtimit të tij nga grupi parlamentar, pjesa tjetër e këtij grupi që përfaqësohet nga kryetari Alibeaj i kujtojnë Berishës betejën me Sekretarin e Shtetit Blinken dhe shpalljen e tij “non grata”. ShBA ka qenë e qartë me deklaratat se nuk bashkëpunojnë me individë “non grata”, nëse Berisha vjen sërish në krye të partisë.
Berisha prej 9 shtatorit, e ka akuzuar zotin Basha për një vendim të marrë pa pyetur organet e partisë dhe në bahskëpunim me kryeministrin Rama. i pyetur nga mediat nëse do ta çojë këtë vendim për rishqyrtim në forumet e partisë, ai tha se Këshilli Kombëtar nuk ekziston dhe se duhet që më parë të mblidhet Kuvendi, i planifikuar për në fund të muajit prill. Edhe njëherë, ashtu siç bëri gjatë vjeshtës dhe dimrit të kaluar, zoti Berisha sjell dy palë demokratësh – ata që janë të rreshtuar me vendimin “nul” të Bashës dhe ata që mbështetën qëndrimet dhe veprimet e tij nga Foltorja, tek Kuvendi, ndryshimet statutore e më në fund vendimi për të marrë pjesë nëzgjehdjet e pjesshme lokale – të bojkotuara më parë – nën siglën e një koalicioni me LSI. Po aq “nul” Berisha konsideron edhe qëndrimet e demokratëve, që kërkojnë t’i mbeten qasjes pro-amerikane të partisë dhe distancimin e Berishës nga vendimmarrjet.
Lulzim Basha zgjodhi të shfaqej sot si deputet i thjeshtë i grupit parlamentar të PD-së, në daljen e parë pas dorëheqjes, ndërsa zgjodhi të mos marrë pjesë në mbledhje.
Para mediave ai i siguroi demokratët se nuk heq dorë nga përgjegjësia e tij para tyre dhe të gjithë shqiprarëve. “PD duhet të kthehet në një alternativë dhe një shpresë për njerëzit”, tha ai. Në f jalimin e dorëheqjes Basha pranoi se nuk mundi t’i mbante dot të bashkuar demokratët, pas vendimit për të përjashtuar Sali Berishën nga grupi parlamentar një ditë para nisjes së legjislaturës së re.
“Unë do të punoj ditë për ditë që një PD e bashkuar rreth këtyre vlerave të kthehet në shpresë dhe alternativë për njerëzit, alternativë që nuk duhet të jetë në kundërthënie me aleatët tanë strategjikë”, do të shprehej Basha të enjten. Mungesën e tij në mbledhjen e grupit, ai e argumentoi si një akt tejkalimi të interesave personale dhe një mundësi për diskutim jashtë presionit. Basha tha se mbledhja e së enjtes kishte marrë sinjalet paralajmëruese se do të përfundonte në konfrontim.
“Kam bërë dhe do bëj gjithçka që PD të kthehet tek vlerat mbi të cilat është themeluar. Një nga vlerat është orientimi euro-atlantik. E kam të qartë rrugën që duhet të përshkojë PD për të qenë një alternativë. Ujërat janë akoma të turbullta, por do qartësohen”, tha Basha, i cili ende nuk ka zbuluar nëse do të rikandidojë në garën për kryetar të Partisë Demokratike.
Nga ana tjetër, Berisha që jo vetëm nuk e ka fshehur ambicien, por po sillet si kryetar i PD-së, që pas vendimit të Gjykatës që njohu ndryshimet statutore të Kuvendit të 11 dhjetorit, e cilësoi përjashtimin e tij nga grupi parlamentar si kombinacion antiligjor Rama-Basha.
Para mediave, ai foli si lider i opozitës dhe për bashkim të demokratëve, ndonëse e gjithë pesha e argumentit të tij bazohet në numra.
Ndërsa kryetari i komanduar tha se bashkimi i demokratëve nuk bëhet me pushtim selie, siç e konsideroi ai pjesëmarrjen e Berishës në mbledhjen e së enjtes, Berisha u përpoq ta reklamonte si një mbledhje normale, duke vënë theksin në një bashkim në diversitet dhe madje tha se procesi i kapërcimit të pasojave po ecte mirë.
Për sa kohë, zoti Berisha bazohet në rezultatet e zgjedhjeve të pjesshme, që i ndau demokratët në dy kampe dhe vijon me “Foltore”-n e tij, bashkimi i njëmendtë i demokratëve mbetet i largët dhe më shumë i ngjan një diktati të një shumice fluide dhe të përkohshme numrash dhe vetë diktatit të tij, që ndryshe nga sa deklaroi për zgjedhje të brendshme transparente e ka marrë pa pritur procesin dhe rezultatin, rolin e kryetarit të partisë. Që demokratët të bashkohen, nevojitet të dëgjohet zëri i të gjithëve, jo vetëm i atyre që votuan më 6 mars. S.Balliu/ Gazeta MAPO